Zgjedhjet, dushk e gogla
Ashtu siç ishte parathënë në vlerësimet paraprake, zyra e OSBE/ODIHR-it i dha notë pakaluese sërish Shqipërisë për zhvillimin e zgjedhjeve të denja për një vend anëtar të NATO-s dhe që ka dorëzuar në prill 2009 aplikimin për t'u anëtarësuar në bllokun e BE-së.
Zgjedhjet e 28 qershorit 2009, për faj të qeverisë shqiptare, - përgjegjësja kryesore për menaxhimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve, - nuk arritën të kalonin atë vijë të kuqe që ka penalizuar vendin më të varfër të Europës prej shumë vitesh.
Raporti përfundimtar i dalë dje forcoi edhe më tej vlerësimin e përgjithshëm të OSBE-së dhe të zyrës së ODIHR-it se, "Ndonëse u përmbushën pjesa më e madhe e kërkesave të OSBE-së, zgjedhjet nuk e përmbushën të gjithë potencialin e Shqipërisë për të aderuar në standardet më të larta të zgjedhjeve demokratike" dhe se integriteti i procesit zgjedhor u dëmtuar rëndë nga angazhimi i qeverisë për të respektuar dhe kryer detyrimet elektorale.
Është një histori që rishkruhet përafërsisht njëlloj prej rreth shumë vitesh, që kur sistemi pluripartiak zëvendësoi atë monopartiak, kur partia e vetme fitonte pa rivalë.
Qeveria e dekretuar dje është një kompromis pazaresh për të formuar një kabinet qeveritar, që përmbledh arkitektët politikë të zgjedhjeve të vjedhura të tetë viteve të fundit që kanë menaxhuar kartonët në Kuvend për të mbajtur në këmbë kabinete qeveritare, që nuk reflektojnë vullnetin e votuesve shqiptarë.
Do të jetë një qeveri që do të drejtohet nga Sali Berisha, Fatos Nano dhe Ilir Meta, të cilët po të kthejnë kokën, në kohën kur ishin kryetarë qeverish, pas do të shohin se kanë bërë zgjedhje aspak të denja për një vend europian.
Sepse ata kanë shkruar në to historinë e lindjes së skemës së Dushkut të shpikur nga socialistët më qershor 2001 për të rrëmbyer mandatin e dytë, skemën e "Dushkut të madh" të përdorur mjeshtërisht nga PD-ja në korrik 2005 dhe së fundi, "goglat" e votave të elektoratit të majtë rreshtuara krah atyre të PD-së për të rrëmbyer edhe një mandat tjetër nga Kryeministri Sali Berisha.
Shprehja "dushk e gogla", ishte një eufemizëm i përdorur në leksikun politik të pas vitit 2001, por që tregon më së miri se këtu nuk ka fituar ai që ka votën e sovranit, por ai që është i aftë të bëjë kompromiset më të paimagjinuara, pas një procesi votimi dhe numërimi që penalizon të sotmen dhe të ardhmen europiane të vendit.
Nëse raporti i OSBE/ODIHR-it 2009 vlerëson sjelljen demokratike të votuesve shqiptarë, kjo nuk mund të thuhet për qeverinë dhe partinë në pushtet, sjelljet antidemokratike të të cilave errësuan procesin zgjedhor, duke shënuar një maskaradë zgjedhore gjatë procesit të numërimit dhe nxjerrjes së rezultateve, apo më keq, duke hedhur gjithë pushtetin qendror në fushatë dhe duke bllokuar procesin e numërimit në shumë zona.
Vlerësimi i OSBE/ODIHR-it më 14 shtator 2009 është shumë i ngjashëm me atë të 11 tetorit 2001 për zgjedhjet parlamentare që nisën më 24 qershor 2001 dhe mbaruan në 19 gusht të atij viti.
Ato zgjedhje si dhe pasueset për pushtetin vendor në 2003-shin, ishin të tejzgjatura dhe të diskutueshme, me zgjedhje të përsëritura në një numër zonash për shkak të parregullsive.
