Topalli; Motivi i shkarkimit të Biberajt, shpenzime të pajustifikuara
Sipas kryeparlamentares, “arsyeja kryesore e këtij zëvendësimi vjen për shkak të shkeljeve të rënda financiare të udhëtimeve që Biberaj ka bërë në mënyrë të paautorizuar, në emër të Kuvendit”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka sqaruar dje motivet që e çuan në marrjen e vendimit për të zëvendësuar Aleksandër Biberajn nga kryesimi i delegacionit të Parlamentit në Këshillin e Evropës. Në njoftimin për shtyp të zyrës së shtypit pranë kryeparlamentares thuhet se ky veprim ka ardhur për shkak të shpenzimeve të pajustifikuara të zotit Biberaj në udhëtimet e tij jashtë vendit. Nga ana tjetër Topalli hedh poshtë pretendimin e tij se vendimi i saj ka qenë i pakonsultuar me Partinë Demokratike, duke e bërë të qartë se vendimi është marrë pas konsultimit me kreun e grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi. “Kuvendi sqaron se kryetarja e Kuvendit, pasi është konsultuar me kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, siç e parashikon edhe neni 7, pika 3 e Rregullores së Kuvendit, i ka dërguar letër Këshillit të Evropës për zëvendësimin e Aleksandër Biberajt me një deputet tjetër”, - thuhet në njoftim. Më tej, bëhet i ditur motivacioni i shoqëruar me faksimilen e kërkesës së agjencisë së udhëtimeve e cila kërkonte pagimin e biletave të përdorura nga Biberaj. Topalli bën të qartë se “arsyeja kryesore e këtij zëvendësimi vjen për shkak të shkeljeve të rënda financiare të udhëtimeve që Biberaj ka bërë në mënyrë të paautorizuar, në emër të Kuvendit dhe që nuk kanë të bëjnë me pjesëmarrjen e rregullt të delegacionit në seancat e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Këto të fundit janë miratuar gjithmonë nga Kuvendi”. Sipas saj, rasti i sjelljes së Biberajt është rast unik. Më tej, në deklaratë bëhet e qartë se kryetarja e Kuvendit nuk ka qenë pengesë për punën e këtij delegacioni dhe aq më shumë të kryetarit të tij. “Kryetarja e Kuvendit ka mbështetur vazhdimisht dhe ka miratuar pjesëmarrjen e delegacionit, përfshi këtu edhe z. Biberajn, në çdo sesion parlamentar të Këshillit të Evropës, në respekt të këtij institucioni. Madje në disa raste ka miratuar edhe udhëtime jashtë sesionit parlamentar të anëtarëve të delegacionit edhe në aktivitete të tjera të KE-së”, - thuhet në njoftimin e Kuvendit. Konflikti u bë publik pas një letre që Topalli i ka dërguar Këshillit të Evropës ku i bën me dije se kryetari i delegacionit parlamentar shqiptar, Aleksandër Biberaj, do të zëvendësohej me deputetin Ilir Rusmali. Biberaj prej 3 vjetësh mban këtë detyrë dhe është zgjedhur nga Asambleja e KE-së në disa poste, ndër të cilat edhe si nënkryetar i kësaj Asambleje.