E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet e 28 qershori caktojnë fatin e heqjes së vizave, vendimi jepet në korrik

Ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë të BE-së njihen me raportin. Zhak Barrot deklaron se do të përfitojnë vetëm vendet që realizuan standardet

Zgjedhjet do të përcaktojnë nëse shqiptarët do të përfitojnë liberalizim vizash. Një fakt i tillë është pohuar dje, pas mbledhjes së ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë të Bashkimit Europian, të zhvilluar në Luksemburg. Ata janë informuar ditën e enjte rreth raportit vlerësues të Komisionit Europian për reformat që kanë realizuar vendet e Ballkanit Perëndimor në kuadër të angazhimeve të udhërrëfyesit për vizat. Ashtu siç pritej, dje nuk është dhënë ndonjë sinjal për heqjen e vizave për ndonjë vend në rajon, por burime nga mediat e huaja bëjnë të ditur se një vendim i tillë nuk do të merret as në takimin e ministrave të Jashtëm që do të mbahet në mesin e këtij muaji. Edhe zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Zhak Barrot, nuk ka dalë me propozime konkrete. Vetëm në muajin korrik qeveritë e rajonit, përfshirë edhe Tiranën zyrtare, do të njihen me propozimin e Komisionit Europian. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se përveç raportit, pritet të merren në konsideratë edhe të dhënat për procesin zgjedhor të 28 qershorit.
Takimi
Komisioni Europian ka informuar shkurtimisht vendet anëtare të Bashkimit Europian për situatën nëse duhet të hiqen vizat me vendet e Ballkanit Perëndimor. Një burim zyrtar në Presidencën çeke të BE-së është shprehur mbrëmë se ndonëse është paraqitur raporti vlerësues për të gjitha vendet, ministrat e Drejtësisë dhe të Brendshëm nuk do të debatojnë përgjatë dy ditëve. Sipas tyre, dje në Luksemburg janë shkëmbyer vetëm ide se kur mund të bëhet një gjë e tillë. Ministrat i BE-së i kanë kërkuar zotit Barrot që të japë shpjegime për situatën.
Zëdhënësja e komisionerit për Çështjet e Brendshme dhe të Drejtësisë, Mishel Cercone, tha se raporti i Komisionit Europian është shpërndarë që më 18 maj, por vetë ministrat e 27 vendeve anëtare kanë kërkuar kohë që ta studiojnë me imtësi. Disa grupe pune, duke përfshirë edhe ambasadorët, do të studiojnë raportin 100 faqesh dhe do të këshillojnë ministrat e Brendshëm në mënyrë që të arrihet një vendim.
Propozimi
Shumë shpejt, pas paraqitjes së raportit te shtetet anëtare të BE-së, Barrot tha se do të propozojë heqjen e vizave “sa më shpejt të jetë e mundur për shtetasit e atyre vendeve të Ballkanit Perëndimor që kanë realizuar kushtet e përcaktuara në programin e masave të udhërrëfyesit të vizave”.
Pritej që në takimin e ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, që pritet të mbahet në mesin e muajit qershor, të mbahej një deklaratë e përgjithshme për skemën e liberalizimit të vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor. Por duket se ky hap mund të shtyhet deri në korrik.
Propozimi që do të bëjë Komisioni Europian do t’u dërgohet edhe qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor, bashkë me vendimin përfundimtar që pritet të merret në vjeshtë. Ndoshta kjo do të bëhet në muajin korrik. Kjo periudhë përkon edhe me përfundimin e procesit zgjedhor në Shqipëri dhe vlerësimin paraprak nga OSBE/ODIHR-i, i cili shërben si instrument matës në realizimin e standardeve edhe nga Bashkimi Europian.

5 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›