E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet e brendshme në LSI, kandidaturat ne Tirane

15/06/2010 Nis procesi i administrimit të kandidaturave

Lëvizja Socialiste për Integrim ka nisur konkretisht zgjedhjet e brendshme për strukturat partiake në Tiranë. Pas vendimit të fundit të kryesisë së përgjithshme të LSI-së për nisjen e ristrukturimit, Edmond Panariti, i ka paraqitur dje një kërkesë Sekretarit të Përgjithshëm Luan Rama, për kandidimin për kryetar të LSI-së për Tiranën. Panariti argumentoi ndërmarrjen e kësaj lëvizjeje politike, duke thënë se ai është një ndër themeluesit e LSI-së, si dhe një njohës i mirë dhe kontribuues sistematik në strukturat partiake të kryeqytetit. “Veçanërisht përvoja ime rreth gjashtë vjeçare e komunikimeve të vazhdueshme me anëtarësinë dhe zgjedhësit në Tiranë kanë krijuar tashmë te mua modelin e një politik-bërje dinamike dhe konkrete”, - tha Panariti. Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes theksoi se me administrimin e kandidaturës së Panaritit, hapet faza e parë për zgjedhje, për kryetarin e LSI-së së Tiranës. Rama tha se do të ketë dhe të tjera kandidatura. Afati i shpalljes së kandidaturave është 20 qershori, ndërkohë që më 26 shtator do të mbyllet me zgjedhjen e drejtuesve të rinj sipas parimit “një anëtarë, një votë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›