E Diel, 1 Nëntor 2026

Asnjë masë për ndotjen, Xhuveli mendjen te fushata

05/06/2009  Vlorë, po zgjerohet vija bregdetare e ndotur me solar. Deri dje askush nuk ka ndërhyrë

VLORE- Reagimet në lidhje me ndotjen e dy ditëve më parë në zonën e pyllit të Sodës kanë qenë të pakta nga të gjithë instancat shtetërore. Vetë agjencia e mjedisit nuk ka marrë asnjë masë për të nxjerrë nivelin e ndotjes apo për pastrimin e saj. Aktualisht e gjithë zona vazhdon të jetë e mbuluar me naftë, ndërsa vija bregdetare e ndotur po vijon që të zgjatet. Përgjatë detit nuk mungojnë dhe gjallesa detare të ngordhura në pjesë të ndryshme si dhe e gjithë zona mban era solar. Ndërsa gjendja është më se alarmante në këtë zonë duket se ministri i Mjedisit, Lefter Xhuveli, është më shumë se i angazhuar me fushatën për zgjedhje. Ndërkohë që nuk ka asnjë informacion për ngritjen e ndonjë grupi të posaçëm për ta hequr nga bregu i detit solarin, i cili sipas ekspertëve ka nevojë vetëm për disa mjete dhe punëtorë për heqjen e rërës së ndotur në sipërfaqe dhe në anë ë detit. Kreu i agjencisë së mjedisit në Vlorë, Niko Dumani, është shprehur se ndotja nuk është në nivele të larta, deklaratë kjo edhe pse nuk paraqiti asnjë të dhënë nëpërmjet ekzaminimeve shkencore. Ai ka shtuar se sasia e lëndës së shkarkuar nuk është në nivele alarmante për gjallesat detare përveç disa gjallesave që janë në breg të detit, por gjithsesi situata nuk mund të paraqitet në një situatë problematike. Nënkryetari i Bashkisë së Vlorës, Halim Dervishi, është shprehur se e parë me sy të lirë, situata duket mjaft problematike, por janë ekspertët ata që duhet të bëjnë ekzaminime apo ndërhyrje. Sipas Dervishajt, nga ana e qeverisë nuk është vendosur asnjë lloj kontakti me bashkinë për mbërritjen e ndonjë eksperti të posaçëm apo mjeteve që mund të duhen për të bërë të mundur eliminimin e kësaj ndotjeje. Ai shton se bashkia e ka të pamundur të zgjidhë këtë problem për shkak të mungesës së kushteve teknike. Zëdhënësi i policisë së Vlorës, Saimir Koçiu, është shprehur se është bërë arrestimi i 3 personave dhe një i katërt është shpallur në kërkim. Sipas tij të arrestuarit të cilët janë përfolur që ditën e parë që është konstatuar ndotja janë: 27-vjeçari Genis Mehilli, Loremir Geci 24 vjeç dhe Nikollaq Gjini 51 vjeç, si dhe janë sekuestruar 4 automjete që shkaktuar ndotjen së bashku me rimorkion e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›