Në vitin 2001, PS-ja e udhëhequr nga Nano, fitoi shumicën e vendeve (73 mandate), por ajo krijoi një qeveri koalicioni dhe bleu 13 deputetë te katër parti të tjera dhe dy deputetëve "të pavarur".
Koalicioni i drejtuar nga PD-ja e Berishës fitoi 52 vende dhe i konsideroi zgjedhjet të karakterizuara nga mashtrimi, duke bojkotuar Kuvendin për shumë muaj, ndërsa sot sulmon PS-në pse ka nisur bojkotin pas vjedhjes së votave të elektoratit të majtë.
Nën qeverinë e drejtuar nga Kryeministri Meta dhe kryetari i PS-së Nano u dirigjua një proces zgjedhor i tejzgjatur, konfliktual, i pasigurt dhe i fragmentuar.
U deshën pesë raunde votimesh nga 24 qershori deri më 19 gusht për të përfunduar procesin, ku skandalet më të mëdha ishin mbushjet e kutive të votimitdhe të përdorimit të fletëve të votimit të parashenjuara, veprimi antiligjor i PS-së me zonën 60, duke sjellë triumfin e skemës së Dushkut, ku një fshat mjeran "pillte" 10 deputetë, deri te presioni mbi Gjykatën Kushtetuese, për të vendosur në emër të partisë në pushtet.
Ashtu si në rastin e PD-së 2009, PS-ja 2001 mori një fitore të dyshimtë. Zgjedhjet e 3 korrikut 2005 u përputhën vetëm pjesërisht me angazhimet e OSBE-së dhe standarde të tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike, ndonëse "shënuan disa përparime". Sërish procesi ishte i tejzgjatur dhe i pasigurt.
Listat e zgjedhësve mbetën një çështje e debatueshme, zhvillimi i procesit të votimit shfaqi vetëm përparim të kufizuar, numërimi i votave pati shpesh debate dhe mbyllja e procesit zgjati shumë më tepër nga sa ishte parashikuar në ligj. Gjatë numërimit, vëzhguesit raportuan një numër parregullsish serioze në disa zona, përfshirë raste kur votat nuk u numëruan në mënyrë të ndershme.
E njëjta panoramë e dhënë nga OSBE/ODIHR-i edhe për zgjedhjet e 28 qershorit 2009: Numërimi u krye keq ose shumë keq në 22 vende numërim të votave, pra në një të tretën e vendeve të numërimit të votave, ai u zvarrit dhe u karakterizua nga nivele të larta mosbesimi mes partive, me vonesa dhe tensione të nxitura nga qeveria, në ato zona ku rezultatet ishin të përafërta.
Ndërhyrjet e vëzhguesve të partive dhe kandidatëve në procesin e numërimit krijuan shpesh shpërqendrim nga procesi, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për herë të parë pas shumë vitesh nuk ndërhyri, duke i lënë terren deformimit të votës. Edhe sistemi i ri elektronik i monitorimit, mburrja e qeverisë për transparencë dështoi me sukses.
Në 2001-shin, Brus George, do të drejtonte ekipin e vëzhguesve afatshkurtër të OSBE-së. Në 2009-ën ai do të vinte në emër të NATO-s, dhe vetëm një ditë pas mbylljes së qendrave të votimit do të sulmonte ashpër standardin e ulët të zgjedhjeve, si të padenja për një anëtar të aleancës veriatlantike. Por, qeveria e Shqipërisë nuk dëshiron të dëgjojë nga ai vesh.
Sot raporti i OSBE/ODIHR-it do të përkthehet si "sukses i papar1ë historik" nga qeveria e Sali Berishës. Ajo nuk i pengoi vëzhguesit, thjesht i injoroi ata. Siç injoroi shefen e zyrës së ODIHR-it, duke mos ia njohur mandatin në Shqipëri, britanikes Audrey Glover, e cila në 1996-ën demaskonte maskaradën e zgjedhjeve të vjedhura me kallashë më 26 maj.
Kësaj radhe Kryeministri mund të krenohet para gjithë botës se kallashë nuk pati, as krisma. Thjesht pa zhurmë bëri një 26 maj tjetër, duke bërë bashkë "dushk e gogla", për të rrëmbyer një mandat tjetër të pamerituar.