Zgjedhjet e parakohshme skenar jo shume i besueshem
Një buxhet elektoral, i cili mbetet jorealist. Ish-ministri i Financave, deputeti socialist, Arben Malaj shtjellon në intervistën për “Shqip”, se situata e tanishme në vend pasqyron në mënyrë flagrante keqqeverisjen e Sali Berishës. Hedhja poshtë e kërkesës për rishikim të buxhetit është, sipas tij, e kushtëzuar nga hipokrizia e qeverisë lidhur me dëmet e përmbytjes në Veri të cilat ende nuk pranon t’i bëjë publike. Kjo e vërtetë e fshehur është deri diku edhe përligjja e saj kryesore e demagogjisë së Kryeministrit, i cili edhe në seancën e diskutimit të ligjit financiar kaloi në sulme dhe akuza diversioniste, të cilat gjithsesi hidhen poshtë nga shifrat.
Z. Malaj, si fillim diçka për buxhetin e ri, meqenëse ju së bashku me deputetin Harasani propozuat disa ndryshime, prej të cilave u morën parasysh disa. A është realist ky buxhet dhe në vështrimin tuaj, a po vepron qeveria praktikisht, duke marrë parasysh krizën ekonomike që nënvizohet nga opozita?
Buxheti i vitit 2011 është jorealist, ka tendenca të qarta keqpërdoruese elektorale dhe do të rrezikojë më shumë stabilitetin e financave publike. Propozimet tona ishin konkrete, profesionalisht të pakundërshtueshme, politikisht të favorshme për debatin politik të PS-se mbi këtë ligj kaq të rëndësishëm. U jemi mirënjohës kolegëve të grupit parlamentar për inkurajimin që na dhanë për këtë buxhet alternativ. Ne vlerësuam dhe argumentuam se buxheti i vitit 2011 duhet të ishte buxheti i konsolidimit fiskal. Ai duhet të qartësonte publikisht faktin që qeveria dhe Parlamenti i vendit duhet të marrin përgjegjësinë për të përllogaritur një rritje ekonomike sa më reale, që deficiti, borxhi publik dhe kostoja e tij duhet të ulen gradualisht duke filluar që me vitin 2011. Kjo ulje duhet të vijë jo nga mosrealizimi i investimeve publike, por nga politika të qarta të reduktimit të shpenzimeve joefektive dhe rritjes së të ardhurave për një periudhë 2-3 vjeçare.
A ka orientim elektoral në këtë ligj, meqenëse në përgjithësi në vitet zgjedhore opozita ka bërë vlerësime të kësaj natyre?
Po, ka dhe kjo duket qartë. Keqpërdorimi elektoral duket në copëzimin e investimeve publike, duke dëmtuar rëndë cilësinë e tyre dhe duke rritur abuzimin e taksave. Keqpërdorimi elektoral duket edhe në zvogëlimin e të ardhurave të drejtpërdrejta të buxhetit të bashkive dhe komunave, duke rritur varësinë e tyre nga fondet e qeverisë qendrore. Keqpërdorimi elektoral duket edhe tek mosmbështetja buxhetore e institucioneve kushtetuese, duke rritur varësinë e tyre buxhetore vetëm nga qeveria qendrore. Ne do të shikojmë se vitit 2011 do të jetë fotokopje e keqe e shpërdorimit të buxhetit të vitit 2009, kur ishin zgjedhjet parlamentare. Në 6 muajt e parë të vitit 2009 qeveria përdori rreth 170% të investimeve të planifikuara për atë periudhe dhe në 6- mujorin e dytë ngriu investimet publike, rriti borxhin e papaguar ndaj firmave private, përkeqësoi situatën e kredive të pakthyera të privateve ndaj sektorit bankar, duke fshehur kështu nivelin real të deficitit dhe borxhit.
Z. Malaj, a është e mundshme të realizohet kërkesa e PS-së për rishikim të buxhetit në funksion të përballimit të përmbytjeve në Shkodër? Këtu, ndoshta është me vend të kujtohet se fondet e parashikuara për t'u ridestinuar mendohet të tërhiqen nga investimet publike në infrastrukturë, një element ky që në pamje të parë përligj akuzën e Kryeministrit të përmbledhur në frazën: "Grupi antitunel".
Në këtë pyetje janë dy momente konkrete të keqqeverisjes së vendit. E para, Kryeministri ka frikë të bëjë të njohura kostot e rënda të përmbytjeve, që janë kostot më jetike për të dëmtuarit pa shtëpi, pa punë dhe në varfëri në rritje. Qeveria nuk bën prezent kostot për rikthimin e normalitetit në shkolla, qendra shëndetësore dhe infrastrukturën bazë. Ajo nuk bën prezent kostot afatmesme dhe afatgjata të reduktimit të cikleve, përmasave dhe periudhave nën përmbytje të disa mijëra familjeve të këtyre zonave. Rishikimi i buxhetit duhet filluar nga ai i vitit 2010 për kostot më jetike/urgjente, por njëkohësisht duhet të rishikohet edhe buxheti i vitit 2011. Ndërsa kostot për ndërhyrje në lumin Buna apo në digat e vendit, përmirësimi rrënjësor i sistemeve të kullimit dhe shkarkimeve, do të kërkojë rishikim edhe të buxheteve afatmesme, duke filluar me buxhetin e viteve 2012-2014. Deri tani duket se qeveria synon të fshehë kostot reale, kërkon të zvarrisë kompensimet reale, qeveria do të tentojë të mbulojë me koncerte festive situatën tragjike të përmbytjeve katastrofike në këto zona.
