Powers: Shqipëria, kjo viktimë e historisëNga Ben Andoni, revista MapoNdihma e Pirro Dollanit, përkthyesit shqiptar të librit “Jehona e Kujtesës”, botuar nga “OMBRA GVG”, qëlloi fatlume. Dr. Moikom Zeqo, që komunikonte prej javësh në një epistolar vi
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Powers: Shqipëria, kjo viktimë e historisëNga Ben Andoni, revista MapoNdihma e Pirro Dollanit, përkthyesit shqiptar të librit “Jehona e Kujtesës”, botuar nga “OMBRA GVG”, qëlloi fatlume. Dr. Moikom Zeqo, që komunikonte prej javësh në një epistolar virtual me autorin dhe përkthyesin, na ka ofruar kontaktet, por edhe ndërhyrjen e tij. Kërkesa jonë për një intervistë me “Mapo”-n, çuditërisht nuk ka vonuar...
Richard Powers, shkrimtari, fituesi i “2006 National Book Award”, rrëfen: “Në një natë të vetmuar në rrugët e Nebraskas, 27-vjeçari Mark Schluter, bën një aksident fatal. Bie në koma dhe motra e tij, Karin, lë gjithçka që të kujdeset për të vëllanë. Por, kur ai zgjohet, pasojat janë fatale: Ai nuk e njeh të motrën. Realizon se ajo i ngjan, ka tingullin e zërit të saj, por s’është fare ajo. Motra i kërkon ndihmë Gerald Weber, një neurologu të famshëm, që merret me të tilla raste shumë të veçanta. Ai e identifikon që është me Kepgras, një sindromë e rrallë e humbjes së kujtesës.” Ajo që rrjedh më pas është e jashtëzakonshme, bëhet një paralele e mrekullueshme me pelikanët që vinë në Platte River dhe që njerëzimi ua bën më të vështirë udhën, nga koha në kohë. Paralelizmi dhe ndarja trunore e Markut duket se është një ndarje trunore e qenies tonë me apoteozën e këtyre shpendëve, që tash po i shfarosim, thonë kritikët. “Jehona e Kujtesës” mori “2006 National Book Award” në Amerikë. Autori vetë është autor i nëntë romaneve dhe ka marrë dhe MacArthur Fellowship, çmimin “Lannan Literary”, dhe çmimin “James Fenimore Cooper” për Subjektin Historik
Libri juaj, “Jehona e Kujtesës”, i cili është botuar nga “OMBRA GVG”, ka pasur shumë sukses në Shqipëri. Subjekti që paraqisni Ju është shumë kompleks, por nga ana tjetër dhe jashtëzakonisht origjinal dhe i rrallë, e në të njëjtën kohë dhe shumë human dhe natyral për këdo. Si i erdhi shkrimtarit një histori e tillë kaq tërheqëse, ku pelikanët duken sikur kanë të njëjtën jetë, si ne qeniet humane?
Libri filloi, kur pashë një film të shkurtër për jetën e një djaloshi, që ishte dëmtuar nga një aksident automobilistik dhe si pasojë ishte i bindur se prindërit e tij ishin thjesht mashtrues dhe jo ata - të vërtetët. E gjithë ajo që mbeti nga aftësia e tij njohëse, përfshinte njohjen e miqve të tjerë dhe të njohurve. Në fakt, ai realizonte me veten shumë shpjegime të përpunuara intelektuale rreth faktit sepse prindërit përballë nuk mund të ishin prindërit e vërtetë të tij. Efekti ishte papërshkrueshmërisht i çuditshëm: Nuk i dukej e mundur që truri mund të ndahej nga vetja në këtë farë mënyre. Unë fillova të studioj sëmundjen e tij, Sindromën e Kepgasit dhe mësova se ajo ishte një sindromë tejet e rrallë, por nga tjetër në kushte të dokumentuara mirë.
Jam habitur kur zbulova se dështimi i njeriut prej Kepgrasit- që të arrinte të njihte, ishte i drejtuar gjithmonë ekskluzivisht tek ata njerëz që vuajtësi i kishte njohur edhe më mirë: Prindërit, fëmijët, bashkëshortët apo miqtë më të ngushtë. Këtyre pacientëve u ndodhte vetëm që të mos arrinin të pranonin ata, të cilët edhe i kishin dashur më shumë! Për më tepër, disi, ata e pranonin se u kishte ndodhur diçka, vuajtësit gjithmonë insistonin se ata ishin sërish të paprekur- dhe diçka e pashpjegueshme kishte ndodhur vërtetë jashtë botës. Kjo mu duk një këqyrje ndjellëse drejt natyrës së brishtë të vetes, saqë unë fillova ta lexoja si i përpirë për të gjetur, me këtë rast, edhe llojet e tjera të dëmtimeve të ndërgjegjes humane. Dhe, duke lexuar se çfarë kishte arritur të zbulonte neuro-shkenca deri më atëherë, për nevojat e trurit, fillova të mendoj sesi do mundej një roman të realizonte rrëfimin dhe faktin, në mënyrë që të dyja së bashku të krijonin Unin.
