Zgjedhjet e 15 Nëntorit, Solis: PBDNJ-ja do të marrë pjesë
TIRANË- Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut mendon të mos bojkotojë zgjedhjet e 15 Nëntorit. Kundër bojkotit është shprehur sot sekretari i Përgjithshëm i partisë, Leonard Solis gjatë një konference për shtyp. "Megjithëse jemi parti opozitare dhe marrim pjesë në protestat përkrah Partisë Socialiste për zbardhjen e zgjedhjeve të 28 qershorit, PBDNJ do të bëhet pjesë e garës zgjedhore në 5 njësi të qeverisjes vendore më 15 nëntor", tha Solis.
Sipas tij, Kryesia e PBDNJ-së është duke bërë përzgjedhjen e kandidatëve, të cilët do t'i paraqiten KQZ-së për zgjedhjet e pjesshme vendore.
Dy ditë më parë, Kryesia e PS-së vendosi të bojkotojë zgjedhjet e 15 nëntorit në 5 njësi vendore, duke ripërsëritur kërkesën për hetimin e procesit zgjedhor të 28 qershorit si kusht për të hyrë në Parlament, por edhe për të marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme lokale.
Deputeti i vetëm i PBDNJ-së, Vangjel Dule që fitoi në zgjedhjet e 28 qershorit, megjithëse aleat me PS-në, ka marrë pjesë në të gjitha seancat e Kuvendit.