E Diel, 1 Nëntor 2026

Ajkun, Leonard Xhokaxhi kthehet “në shtëpi”Nga Dhurata HamzaiAjkun (Leonard Xhokaxhi), një emër shumë i njohur në skenën ndërkombëtare të baletit, vjen në Tiranë. Hera e parë që ka interpretuar në Shqipëri ka qenë viti 1995, i ftuar nga Zhani Ciko, n

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Ajkun, Leonard Xhokaxhi kthehet “në shtëpi”Nga Dhurata Hamzai

Ajkun (Leonard Xhokaxhi), një emër shumë i njohur në skenën ndërkombëtare të baletit, vjen në Tiranë. Hera e parë që ka interpretuar në Shqipëri ka qenë viti 1995, i ftuar nga Zhani Ciko, në atë kohë drejtor artistik i RTSH-së. Ai është një balerin i talentuar që i iku Shqipërisë në vitin ’91 dhe ka nisur të rikthehet herë pas here duke dhënë disa shfaqje për publikun shqiptar. Këtë herë duke nisur nga datat 16, 17, 18 dhe 19 Maj do të shfaqet në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit me dy suita baleti “Rajmonda” dhe “Spartaku”, përkatësisht të autorëve A.Glazunov dhe Khachaturian, ku koreograf dhe solist do të jetë Leonard Xhokaxhi. I njohur tashmë me emrin e artit Ajkun, ai po kthehet “në shtëpi”. Kjo e fundit është një nga shprehjet që tha dje drejtori TKOB-it, Zhani Ciko, ndërsa nisi të kujtoj atë fëmijën e vogël në lice që kur punonte me violinën. Leonardi ka qenë një nxënës i shkëlqyer pohon Ciko, ndërsa kujton për gazetën “TemA” se “kthimi i i tij me një spektakël në Shqipëri është vijim i nismës që kemi marrë për artistët e talentuar që e bëjnë karrierrën e tyre në mërgim”. Sipas Zhani Cikos të gjithë ata do të vinë dhe do ta prekin herë pas here skenën shqiptare, duke forcuar kështu edhe lidhjet me Shqipërinë. Ciko kujton rastin e violinistit të famshëm Tedi Papavrami, i cili ishte shkëputur që fëmijë nga Shqipëria dhe duke ardhur herë pas here, lidhjet jo vetëm me vendlidjen por edhe skenën, drejtuesit e institucioneve kulturore, artistët dhe publikun i ka bërë më të natyrshme. Artistët e mërguar kanë pasur vërtet suksese të mëdhaja në botë, por bazat e formimit të tyre i kanë marrë këtu në Shqipëri dhe ata kthehen mirënjohës për këtë, pohon Ciko. Edhe Ajkun një kërcimtar i famshëm sot në skenat europiane, me siguri do të kthehej “në shtëpi”. Shfaqja që do të japë ai në TKOB do të vijë në një gjuhë më moderne dhe me sharmin e kërcimit të tij, sicc është bërë me pjesë nga Moxart, apo pjesët “Romeo e Zhuljeta”, “Ave Maria”, “Ujërat pranverore”, “Nata e Valpurgut”, etj. Baleti që do shfaqet ka përmasat e një spektakli madhështor ku do të vinë të gërshetuara logjika, alegria, historia, emocioni. I larguar nga Shqipëria në vitin ‘91, Leonard Ajkun fillimisht ka punuar në disa teatro në Itali, ndërkohë që në vitin 1997 shkoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku punoi me kompanitë më të mëdha të baletit si “Harlen Dance Theatre” dhe me kompaninë e tij “Ajkun Balet Theatre”, me qendër në City Center Manhattan, një nga teatrot kryesorë të Manhatanit. Leonard Ajkun (Xhokaxhi) ka nisur të punojë në TKOB kur ishte 16 vjeç, kur edhe u angazhua në shumë pjesë baleti në role solistike. Ishte vetëm 18 vjeç kur interpretoi premierën “Don Kishoti” dhe kur punoi si solist i parë në TKOB, deri në vitin ‘91. Bir artistësh, babai i tij ishte dirigjent dhe nëna pianiste, ai rritet që i vogël me artin. Pedagogët e tij kanë qenë emrat më të njohur të koreografisë shqiptare si Llaqi Nako, Panajot Kanaçi, Agron Aliaj, etj. Ndër rolet e tij më të realizuara janë “Romeo e Zhuljeta”, “Liqeni i Mjelmave”, “Don Kishoti”, apo “Zhizel”, rol me të cilin nisi karrierrën e tij. Karriera e tij ishte disi e ccuditshme. Në vitin 1991, gjatë një turneu me Anna Razzi-n ai shkoi në Itali ku dhe u bë këcimtari kryesor i Baletit të Mantovës. Pati mjaft sukses duke dhënë shfaqje në gati 50 teatro të Italisë, Maltës, etj, por ai rrëfen se momenti më i rëndësishëm në karrierën e tij ka qenë në vitin 1992, kur atij iu kërkua të kërcente për Rudolf Nurejev në rolin e Alberchti-t tek baleti “Giselle”, vënë në skenë nga trupa e Teatrit të Torinos. Pas kësaj karriere të ndritur Ajkuni ka kërcyer para Babait të Shenjtë të Vatikanit, Giovanni Paolo II. Askush s’kish mundur ta bënte këtë më parë. Në 1994, balet maestri i madh Ileana Iliescu e kërkoi si artist të ftuar të nderit në Teatrin e Operave dhe Baletit të Bukureshtit, në Rumani, ku ai kërceu para Princit Siegfried, baletin “Liqeni i Mjelmave”. Në 1997 u nderua nga Shoqata Amerikane e Arteve Muzikore si ylli i kërcimit ndërkombëtar. Karriera e tij nis të merrte vrull. Në vitin 1998, Arthur Mitchell e ftoi në Teatrin e Kërcimit në Harlem, ku ai u njoh për herë të parë me repertorin e George Balanchine. Në SHBA Leonard Ajkun ka kërcyer për baletin klasik të Los Angeles, Santa Barbara State Street Ballet, Dance Galaxy, Northeast Ballet, Griffin Ballet, Hartford Ballet dhe Ellen Sinopoli Dance Company. Leonard Ajkun është gjithashtu krijuesi dhe drejtori artistik i shoqatës “AjkunBT”, e cila ju vjen në ndihmë kërcimtarëve të rinj ndërkombëtarë.