Jo shumë kohë më pas, isha duke bërë një udhëtim të gjatë nga shtëpia ime në Ilinois në drejtim të Arizonës, ku jeton ime më. Kisha udhëtuar për gati nëntë orë dhe kisha kaluar përmes qendrës së Nebraskës, diku afër muzgut, kur befas kam këqyrur në një fushë të boshtë- përgjatë anës së autostradës, një qilim zogjsh, një metër të gjatë, shpërhapur në të gjitha drejtimet. Mendova se kisha thjesht halucinacione prej lodhjes së rrugës dhe vërtetë gati dola nga rruga. Nuk e kuptoja se çfarë po shikoja, por ajo që vështroja ishte si pamje e moçme dhe emocionuese. Krijesa, që dukeshin gati si prehistorike, dhe që ngjanin absolutisht indiferente me kohët humane. U tërhoqa direkt në qytetin më të afërt dhe zura një dhomë në një motel. Fillova të pyes, që atë natë aty-këtu dhe mësova se gati gjysmë milioni zogj-ose 80 për qind e lejlekëve migrues në Amerikën Veriore - ndalonin për çdo mars në këtë seksion të kufizuar të Platte River, gati ngjashëm me një mekanizëm stër-kohor, përgjatë migrimit prej mijëra kilometrash. Mëngjesin tjetër, u ngrita pak para agimit për të vëzhguar sesi masa e zogjve shpërndahej për një ditë, duke kërkuar. Përshtypja ishte shumë më shpirtërore se çdo gjë tjetër, që kisha ndjerë më parë: Këta dykëmbësha krejt të mëdhenj vallëzonin dhe këndonin me një si veprim të stërmadh të përbashkët dhe që më dukej tejet inteligjent.
Lexova gjithçka që munda dhe që kishte të bënte rreth shpendëve. Ishte një literaturë e tërë e gjatë dhe pak si e bezdisur, me një prozë shumë të madhe të krijuar nga shkrimtarë që prej kohës së Greqisë së Lashtë... ku mësova se pelikanët çiftohen vetëm njëherë në jetë; se pelikanët e sakrifikojnë veten për të vegjlit e tyre; se mësojnë thjesht nga shembujt për të arritur që të fluturojnë mbi një kontinent të tërë; se ata drejtohen kah itinerareve të tyre, mbështetur thjesht nga shenja referimi tejet të veçanta lokale; se ata janë tejet të vetmuar, deri në mbledhjen e tyre vjetore në qytetet e mëdha të zogjve. Fillova të udhëtoj ngado për t’i parë dhe arrita të shikoj përfaqësues të pelikanëve kudo nga udhëtoja duke filluar nga Evropa Qendrore dhe deri në Japoni.
Pelikanët aq sa u bënë çuditërisht humanë për mua- në të njëjtën kohë, ishin dhe krejtësisht të huaj. Zbulova në letërsi rrëfime të ndryshme popullore për pelikanët dhe njerëzit, që ktheheshin tek njëri-tjetri. Kombinimi i familjaritetit me çudinë, që përbënin zogjtë, më bënë të më vinte në kujtesë Sindroma e Kepgrasit. Ajo që i ndodhte vuajtësit të sindromës së Kepgras me të dashurit e tij - papritmas m’u duk si shumë e ngjashme me atë që të gjitha qeniet humane bënin për këto krijesa të stërmëdha inteligjente- me të cilat ne ndajmë ekzistencën tonë në planet: Ne i shikojmë ato, ne i njohim si diçka familjare, por ne e mohojmë, që ato janë në një farë mënyre, lidhur me ne. Dhe, ende, pjesë thelbësore të trurit tonë ruajnë struktura të ngjashme trunore me të tyret. Ndarja jonë me ta, atëherë, më goditi ashtu si diku në mënyrë analoge ndodhte me ndarjen tonë nga Uni (kujtesa) ynë i brendshëm. Duke e vendosur historinë time në këtë qytet të vogël në mes të një vendi, ku pretendimi kryesor për famën lidhej pikërisht me mbledhjen vjetore të këtyre zogjve, më dha mua edhe një mënyrë sesi ta hapja historinë me gjithë llojet e gjurmëve ekologjike dhe kujtesës së moçme. Dhe, me këtë ide...e fillova librin.
