Zgjedhjet, Poni: Zgjaten oraret për aplikimin me karta

Ministria e Brendshme bëri të ditur sot se do të shtohen oraret dhe ditët e shërbimit në qendrat e aplikimit për pasaportën dhe kartën e identitetit.
Zv. ministri i Brendshem, Ferdinant Poni në një konferencë për shtyp theksoi se u është kërkuar punonjësve të gjendjes civile dhe operatorëve të aplikimit për letërnjoftime elektronike, angazhim maksimal në mënyrë që tu krijohet mundësia e plotë zgjedhësve për të votuar në zgjedhjet e 8 majit.
“Me qëllim ardhjen në ndihmë të zgjedhësve për të krijuar mundësinë e plotë për të votuar, duke arritur standarde të larta zgjedhore, si dhe nisur nga koha e mbetur në dispozicion deri ne daten 08 maj 2011, u është kërkuar punonjësve të Gjendjes Civile dhe operatorëve të aplikimit për letërnjoftime elektronike, angazhim maksimal” theksoi Poni.
Kështu sipas ministrisë së brendshme zyrat në njësitë bashkiake të Tiranës dhe në Durrës do të jenë hapur ditët e javës nga ora 08 : 00 deri në orën 18:30 ndërsa ditën e shtunë dhe të dielë dt. 23, 24. 04.2011 nga ora 08:00 deri në orën 16:00.
Sipas zv.ministrit Poni ky kalendar është bashkërenduar plotësisht edhe me përfaqësuesit e drejtuesit e Kompanisë Koncesionare "Aleat".