Lidhur me momentin e dytë, Kryeministri nuk është korrekt kur thotë se shkurtimet janë sa kostoja e ndërtimit të tunelit, sepse në buxhetin e vitit 2011, të miratuar në Parlament dhe të dekretuar nga Presidenti, tuneli është financuar vetëm 5% ose me një shifër simbolike shumë herë më të vogël se kostot konkrete të përmbytjeve në Shkodër, Lezhë, Fier dhe Vlorë. Shumë herë më të vogël se rialokimet që propozon opozita në rishikimin e buxhetit të vitit 2011. Demagogjia nuk mund ta fshehë dështimin, dhe as mungesën e përgjegjshmërisë së kësaj qeverie ndaj banoreve të përmbytur. Kërkesat e opozitës nuk janë kundër tunelit, por kundër faktit që për të përmbyturit po duket gjithnjë e më pak dritë në fund të tunelit të shpresës.
Së fundmi PS-ja ka rivlerësuar aksionin e vet politik duke kaluar në protesta qytetare. A mendoni se mund të jenë ato produktive dhe sa mund të vazhdojë marrëdhënia e kushtëzuar me Parlamentin, kur kauza e transparencës po konsumohet me afrimin e zgjedhjeve lokale?
Vlerësoj se kauza e transparencës nuk duhet te konsiderohet e konsumuar, sepse po afrohen zgjedhjet vendore. Transparenca bëhet më jetike nëse duhet që rezultati i zgjedhjeve vendore të mos rrezikohet nga e njëjta cilësi e dobët e kredibilitetit të tyre dhe të të zgjedhurve të dalë prej tyre. Aksioni politik i PS-së dhe vizioni i zgjidhjes së ngërçit politik nuk duhet të bazohen thjesht tek protestat; aq më pak nuk duhet të bazohen te protesta kur mesazhet politike dhe afatet konkrete të rrëzimit të qeverisë apo zgjedhjeve të parakohshme sa vijnë dhe bëhen më pak të besueshme dhe më pak optimiste. PS-ja dhe opozita dëmtohen jo pak nga kjo strategji, që ka mungesë koherence për objektivat e saj konkrete, që mbështetet në aksione politike të pa rakorduara dhe që shoqërohet nga mungesa e kohezionit edhe midis gjithë aleatëve potencialë.
Diçka për zhvillimet brenda PS-së. Po supozohet një "afrim" mes z. Blushi dhe z. Rama, në kuptim të shoshitjes së mosmarrëveshjeve. Mund të sjellë ky “zhvillim” ndryshime institucionale në PS dhe si e shihni ju këtë situatë në parti?
Zakonisht në gazetari theksohet se lajmi i mirë nuk përbën lajm. Nuk ka pse të konsiderohet lajm takimi midis politikanëve të forcave të ndryshme politike apo individë brenda tyre. Shqetësimi real është për të reduktuar dhe minimizuar faktorët që dëmtojnë kohezionin e një force politike, efikasitetin e saj, që dëmtojnë funksionimin në bazë të vlerave (jo në bazë të qejfmbetjeve individuale), që nuk maksimizojnë tërësinë e potencialeve që disponon një forcë politike, që ushqejnë promovime dhe aleanca mbi bazë preferencash individuale apo servilizmi individual. Një forcë politike nuk është thjesht një emër kryetari partie, por një faktor i rëndësishëm politik që dëmton apo përmirëson funksionimin demokratik të vendit, që rrit shpresën, besimin, rrit mundësitë reale për një jetë më të mirë të gjithë shqiptarëve. Një forcë politike nuk është një aleancë shokësh të një lagjeje apo të një datëlindjeje të caktuar, por një bashkim vullnetar njerëzish, që jo detyrimisht përputhen intelektualisht me njëri-tjetrin, por brenda një fleksibiliteti logjik bashkohen në arritjen e një objektivi qytetar dhe politik. Në rastin e vendit tonë, për shkak të risqeve të rritura të përkeqësimit të demokracisë, të rritjes së varfërisë, të cenimit, keqpërdorimit apo deri edhe nënshtrimin e institucioneve kushtetuese, ndalja e keqqeverisjes nuk është thjesht një detyrim, por një përgjegjësi.
Z. Manjani ka shpallur dje kalimin drejt LSI-së, njw lëvizje qw pason atw tw deputetit Tavo. A ka një analizë për atë që po ndodh në PS, për arsyet e largimeve dhe sipas jush, a përfaqësojnë ato diçka me rëndësi për perspektivën elektorale të 8 majit?
Natyrisht që çdo largim kolegësh sjell jo vetëm njerëzisht, një ndjenjë trishtimi. Jam shprehur kundër çdo gare, që për këdo që largohet nga PS-ja të gjenden etiketime nga më përçmueset, ashtu sikurse vlerësoj se rikthimi i çdo kolegu nuk duhet paragjykuar. Partitë politike janë bashkime vullnetare, si të tilla ato duhet të kenë fleksibilitet, duhet të pranojnë procesin natyror, ku disa largohen dhe të tjerë bashkohen, të njohin dhe respektojnë harmonizimin e brezave dhe individualiteteve. Të respektojnë analizat, edhe individuale, në votime të ndryshme në Parlament, siç ndodh natyrshëm në çdo vend demokratik. Në rast të kundërt, partitë politike gjithnjë e më shumë do të konsiderohen të ngurta, jo fleksible, jo dinamike, do të fortifikohen në bërthama të zvogëluara aleancash, kryesisht individuale. Të gjitha këto zhvillime në kompleksitetin e tyre, mund të prodhojnë efekte jo pozitive edhe për zgjedhjet vendore. Minimizimi i risqeve dhe përmasave të pasojave kushtëzohet nga filozofia, strategjia dhe përgjegjshmëria e lidershipit të çdo force apo aleance politike.