Zgjedhjet dhe kriza, PE diskuton për Shqipërinë më 25 maj
Deputetët e Parlamentit Europian u informuan gjithashtu edhe për vonesat në procedurat e numërimit të votave
Komiteti për çështjet e jashtme në Parlamentin Europian do të diskutojë për zhvillimet politike në Shqipëri dhe zgjedhjet administrative të 8 Majit. Në axhendën zyrtare është njoftuar se do të mbahet një takim më 25 maj, ku do të paraqitet raporti i delegacionit të europarlamentarëve të kryesuar nga Eduard Kukan, që vizituan vendin në datat 6-9 maj 2011. Deputetët vunë re se në qendrat e votimit që ata vizituan, procesi ishte në përgjithësi i rregullt dhe i administruar në mënyrë paqësore. Delegacioni vuri re praninë e vëzhguesve të partive politike në shumicën e qendrave të votimit dhe mirëpriti praninë e vëzhguesve nga shoqëria civile në disa prej këtyre qendrave. Delegacioni vuri re votime familjare, vonesa në hapjen e qendrave të votimit dhe konfuzion në kohën e mbylljes së një sërë qendrash votimi. Radhë shumë të gjata të votuesve u vunë re në shumë prej qendrave të votimit që u vizituan nga Delegacioni. Për më tepër, fakti që numërimi është centralizuar, është vënë në diskutim nga disa prej zonave që u vizituan nga delegacioni. Deputetët e Parlamentit Europian u informuan gjithashtu edhe për vonesat në procedurat e numërimit. Kryetari i delegacionit për Ballkanin në Parlamentin Europian, Eduard Kukan, vetëm pak ditë më parë shprehu zhgënjim për situatën politike pas zgjedhore në Shqipëri. Në një prononcim për mediat, ai deklaroi se situata e tanishme është për fat të keq mjaft e pakëndshme. “Që prej zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009, vendi po përballet me një krizë politike. Kjo është edhe arsyeja se pse Shqipëria nuk e mori statusin e vendit kandidat në progres-raportin e vitit të kaluar, siç u bë për Malin e Zi. Unë mundem të shpreh vetëm keqardhjen time për një situatë të tillë”, u shpreh Kukan. Në vlerësimin e tij, populli shqiptar meriton shumë më tepër se kaq. “Unë ndoshta flas me kaq pasion, pasi kam qenë shumë i përfshirë në zhvillimet politike në Shqipëri dhe i kam ndjekur ato shumë. Këto zgjedhje ishin një rast shumë i mirë për Shqipërinë dhe politikanët e saj, për të treguar se janë një vend i pjekur. Kur shikon policinë duke u përleshur me protestuesit, ndihem mjaft keq dhe jam i zhgënjyer”, theksoi Kukan. I njëjti debat pritet të rikthehet në diskutimet mes europarlamentarëve në takimin e së mërkurës. Zgjedhjet administrative të 8 Majit ishin konsideruar si një test kyç për ecurinë e Shqipërisë drejt proceseve integruese europiane. Vëmendja e zyrtarëve të Brukselit do të përqendrohet edhe te raporti vjetor i progresit që Komisioni do të publikojë në tetor të këtij viti. D.M.