Patozi: “Mbështesim PS-në për ngritjen e një komisioni për zbatimin e Kodit”
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, ka mbështetur dje propozimin e bërë nga Partia Socialiste për ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar që do të merret me mbikëqyrjen e zbatimit të Kodit Zgjedhor në prag të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Vetëm një ditë pas depozitimit në Kuvend të kërkesës së PS-së, kryetari i deputetëve demokratë është shprehur i hapur për këtë propozim. “PD-ja është pro ngritjes së komisionit Ad Hoc. Zgjedhjet e lira janë prioriteti ynë absolut dhe ne e konsiderojmë kërkesën e opozitës për të pasur më shumë akses në monitorimin e infrastrukturës zgjedhore si legjitime dhe si kërkesë të arsyeshme”, - është shprehur kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së. Patozi gjithashtu shtoi se komisioni duhet të drejtohet nga dy bashkëkryetarë, një nga pozita dhe një nga opozita. “Ne propozojmë që komisioni Ad Hoc të drejtohet nga dy bashkëkryetarë, një nga opozita dhe një nga pozita”, - propozoi Patozi. Kryetari i PS-së vetëm dy ditë më parë bëri publike kërkesën për ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar. Ai theksoi se ky komision duhet të ketë të drejtën për mbikëqyrjen e procesit zgjedhor, veçanërisht për probleme që lidhen me listat zgjedhore dhe dublimet e emrave që gjenden në lista. Ndërsa gjatë seancës parlamentare të së hënës, deputeti i PS-së Islami ndërsa parashtroi këtë kërkesë renditi disa argumente, ku veçoi vonesat në hartimin e regjistrit elektronik të gjendjes civile, procesin e parregullt dhe jotransparent të pajisjes së qytetarëve me karta identiteti dhe mungesën e një kalendari veprimi nga ana e qeverisë për personat që nuk do të arrijnë të pajisen me kartë identiteti dhe që nuk kanë as pasaportë. Pra, ai ngriti si shqetësim se si do të veprohet me këta zgjedhës ditën e zgjedhjeve, pasi në Kodin e ri Zgjedhor është sanksionuar se mund të votohet ose me kartë identiteti, ose me pasaportë. Pritet që në ditët në vazhdim të mblidhet konferenca e kryetarëve, e cila të miratojë komisionin parlamentar për kontrollin e zbatimit të Kodit Zgjedhor.
21 Janar 2009