Zgjedhjet e 12 dhjetorit, Patozi: PD nuk shpik rivalë kukull
PD-ja nuk njeh praktikën e shpikjes së rivalëve kukull për postin e kryetarit të ri të partisë më 12 dhjetor, siç bëri kryesocialisti Edi Rama. Sipas nënkryetarit demokrat Astrit Patozi, më mirë pa rival sesa sajimin i rivalëve të tipi “lakrori”. Nisur nga kjo, në kongresin 12 dhjetor, duket se demokratët do të kenë vetëm një alternativë për liderin e tyre dhe ky natyrisht që e ka emrin Sali Berisha. Por për z. Patozi mungesa e një rivali, nuk do të thotë një anomali e demokracisë. “Do të ishte më mirë që të mos ketë rivalitet sesa te shpikim rival kukull ashtu siç ndodhi në PS. Partia Demokratike nuk ka nevojë të shpikë një lakror për zgjedhjet e brendshme të saj. Zoti Berisha ka meritën kryesore për zgjedhjet e 28 qershorit”, - u shpreh Patozi. Në kuvendin e ardhshëm pritet jo vetëm rikonfirmim i Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike, por edhe i lidershipit të saj aktual, edhe pse këta do të përcaktohen pak më vonë nga Këshilli i ri Kombëtar, që do të dalë nga votimet e 12 dhjetorit. Nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi, bëri dje të ditur se mbështet këtë përkufizim me arsyetimin se ishte ky lidership që çoi demokratët në rikonfirmimin e mandatit të dytë qeverisës. “Në 12 dhjetor shkojmë drejt një procesi finalizues të zgjedhjeve të brendshme në PD, pas një fitoreje elektorale në 28 qershor. Dhe në njëfarë mënyre, unë pres që ky kongres të njohë rezultatin dhe të vlerësojë fitoren e PD-së në këto zgjedhje”, - u shpreh Patozi. Në kuvendin kombëtar, demokratët do të miratojnë edhe disa ndryshime ne statut. Por, për ata që presin ndryshime të thella, kjo nuk është koha e duhur. Ndryshimet në statut kanë të bëjnë me përshtatjen e funksionimit të PD-së sipas sistemit të ri elektoral dhe asgjë më shumë. Besohet se në statut nuk do të përcaktohet ndarja e funksioneve mes atyre që drejtojnë qeverinë dhe atyre që drejtojnë partinë. Për Astrit Patozin, i cili vetë nuk mban post qeveritar, ky parim ndoshta duhet të funksionojë për sekretariatin, por jo për lidershipin e lartë të partisë, kryetarin, sekretarin e përgjithshëm dhe 2 nënkryetarët.
“Parimi politik është që lidershipi i partisë vendos për qeverinë dhe jo e kundërta. Për shkak se një parti kur vjen në pushtet, drejtuesit e saj zënë vend në qeveri dhe jo e anasjella”, - theksoi nënkryetari i PD-së, z. Astrit Patozi.