Shefi i antikorrupsionit ne gjyq per akuzen e mashtrimit
Prokuroria vë nën akuzë “shefin” e rremë të antikorrupsionit në qeveri, Alban Muçon. Dosja është dërguar në gjykatë për “mashtrim dhe përvetësim të titullit apo detyrës”, pasi dyshohet se Muço kishte krijuar edhe një staf për të qenë më i besueshëm, madje prezantohej edhe si gjyqtar. 35-vjeçari është denoncuar në disa qytete për mashtrime, ndërsa është shoqëruar disa muaj më parë nga Komisariati Nr. 1 në Tiranë, që ka marrë informacion mbi aktivitetin e tij të dyshimtë, ndërkohë që më vonë çështja i ka kaluar antikrimit ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe më pas prokurorisë. Hetimet e akuzës kanë ngritur dyshime se Muço kishte realizuar falsifikimin e një karte, ku identifikohej si drejtor i antikorrupsionit në Ministrinë e Financës.
Nëpërmjet kësaj letre, ai hynte në bashki, ku deklaronte se kishte shkuar për kontroll. Një nga rastet ka ndodhur në Gjirokastër, ku ai kishte “rreshtuar” gjithë punonjësit, duke deklaruar se kishte shkuar për kontroll. Në ato momente, ai ka kryer procedurat e zakonshme dhe më pas ka përgatitur nga një notë vlerësimi për kontrollin e kryer. Kështu dyshohet se ka vepruar në disa rrethe, deri në momentin që është kapur nga Policia e Tiranës. Sipas hetimeve, 35-vjeçari dyshohet se ka kryer veprime të tilla kundrejt përfitimeve financiare, duke kryer shantazh edhe mbi punonjësit.
Prokuroria thotë se ka zbardhur të gjitha episodet për Muçon dhe hetimet janë konsideruar të plota, duke dërguar fashikujt hetimorë në gjykatë. Veç rasteve ku ai prezantohej si shef i antikorrupsionit në Ministrinë e Financave pranë Këshillit të Ministrave, prokuroria ka dokumentuar edhe raste ku ai prezantohej si gjyqtar. Për të perfeksionuar punën e tij, ai kishte punësuar edhe një staf, të cilët i ka mashtruar, pasi nuk u ka dhënë para. Burimet e prokurorisë thanë se personat që ka mashtruar Muço janë marrë në pyetje dhe ata kanë deklaruar se 35-vjeçari kishte një staf të përbërë nga disa persona, si shoferë, financierë dhe juristë, të cilëve u kishte premtuar se do t’u jepte rroga të mira.
Sipas të dhënave, këta persona ishin vënë në funksion të tij me mjetet dhe shpenzimet e tyre në një vlerë të konsiderueshme. Megjithatë, deri në momentin e arrestimit, ata besonin te Muço, por më pas janë rrëfyer para oficerëve të policisë gjyqësore, duke deklaruar se çfarë kishte ndodhur. Muço mendohet se ka kryer aktivitet të dyshimtë për një periudhë të gjatë kohore. Ndërkaq, prokuroria thotë se si prova materiale do të përdorë katër celularë, një lap-top dhe një sasi të konsiderueshme dokumentesh dhe provash materiale, të cilat i përdorte për kryerjen e veprës penale.
Alban Muço u arrestua disa muaj më parë, në bazë të informacioneve të mbledhura mbi këtë person. Ai u kap pranë Piramidës, në anë të Kryeministrisë. Me vete iu gjet edhe një notë vlerësimi. Më pas, ai u shoqërua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku u akuzua në bazë të nenit 143/2, i cili ka të bëjë me mashtrimin, vjedhjen e pasurisë me anë të gënjeshtrës ose shpërdorimin e besimit kur kryhet në bashkëpunim në dëm të disa personave ose më shumë se një herë dhe dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet, ndërsa kur ka sjell pasoja të rënda, me burgim nga dhjetë deri në njëzet vjet. Ndërsa përvetësimi i titullit apo të detyrës shtetërore, që kur kryhet me qëllim fitimi apo ka prekur lirinë, dinjitetin apo të drejta të tjera themelore të shtetasit, dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.