E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Dy koalicione të majta në zgjedhje”

 

Aristir Lumezi

Kryetari i LSI-së Ilir Meta, u shpreh dje se koalicioni që kërkon të krijojë Partia Socialiste me partitë e tjera janë koalicione bishtash. “Në gjykimin tim dhe të LSI, nga ajo që kemi njohur deri tani, koalicionet e përbëra nuk janë gjë tjetër veçse koalicione të shpërbëra. Apo më thjesht, për ta kuptuar në një mënyrë më të thjeshtë, koalicionet e përbëra janë koalicione bishtash. Pra, nuk janë koalicione të ndërtuara mbi principe dhe mbi vlera të përbashkëta, mbi qëllime të përbashkëta politike, ashtu sikurse ndërtohet çdo koalicion në çdo vend demokratik”, tha Meta. Këtë deklaratë kreu i LSI-së e bëri gjatë një konference për shtyp, gjatë të cilës sqaroi pozicionin e partisë që drejton ndaj reformës zgjedhore dhe koalicionit të përbërë të ofruar nga socialistët. Sipas tij, takimi i LSI-së me PS ka të bëjë vetëm me reformën zgjedhore dhe asgjë më tepër. Duke sqaruar këtë pozicion të LSI-së për koalicionet e përbëra, Meta tha se lidershipi i PS dhe LSI kanë koncepte krejtësisht të kundërta ndaj shtetit ligjor dhe të së drejtës. Sipas tij, “pas 21 prillit, Partia Socialiste, ose më saktë lidershipi i saj, me Partinë Demokratike janë shumë më pranë në këtë drejtim, pasi kanë të njëjtin koncept për ndërtimin e një shteti autoritar, të një shteti piramidal, të një shteti, i cili nuk funksionon mbi principet e mekanizmit të një aleance dhe të ekuilibrit midis pushteteve, që është goditur nga marrëveshja konsensuale e natës së 21 prillit”. “Kështu që, nuk mund të ketë një koalicion të përbërë, midis dy forcave politike që kanë dy koncepte krejtësisht të ndryshme sot për demokracinë, për shtetin e së drejtës dhe për sistemin e qeverisjes në vendin tonë”, tha Meta. Kreu i LSI-së kërkoi nga lidershipi i PS-së “një frenim nga ajo që ka ndodhur deri tani midis tyre dhe Berishës, pra një mos thellim i tyre në cenimin e integritetit të votës së qytetarëve shqiptarë, do të ishte i mirëpritur nga ana jonë dhe ky është thelbi i përpjekjes sonë të fundit, që po bëjmë në këtë drejtim”. Lidhur me propozimin e socialistëve për një administrim jopartiak të zgjedhjeve, LSI mendon se kjo do të çonte në manipulim të tyre. “Administrimi jopolitik i zgjedhjeve mund t’ju them se është një iluzion tepër shqetësues, të mendosh se me Sali Berishën Kryeministër dhe pas ndryshimeve kushtetuese të bëra, ku roli i tij është forcuar jashtëzakonisht shumë, të kemi një administrim të paanshëm të zgjedhjeve nga segmente të administratës shtetërore, pavarësisht se në cilin sektor ato do të targetohen. Pra, është një naivitet, për të mos thënë diçka më shumë”, tha Meta. Por gjatë konferencës së djeshme për shtyp, Meta nuk la pa prekur dhe çështjen e parkimeve në Tiranë. “Këto parkingje, nuk mund të jepen në mënyrë klienteliste, qoftë edhe kjo konsensuale, Qeveri-Bashki, pasi janë vërtet dy ndër sheshet më të rëndësishme të Tiranës, e sidomos, nuk duhet të lejojë asnjë qytetar i Tiranës, që të cenohet parku ‘Rinia’”, tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›