E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fyen diplomatët bullgarë, roja e rreh me grushte

Një incident është shënuar tek ambasada bullgare
para dy ditësh në Tiranë, ku një grua ka bllokuar
hyrjen dhe fyer stafin, ndërsa roja i sigurisë e ka
goditur me grushte. Policia, e njoftuar nga stafi diplomatik,
ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, duke bërë
shoqërimin e dy protagonistëve të ngjarjes, ndërkohë që
ka dokumentuar këtë incident. Burimet nga Drejtoria e
Policisë së Tiranës bënë të ditur se paraditen e së
mërkurës, rreth orës 11:30, një grua 40-vjeçare është paraqitur
me pretendimin për të marrë një vizë. Ajo ka kërkuar
shpjegime te punonjësit për refuzimin e aplikimit, duke i
fyer ata. Ndërkohë, ndaj saj ka ndërhyrë roja e sigurisë, i
cili ka tentuar ta largojë nga ambientet e selisë diplomatike.
Gruaja nuk ka pranuar të largohet, duke u bërë edhe
më e ashpër në fjalorin e saj. Pas kësaj situate, roja i sigurisë,
i cili është shtetas bullgar, dyshohet se e ka goditur
gruan shqiptare me shpulla dhe grushte. Në ato çaste kanë
mbërritur shërbimet e policisë nga Komisariati nr. 3, të cilët
janë vënë në dijeni për ngjarjen pas një telefonate. Sipas
të dhënave hetimore, në polici janë shoqëruar Luljeta Shahini
dhe Dimitar Terpanov, përkatësisht 40 dhe 33 vjeç.
Aty janë marrë në pyetje nga oficeri i policisë gjyqësore
dhe të dy kanë deklaruar me shkrim variantet e tyre të incidentit.
Gruaja ka pretenduar dhe akuzuar rojën bullgar
se e kishte goditur me grushte, ndërsa ai dhe ambasada e
kanë denoncuar atë për fyerje dhe për pengim të punës
në ambasadë. Uniformat blu shpjeguan se pas marrjes së
deklarimeve përkatëse, të dy personat janë lënë të lirë,
ndërsa dosjet respektive i janë dërguar Prokurorisë së Tiranës
për veprime të mëtejshme. Policia tha se po e heton
këtë ngjarje edhe në një pistë tjetër, por nuk ka pranuar
të japë shumë të dhëna, pasi dyshohet se konflikti
mes dy personave ka ardhur për një tjetër motiv.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›