Zgjedhjet e pjesshme në Rrethina dhe Dardhas, i fiton e majta mes dhunës dhe kërcënimeve
Ndonëse u tha se procesi u zhvillua i qetë dhe brenda të gjitha përcaktimeve ligjore, e kundërta konstatohet në terren, aty ku është luajtur i gjithë skenari kriminal përmes forcës dhe dhunës verbale. Kësisoj, kandidati i Partisë Demokratike në komunën Dardhas, Gentian Pere akuzoi kandidatin e majtë se militantët e tij kanë ushtruar presion mbi votuesit. Ndërsa për KQZ-në, procesi ka qenë korrekt dhe në përputhje me procedurat e përcaktuara në Kodin Zgjedhor
E majta ka arritur t’i fitojë zgjedhjet e pjesshme lokale në dy komuna, atë Rrethina të Shkodrës dhe Dardhas në Pogradec, mes dhunës dhe presioneve kriminale ndaj zgjedhësve. Ndonëse u tha se procesi u zhvillua i qetë dhe brenda të gjitha përcaktimeve ligjore, e kundërta konstatohet në terren, aty ku është luajtur i gjithë skenari kriminal përmes forcës dhe dhunës verbale. Kësisoj, kandidati i Partisë Demokratike në komunën Dardhas, Gentian Pere akuzoi kandidatin e majtë se militantët e tij kanë ushtruar presion mbi votuesit. “Kanë vazhduar presionet në disa qendra dhe këto të dhëna i kam nga vëzhguesit. Njëkohësisht ka patur edhe përplasje me komisionet. Kam komunikuar me kandidatin tjetër, por e njëjta gjë vazhdon ende. Është jo vetëm mos zbatim i Kodit Zgjedhor, por njëherazi një presion i hapur ndaj njerëzve dhe komisionerëve. I kërkoj KZAZ-së, por edhe komisioneve të respektojnë Kodin Zgjedhor, pasi në të kundërt unë në përgjigje të kësaj situate do të tërheq komisionerët dhe vëzhguesit” - u shpreh ditën e votimit, kandidati i PD, Gentian Pere. Ndërkaq, e njëjta situatë raportohet edhe në Rrethina të Shkodrës, atje ku ditën e votimit kanë zbarkuar një grup deputetësh socialistë nga Tirana, duke vënë kështu nënpresion votuesit. Gjithsesi, nga zgjedhjet e pjesshme të 1 shtatorit, Rrethina dhe Dardhas do kenë kryetarë të rinj. Luan Harusha ka fituar me shumicë votash komunën Rrethina ndaj rivalit të tij demokrat, Ridvan Guri. Harusha ka marrë 4411 vota, ndërsa Guri 1402 vota. Procesi i numërimit të votave ka përfunduar në orët e para të mëngjesit të së hënës. Geni Hamollari, kandidati i LSI-së është tashmë kreu i ri i komunës Dardhas në Korçë, i cili fitoi zgjedhjet e zhvilluara në datën 1 shtator përballë kandidati të PD-së, Genti Pere. Hamollari fitoi me 1138 vota kundrejt 422 votave të kandidatit demokrat, Pere.
KQZ: Zgjedhjet lokale të pjesshme, të suksesshme/Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e KQZ-së Drilona Hoxhaj ka theksuar se procesi i numërimit të votave në dy komunat ka qenë i pandërprerë çka solli përfundimin procesit brenda një kohë të shkurtër, në mënyrë korrekte dhe në përputhje me procedurat e përcaktuara në Kodin Zgjedhor. “Theksojmë se sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor, KZAZ-të përkatëse kanë miratuar me vendim tabelën përmbledhëse të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të pjesshme, duke shpallur dhe kandidatin fitues për secilën komunë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të ardhjes së dokumentacionit zyrtar dhe kutive të votimit e materialeve zgjedhore nga dy KZAZ-të. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në përmbyllje të procesit zgjedhor vlerëson se aktet nënligjore te nxjerra nga KQZ si dhe masat organizative në ngritjen e infrastrukturës zgjedhore së bashku me punën në terren të inspektorëve të KQZ-së dhe ajo çfarë është më e rëndësishme, korrektësia në zbatimin e detyrimeve ligjore e komisionerëve të niveleve të dyta dhe të tretat (KZAZ, KQV, GNV) ndikuan në realizimin me sukses të zgjedhjeve të pjesshme të datës 1 shtator”- përfundoi Hoxhaj.