E Shtunë, 31 Tetor 2026

Votat e vitit 2009, si ndryshuan ekuilibrat në 11 minibashki

Ndryshimi i ekuilibrave politike në kryeqytet midis mazhorancës dhe opozitës ka nisur të konkretizohet që në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009. Projektimi i votave të hedhura në secilën prej 11 njësive lokale në Tiranë, në zgjedhjet parlamentare krijonte tendencën e rezultatit të mundshëm në zgjedhjet administrative të vitit 2011. Konkretisht në njësinë bashkiake numër 1 rezultonte se koalicioni i majtë të kishte 9 300 vota, ndërsa koalicionet e PD-së dhe LSI-së merrnin 8 834 vota së bashku. Në këtë njësi është ruajtur thuajse i njëjti avantazh, ndërsa Rama pati 429 vota më shumë sesa Basha. Në minibashkinë numër 2 rezulton se më 2009 ishin hedhur 15 394 vota për koalicionin e drejtuar nga PS-ja, ndërsa koalicionet e PD-së dhe LSI-së morën 15 453 vota. Avantazhi prej 59 votash i socialistëve më 8 Maj u shndërrua në një avantazh të thelluar nga demokratët me 263 vota më shumë. Në minibashkinë numër 3 socialistët patën marrë 8 713 vota si koalicion, ndërsa dy aleancat e PD-së dhe LSI-së morën së bashku 7 819 vota. Diferenca në avantazh të socialistëve me 894 vota u shkurtua me një përparësi të Ramës me 476 vota përballë Bashës në të njëjtën minibashki. Në njësinë bashkiake numër 4 rezultoi se në zgjedhjet parlamentare koalicioni socialist grumbulloi 11 150 vota përballë 11 445 votave të PD-së dhe LSI-së. Të djathtët kishin një avantazh prej 295 votash, ndërsa më 8 Maj u përkthye në 140 vota përparësi nga kandidati Basha përballë Ramës. Në minibashkinë 5 socialistët morën 18 885 vota, ndërsa LSI-ja dhe PD-ja si koalicione së bashku shkruan në 14 306 vota. Socialistët ishin në avantazh 4 579 vota në këtë njësi, por më 8 Maj avantazhi i Ramës kundrejt Bashës arriti në 4 665 vota. Në minibashkinë 6 në Tiranë koalicioni socialist mori 10 878 vota kundrejt koalicioneve të PD-së dhe LSI-së, që së bashku shkuan në 11 651 vota. 773 votat në avantazh të demokratëve dhe LSI-së u përkthyen më 8 Maj në një revansh të socialistëve, që dolën me 618 vota përparësi të Ramës përballë rivalit të tij. Në njësinë 7 koalicioni i PS-së mori 13 187 vota, ndërsa PD-LSI morën 12 916. Avantazhi i socialistëve me 271 vota u rrit më 8 Maj, ku socialistët arritën në 463 vota më shumë. Në minibashkinë 8 koalicioni i PS-së kishte 6 992 vota, ndërsa koalicionet e PD-së dhe LSI-së morën 8 936 vota. Demokratët në zgjedhjet e fundit lokale thelluan avantazhin nga 1 944 në 2 388 vota kundrejt koalicionit të socialistëve. Në minibashkinë 9 socialistët kishin marrë më 28 qershor 2009 afër 11 301 vota përballë 11 971 votave të koalicionit të PD-së dhe atij të LSI-së. Avantazhi i demokratëve dhe LSI-së ishte 670 vota, ndërsa arriti në 644 vota në zgjedhjet e Majit. Në njësinë numër 10 socialistët në zgjedhjet parlamentare kishin marrë 5 610 vota, ndërsa PD-ja dhe LSI-ja 5 779. 169 votat në avantazh të koalicioneve të PD-së dhe LSI-së u shndërruan më 8 Maj në 524 vota në avantazh të të njëjtit grupim politik. Në minibashkinë numër 11 koalicioni i PS-së kishte marrë 10 133 vota, ndërsa koalicionet e PD-së dhe LSI-së morën 12 186 vota. Më 8 Maj demokratët dhe aleatët e tyre të LSI-së thelluan avantazhin nga 2 053 në 2 682 vota kundrejt socialistëve. D.Malaj

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›