Ai është nga ata që megjithëse përftoi shumë përvoja nga baleti modern nuk e tradhëtoi kurrë baletin klasik. Ciko rrëfen ndër të tjera se Ajkun që në fëmijëri ka qenë i lidhur me Teatrin e Operas dhe Baletit, ku i ati punonte si dirigjent dhe e ëma pianiste. Ajkun ka qenë bashkë me Tedi Papavramin në Liceun Artistik për violinë, por Leonardi ndryshon drejtimin e studimeve të tij, duke shprehur preferencat dhe talent për baletin. Futet në një kurs baleti dhe shumë shpejt në moshën 11-vjeçare jep shfaqjen e parë si balerin dhe aty kupton se pasionin më të madh e kishte për baletin, aq sa në moshën 16-vjeçare emërohet solist në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Leonardi fillon të marr pjesë në të gjitha shfaqjet që përmbante kalendari i TKOB, jo vetëm në ato që bëheshin në Shqipëri, por edhe në shtete të tjera. Filloi të bëhej i pa arritshëm në balet. Tashmë për baletin shqiptar po lindte një yll i ri. Megjithatë, në vitin 1991 Leonardi ikën nga Shqipëria për të vijuar pasionin e madh që kishte, ku kërkonte të njihej me shkolla të reja, por edhe i nxitur nga oferta që i bënë kur vunë re talentin e madh të balerinit shqiptar. Pikërisht në vitin 1991 një menaxher italian i ofroi një kontratë të mirë për të qëndruar, duke përdorur imazhin e tij si një person që vinte nga Shqipëria e izoluar dhe në këtë rast po i ikte diktaturës. Ajkun rrëfen se menaxheri kërkonte të bënte bujë me këtë rast, por balerini shqiptar nuk pranoi, duke menduar edhe familjen se mos e cënonin dhe ndëshkonin këtu në Shqipëri. Nuk kaloi shumë dhe diktatura në Shqipëri ra. Kështu, Leonard Xhokaxhi largohet nga Shqipëria në mënyrë të rregullt me një bursë studimi për në Mantova dhe tashmë për të nisi një jetë e vështirë në Itali. Madje edhe tingëllimi i mbiemrit të tij, Xhokaxhi, po bëhej i zorshëm në gjuhën italiane dhe Ajkun rrëfen se si menaxheri i propozoi të vendoste një mbiemër që të ngelej më lehtë më mendjen e publikut, të tingëllonte më këndshëm. Leonardi i heq -a-në femërore emrit të nënës së tij që quhej Ajkuna, dhe mbeti ky emër i bukur arti që mban sot, Ajkun, për të cilin pohon se është shumë krenar.

Tashmë për të nisën ofertat dhe kontratat e shumta dhe në dilemë për vazhduar në SHBA ose në Itali, ai nis një tjetër sfidë në SHBA. Tashmë Ajkun shfaqet në skenë si kërcimtar i admirueshëm, por nuk rresht as punën si balet maestër dhe kështu ai krijon një kompani, e cila prej nëntë vjetësh quhet “Ajkun Ballet Theatre”. Kompania “Ajkun BT” mbështetet nga një prej teatrove kryesore të Manhatanit që quhet “City Center” dhe që financohet edhe nga shteti i Nju Jorkut. Kompania “Ajkun BT” ka pasur një aktivitet të madh dhe suksese ndërkombëtare. Ajo ka pasur ndihmë dhe nga artistë të mëdhenj baleti si Mihal Barishnikov, ku fondacioni i tij ka financuar sallat në Manhatan. Ajkun është i martuar me një artiste amerikane, Kjarën dhe ka dy djem, përkatësisht 16 vjeç dhe 13 vjeç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›