Topi: Njëra palë, pa zgjidhje pozitive
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, e cilësoi si moment pozitiv tryezën e djeshme mes dy palëve kryesore politike në vend. Sipas tij, ky është rifillimi i dialogut politik mes mazhorancës dhe opozitës. Por, Topi shprehu bindjen se nga vijimësia e bisedimeve njëra palë do të mbetet pa zgjidhje pozitive. Duke shprehur vlerësimin për bisedimet e hapura dhe pa komplekse të aktorëve të politikës, të cilët diskutuan për opsionet e tyre, Topi bëri të qartë se tryeza e dialogut do të vazhdojë. Kreu i shtetit, Bamir Topi, bëri kujdes për të mos mbështetur asnjërën nga palët që u ulën në tryezë, teksa i falënderoi njëkohësisht për vullnetin e rifillimit të dialogut. Sipas Topit, ky është edhe momenti më pozitiv, dialogu ballë për ballë dhe jo në distancë. “Momenti më i mirë është rifillimi i dialogut politik ndërmjet mazhorancës dhe opozitës. Të dyja palët dhanë një angazhim shumë të rëndësishëm që tryeza e dialogut të vazhdojë, natyrisht duke shprehur edhe pozicionet e tyre si individë”, - theksoi Topi. Duke u fokusuar tek tryeza politike, Topi deklaroi se përfundimi i saj nuk ishte pozitiv, por nënvizoi se dialogu mes palëve do të vazhdojë. “Tryeza nuk doli në përfundime pozitive, kuptojmë se rifillimi i një dialogu të drejtpërdrejtë, jo nga distanca lë të kuptohet se bashkëpunimi do të vazhdojë në të mirë të së ardhmes dhe politikës shqiptare”, - u shpreh kreu i shtetit. Presidenti Topi sqaroi edhe rolin që do të vazhdojë të ketë në lidhje me dialogun mes opozitës dhe mazhorancës. “Ramë dakord që Presidenti të vazhdojë, të eksplorojë, të kërkojë konvergjencën, pikat ku palët mund të gjejnë gjuhën e përbashkët. Kjo jep shpresë që kjo tryezë mbi bazën e vullnetit politik të japë sigurinë se në Shqipëri demokracia funksionin”, - përfundoi Topi, duke falënderuar edhe median për ndjekjen e situatës hap pas hapi, e cila e ndoqi mbledhjen prej tri orëve nga trotuari përballë selisë së Presidencës.