E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektvendim në qeveri për kërkesat e tyre

05/03/2009  Greva e invalidëve

Grevistët paraplegjikë dhe tetraplegjikë janë të vendosur për të vijuar grevën e urisë, në rast se nuk do të merret parasysh plotësimi i kërkesave të tyre për rritjen e pagesave të kërkuara si dhe shtimin e sasisë së naftës. Sot shënohet dita e katërt e grevës dhe janë evidentuar shqetësimet e para shëndetësore. Përkundrejt kësaj situate, gjatë ditës së djeshme ka ardhur dhe reagimi i Ministrisë së Punës, ku është pohuar se një pjesë e këtyre kërkesave mund të plotësohen. Për këto të fundit janë paraqitur në qeveri ndryshimet e kërkuara për rritjen e pagesës së kërkuar nga këta persona. Sipas kreut të këtij institucioni, në përkrahje të kësaj shtrese është dërguar në qeveri një projektvendim, i cili parashikon plotësimin e kërkesave ekonomike të paraqitura nga kjo shtresë. Ky projektvendim pritet të merret në shqyrtim në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Ministrave. “Para disa ditësh ne na erdhi akti i ekspertimit të ekspertëve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe në bazë të tij ne kemi paraqitur në qeveri një vendim. Kjo ishte para fillimit të grevës. Sigurisht që ka një dritë jeshile për këta persona dhe ne shpresojmë se do të realizohet. Sa do të jetë masa, është sipas nevojave dhe sigurisht dihet se për çdo person, aq me tepër për ata, që sa më shumë të kenë aq më mirë është, po prapë do kenë një masë sipas mundësive që ka Ministria e Financave dhe buxheti. Unë shpresoj se brenda kësaj jave do të kemi një përgjigje për kërkesat e tyre”, - ka pohuar ministri Duro.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›