E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet e parakohshme do t’i kushtonin miliona euro Maqedonisë

Shkup, 4 gusht - Nëse u bëhet një analizë më e thellë zhvillimeve të fundit politike në Maqedoni, do të shohim se Qeveria aktuale e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, dhe kreu i saj, Nikolla Gruevski janë duke u përgatitur intensivisht për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Përpos faktit që një hap i tillë do ta dëmtonte imazhin e vendit para institucioneve të ndryshme ndërkombëtare, ato do t’i kushtonin edhe financiarisht shumë Maqedonisë.
Një histori e tillë deri më tani ka treguar se çdo cikël i zgjedhjeve, vendit i kanë kushtuar rreth 5 milionë euro. Ekspertët dhe njohësit e mirë të këtyre çështjeve pohojnë se një aventurë e re e kryeministrit Nikola Gruevski dhe e VMRO-së, shtetit do t’i kushtonte qindra miliona euro.
“Këtu nuk duhet të shikohet kostoja financiare, e cila do të harxhohet për t’i paguar komisionarët dhe personat tjerë të cilët do të jenë pjesë e atyre zgjedhjeve, por këtu më brengosëse do të jetë sa mjete financiare do të harxhojë Gruevski dhe partia e tij për t’i blerë votuesit. Këto shifra nuk janë në tre, katër, apo 5 milionë euro, këtu kostoja e kësaj do të jetë qindra milionë euro”, ka thënë analisti Xhevdet Hajredini.
Sipas Hajredinit, Gruevski dhe partia e tij nuk do të kursejë as një denarë, të cilat janë të holla të këtij populli, vetëm e vetëm për ta fituar edhe një herë pushtetin, apo edhe shumicën absolute në Parlament. Ndërkohë, nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), pohojnë se nëse në këtë zgjedhje do të votojë edhe diaspora, siç parashihet në Kodin e ri zgjedhor, dhe i cili është miratuar nga Parlamenti, harxhimet, pra, do të jenë shumë më të mëdha se sa deri tani.
“Në ciklin e zgjedhjeve të vitit 2008, janë shpenzuar diku mbi 3 milionë euro, në ciklin zgjedhor të vitit 2009 janë harxhuar afër 5 milionë euro, për shkak se aty janë mbajtur edhe zgjedhjet presidenciale edhe komunale. Nëse në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të votonte edhe diaspora, siç parashihet në Kodin e ri zgjedhor, dhe i cili ka marrë edhe pëlqimin e Parlamentit, harxhimet me këtë rast do të jenë shumë më të mëdha sesa zgjedhjet e mbajtura deri më tani, apo do të jenë dyfish më të larta”, ka thënë Subhi Jakupi, zv/kryetar i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ). Ekspertët politikë të vendit po ashtu pohuan se kryeministri Gruevski, kësaj here do të luajë në shumë opsione, për ta ngritë vetëdijen e votuesve, se gjoja kjo Qeveri meriton edhe një mandat katërvjeçar. Mjetet me të cilat do të manipulon Gruevski në zgjedhjet eventuale të parakohshme, sipas ekspertëve do të jenë politizimi i administratës publike, e cila edhe ashtu ka arritur në pikën kritike, punësimin e aktivistëve të rinj të kësaj partie në administratën e shtetit, mobilizimi i personave të rinj me të holla për të kryer kampanjë në terren, premtimi për punësim në institucionet e vendit, dhe ofrimi i mjeteve të majme financiare për qytetarët të cilët do të mund të tërheqin votues.
Maqedonia njihet si vendi i vetëm në Evropë, ku formula e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme praktikohet më se shpeshti. Eksperti Xhevdet Hajredini, po ashtu thekson se kryeministri Gruevski, dhe politika e tij vazhdojnë ta mbajnë peng popullin shqiptar, për interesat e tij politike, ku është duke zbatuar një politikë antishqiptare.  

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›