E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet e pjesshme në Partesh, pjesëmarrja 65%

Në komunën e re të Parteshit, në zgjedhjet për pushtetin lokal, të organizuara nga autoritetet e Kosovës morrën pjesë rreth 65 për qind e qytetarëve. Përkundër thirrjes së Beogradit që u kërkuan qytetarëve serbë të mos marrin pjesë në zgjedhje, pasi sic thanë ata nuk ishin krijuar kushtet e nevojshme.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se procesi zgjedhor në këtë komunë është zhvilluar në mënyrë të qetë e të rregullt, ndërkohë që vëzhguesit vendor thonë se nuk kanë vërejtur parregullësi që do të mund të ndikonin mbi zgjedhjet.

Të pesë partitë politike serbe që kanë marrë pjesë në zgjedhje kanë ndarë votat mes tyre, ndërkohë që asnjëri nga katër kandidatët për kryetar komune nuk ka arritur të mbledhë votat e mjaftueshme, duke e kaluar procesin edhe në raundin e dytë.
Autoritetet e vendit dhe ato ndërkombëtare i kanë cilësuar zgjedhjet në Partesh si të një rëndësie të veçantë dhe dëshmi për ndërtimin e një të ardhmje të përbashkët mes komuniteteve.

Autoritetet në Beograd megjithatë ngulmuan se në Kosovë nuk ka kushte për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje dhe bënë sërish thirrje për bojkot. Zgjedhjet në Partesh zhvillohen gjashtë muaj pas zgjedhjeve lokale të mbajtura në komunat e tjera të Kosovës, dhe shënojnë pothuaj përmbylljen e procesit të krijimit të komunave me shumicë serbe të parashikuara në planin Ahtisaari.

Delina Bitraku

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›