Zgjedhjet, ankesat që do të shqyrtojë Kolegji Zgjedhor
Shaban Sulçe
Partitë politike apo kandidatët e pavarur do të kenë të drejtë të ankimohen në Kolegjin Zgjedhor në rast se nuk do të jenë dakord me vendimet që do të marrë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Sipas Kodit të ri Zgjedhor, partitë politike apo kandidatët e pavarur në zgjedhje mund të ankohen pranë Kolegjit Zgjedhor në rast se KQZ-ja merr një vendim që cenon interesat e tyre. Ato mund të ankohen pranë këtij Kolegji në rast se nuk do të jenë dakord me vendimin e KQZ-së për rezultatin zgjedhor apo në rast se KQZ-ja do t’u mohojë të drejtën e akreditimit për të vëzhguar procesin zgjedhor. Sipas Kodit, ankimet e subjekteve politike duhet të paraqiten në Gjykatën e Apelit, Tiranë, e cila ia kalon ato Kolegjit Zgjedhor. “Ankimi për të gjitha vendimet që KQZ-ja merr në periudhën që fillon 48 orë pas dekretimit të zgjedhjeve të pjesshme ose të përgjithshme deri në përfundim të shqyrtimit administrativ të ankimeve zgjedhore ose të kalimit të afateve të ankimit për zgjedhje bëhet brenda 5 ditëve nga shpallja e tyre. Për vendimet që KQZ-ja merr jashtë kësaj periudhe, afati i ankimit në Kolegjin Zgjedhor është 30 ditë”, - thuhet në Nenin 152 të Kodit të ri Zgjedhor. Sipas Kodit, Kolegji Zgjedhor duhet të gjykojë dhe të vendosë brenda 10 ditëve nga depozitimi i ankimit ose, e quajtur ndryshe, kërkesëpadisë.
Ankimi
Subjektet zgjedhore duhet të paraqesin ankesën e tyre pranë Kolegjit Zgjedhor në formën e kërkesëpadisë, e cila duhet të përmbajë: të dhënat për identitetin e paditësit, tregimin e palës së paditur, tregimin e palëve të interesuara, (palë të interesuara janë palët pjesëmarrëse në shqyrtimin administrativ pranë KQZ-së), objektin e kërkimit, bazën ligjore, përshkrimin e shkeljes së pretenduar dhe pikat e vendimit të KQZ-së, të cilat ankuesi kundërshton si dhe dhe faktet, argumentet dhe dispozitat ligjore ku mbështetet ankimi. Sipas Kodit, kërkesëpadia duhet të depozitohet në aq kopje sa është numri i palëve në proces, si dhe shoqërohet me kopjen e vendimit të KQZ-së dhe, sipas rastit, me kërkesën për përjashtimin e gjyqtarit. “Palët në procesin e shqyrtimit gjyqësor të kërkesëpadisë kanë të gjitha të drejtat procedurale që parashikohen në Kodin e Procedurës Civile, përveç rastit kur parashikohet ndryshe në këtë Kod. Provat e administruara nga KQZ-ja gjatë shqyrtimit administrativ sillen prej saj në gjykim, pavarësisht nga kërkesat e palëve për to.
Mungesa e njërës palë gjatë procesit nuk përbën pengesë për vazhdimin e gjykimit nga ana e Kolegjit Zgjedhor, përveç rastit kur Kolegji vendos ndryshe”, - thuhet në Kodin e ri Zgjedhor.
Vendimet
Në varësi nga çështjet në shqyrtim, Kolegji Zgjedhor vendos për pushimin e gjykimit, për gjykimin e çështjes në themel ose detyrimin e KQZ-së për të marrë vendim. Pushimi i gjykimit vendoset kur Kolegji Zgjedhor konstaton se ankimi është paraqitur jashtë afateve të përcaktuara në këtë Kod ose për mungesë kompetence. Kur Kolegji Zgjedhor vendos mungesën e kompetencës, ia dërgon çështjen organit kompetent. Me gjykimin e çështjes në themel, Kolegji Zgjedhor vendos pranimin e plotë apo të pjesshëm të padisë ose rrëzimin e plotë apo të pjesshëm të saj. Kolegji Zgjedhor vendos detyrimin e KQZ-së për të marrë vendim, në zbatim të pikës 2 të Nenit 145 të këtij Kodi. Në këtë rast, Kolegji Zgjedhor cakton afat të prerë për marrjen e vendimit jo më të gjatë se 10 ditë. Vendimi i Kolegjit Zgjedhor është i formës së prerë. Ndaj tij nuk bëhet ankim. Kolegji Zgjedhor është i detyruar të zbardhë vendimin jo më vonë se tri ditë nga data e dhënies së tij.
21 Janar 2009