E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Mandatin e ardhshëm, me 12 ministri

Kryeministri flet për programin e ardhshëm, komenton vendimin e Meksit dhe fatin e Mustafajt në listat për deputetë


"S'do të jenë më 14 kabinete, do të jenë 11 ose 12. S'do t'i rëndojmë mbi shpatullat e shqiptarëve"

TIRANË- Nëse Partia Demokratike fiton një mandat të dytë qeverisës, dy prej 14 portofoleve aktuale do të shkrihen.


Kryeministri, Sali Berisha, ka deklaruar mbrëmë në emisionin "Opinion", në TV "Klan" se, në rast fitoreje të zgjedhjeve, kabineti i ardhshëm qeveritar do të ketë 11 ose 12 portofole, dhe për pasojë një shpërndarje tjetër ministrash.


Kryeministri Berisha ishte i rezervuar mbrëmë teksa u pyet për punën e secilit prej ministrave aktualë, por nuk hezitoi të bënte publike se, në rast fitoreje, kabineti i tij do të zvogëlohej me dy ose tre portofole.


"Pas zgjedhjeve, unë sërish mbetem i një qeverie të vogël. Nuk do të jenë më 14 kabinete, do të jenë 11 ose 12. S'do t'i rëndojmë mbi shpatullat e shqiptarëve. Jemi vend i vogël dhe duhet të kemi një qeverisje me dimensionet e vendit.


Ishte 18 i solla në 14",- tha Berisha, duke shtuar se, ndryshimi i numrit të portofoleve do të sjellë edhe një shpërndarje tjetër ministrash.


Berisha President?


Kryeministri Berisha u pyet dje nga një panel gazetarësh, nëse synonte për një mandat tjetër si President. Ai ka përjashtuar mundësinë e aspirimit për një tjetër mandat, duke theksuar se tanimë atij i interesonin vetëm reformat.


"Pasioni im nuk është pushteti, por reformat. Çdo bëj unë pa reformat? Reformat janë atribut i mazhorancës për definicion dhe kam qenë më fat. Fati ka qenë se në mandatin e parë, unë isha President me fuqi ekzekutive",- tha ai.


Berisha është pyetur edhe për dorëheqje nga drejtimi i partisë, në rast se humb zgjedhjet e 28 qershorit. Edhe pse nuk e ka thënë hapur se do ta bënte një gjë të tillë, Kryeministri siguroi se do të zbatonte verdiktin e shqiptarëve.


Moratoriumi


Kreu i ekzekutivit ka lënë qartë të kuptohet se moratoriumi për skafet do të vazhdojë të jetë në fuqi. I pyetur për këtë çështje, Berisha theksoi se mosabrogimi nga Kuvendi ka sjellë rezultate pozitive në funksion të lëvizjes së qytetarëve pa viza.


"Kuvendi nuk e ka abroguar. Jemi në prag të një momenti historik. Nuk duhet ta ndërlikojmë këtë proces. Ky moratorium ka pasur ndikim qartësisht pozitiv në këtë drejtim dhe do të ketë",- tha ai.


Mustafaj & Meksi


Kryeministri është shfaqur i rezervuar në përgjigjen e tij, edhe pse pyetja ka qenë tepër e qartë, nëse do ta përfshinte sërish Besnik Mustafajn në listën për deputet. Ai i ka bërë bisht pyetjes, duke theksuar se deputetët do të zgjidhen sipas një procedure të caktuar në statutin e partisë.


Po aq i rezervuar në qëndrimet e tij ka qenë edhe ndaj një tjetër figure, ish-Kryeministrit të vendit, Aleksandër Meksi, për të cilin ai theksoi se vendimi i tij ishte personal. Ndërsa për Polin e Lirisë, Kryeministri përjashtoi çdo mundësi se do të ndikonte në rezultatin e së djathtës.



Programi

Kreu i ekzekutivit foli gjatë dje për qeverisjen katërvjeçare, duke premtuar se pjesë e programit të tij do të vazhdojnë të jenë sërish sektorë të rëndësishëm. "Dua t'i garantoj shqiptarët në këto elemente kryesorë të programit.


Me këtë parti do të ecim të sigurt drejt lëvizjes së lirë, do marrim statusin e vendit kandidat, dhe do ecim drejt integrimit, do të kompletoj tërësisht infrastrukturën e këtij vendi.


Shqipëria do të bëhet me sistemin rrugor më të ri dhe nga më të mirët në Europë. Shqipëria do të shndërrohet në një nga sistemet shëndetësore më të reformuara. Do të ketë një reduktim të ndjeshëm të varfërisë së mëtejshme. Për mua janë fjalët dhe premtimet", -tha ai në fund të emisionit.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›