PS: Berisha t‘i dorëzojë drejtësisë Bashën e Mediun
Partia Socialiste kërkoi dje sërish vënien përpara përgjegjësisë ligjore të dy ministrave Lulzim Basha dhe Fatmir Mediu. Deputeti Saimir Tahiri shprehu dje shqetësimin e vazhdueshëm të Partisë Socialiste, njëkohësisht të pasqyruar me të njëjtën forcë edhe në raport-progresin e Komisionit Europian publikuar vetëm pak ditë më parë, mbi përhapjen masive të korrupsionit në vend. "Korrupsioni është mbizotërues në shumë fusha dhe vazhdon të mbetet një problem veçanërisht serioz. Përpjekjet e qeverisë për të luftuar korrupsionin kanë mbetur në fazën e hartimit të strategjive. Mungojnë mekanizmat e aplikimit të tyre, plani kohor, si dhe indikatorët e matjes së rezultateve konkrete", u shpreh ai. Në vlerësimin e Tahirit, shkalla e dënueshmërisë për korrupsion mbetet e ulët, e për më tepër kultura e pandëshkueshmërisë është mbizotëruese. "Përfundimi i çështjeve gjyqësore për korrupsion, pavarësisht pozicionit të personave të përfshirë, do të shërbejë si indikator. Ky paragraf i përmbledhur i raport-progresit për çështjen e korrupsionit është praktikisht nota ngelëse që kjo qeveri përtace dhe hajdute ka marrë nga partnerët tanë ndërkombëtarë për dështimin e saj të plotë në luftën kundër korrupsionit", theksoi deputeti i PS. Sipas tij, Sali Berisha është i paaftë për të luftuar korrupsionin. Sali Berisha nuk ka vullnet për të luftuar korrupsionin. Madje më keq se kaq, shtoi Tahiri, Sali Berisha duhet të dorëzojë 2 ministra para drejtësisë për të dëshmuar vullnetin e tij në luftën kundër korrupsionit. "Raport-progresi i Komisionit Europian në tre vitet e fundit e konsideron korrupsionin një fenomen gjerësisht të përhapur dhe një problem veçanërisht serioz. Ndërkohë që shenja e vetme që ka lënë Sali Berisha në luftën e tij të shtirur ndaj këtij fenomeni, është numri i tij i celularit", theksoi Tahiri. Ai shtoi se PS nuk ka më asnjë dyshim se një i korruptuar nuk mund të luftojë korrupsionin. "Nuk ka asnjë dyshim se kjo mazhorancë është përgjegjëse për mbjelljen e kulturës së pandëshkueshmërisë, duke strehuar pas imunitetit parlamentar dhe karriges së ministrit dy të kërkuar nga drejtësia pikërisht për korrupsion", nënvizoi Tahiri. Ka ardhur koha, insistoi ai, që Sali Berisha t‘i bindet ligjit njëlloj si të gjithë shqiptarët e ndershëm. "Të dorëzojë menjëherë para drejtësisë 2 ministrat e tij që fshihen pas imunitetit parlamentar, dhe të marrë masa të menjëhershme për të luftuar korrupsionin duke e filluar nga vetja, familja e tij dhe shërbëtorët e oborrit. Kjo është mënyra e vetme për t‘u treguar shqiptarëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë vullnetin për të luftuar korrupsionin", tha Tahiri.