Në ditët tona, publiku është shumë konfuz për sa i përket letërsisë bashkëkohore. Gjithmonë duket se ka nevojë për njerëz të veçantë (kritikë apo intelektualë), që të ndihmojnë komunikimin e shkrimtarëve me njerëzit e zakonshëm. A jeni i shqetësuar prej faktit të mungesës së komunikimit direkt në mes të shkrimtarëve apo krijuesve dhe publikut, vetes tuaj dhe lexuesve? A mendoni se roli i kritikëve dhe intelektualëve është i domosdoshëm që të bëhet ky lloj komunikimi?
Besoj se web-i, pajisjet e ndryshme portative dhe zhvillimet dixhitale e kanë ndryshuar thelbësisht lidhjen tonë dhe kjo jo vetëm me fjalë, por edhe në kohë. Që të zhysësh vetveten në një roman kërkon që ju ta humbni vetveten në një si aktivitet vetmitar dhe kjo për një periudhë të gjatë kohe. Ndërkaq, teknologjitë tona të reja janë të dizenjuara të na mbajnë gjithmonë të lidhur, gjithmonë prezentë dhe në “Kohë reale”. Ne përqendrohemi krejt ndryshe tani, në erën shumë-funksionale dhe mes nanosekondave. Gjendemi në rrezikun e humbjes së gjithë udhës, të cilën e përshkon mendimi dhe qenia, një rrugë e tërë e cila lidhet me zgjatjen, vazhdimin, përcjelljen, pandërprershmërinë e rrjedhës së fjalëve. Nuk jam i sigurt nëse ndonjë numër i caktuar kritikësh apo intelektualësh do mund të ishin të aftë, t’i ruanin këto stile të vjetra të fokusit vetjak dhe përqendrimit në pjesën më të madhe të njerëzve, sepse një çast dhe neve na duhet të migrojmë krejtësisht drejt mesazheve të menjëhershme dhe atyre tej-lidhjeve. Leximi do të bëhet diçka tjetër, natyrisht. Por, neve sot, gjendemi ballë rrezikut të humbjes së rrjedhshmërisë për qenien, e cila është e aftë t’i lexojë romanet e stilit të vjetër, të cilat kërkojnë përqendrim të angazhimit tonë. A munden intelektualët të ruajnë dhe t’i shtrijnë këto aftësi edhe në erën digjitale? Po, unë besoj se ata munden, vetëm nëse do të arrinin të shkruanin për një publik më të përgjithshëm intelektual, shumë më tepër sesa t’i kushtoheshin strikt vetëm njëri-tjetrit.
Si u bëtë shkrimtar? Ka pasur ndonjë moment të veçantë kur ndodhi apo gjithmonë e keni ditur se do të shkruanit?
Që fëmijë dhe deri kur mbusha 20 vjeç, gjithmonë kam menduar se do të bëhesha shkencëtar. E vetmja pyetje, që më mundonte shpesh ishte: Në cilën shkencë? Kjo, po, ndryshonte tek unë. Një vit ishte oqeanografia, një vit ishte paleontologjia, ndërsa vitin tjetër ishte gjeologjia. Kisha një tërheqje të përgjithshëm, që më mrekullonte dhe kishte të bënte me lidhjet në mes gjithë gjërave. Nuk doja ta mbyllja derën për asgjë, por në të vërtetë doja që gjithmonë t’i studioja gjërat. Kur erdhi koha për të shkuar në kolegj, u përqendrova më shumë në mjekësi, duke menduar se kjo ishte në shumë mënyra- shkenca më e thellë që arrinte të shtrihej në bazë të gjithë të tjerave dhe se ajo do më lejonte të kisha një lloj pamje të përgjithshme dhe po ashtu edhe një Imazh të përmbledhur sesi gjërat arrinin të shkonin me njëra-tjetrën. Më pëlqente shumë të studioja mjekësinë, por sa më thellë që futesha në të, aq më shumë (në mënyrë të paevitueshme) më duhej të specializohesha dhe akoma më shumë hapeshin para meje dyer të tjera interesash dhe lidhjesh, që detyrohesha t’i mbyllja. E dija se shkencëtarët e suksesshëm ua kushtojnë vetveten fushave imtësisht të specializuara, aq sa në fund vetëm pak prej tyre arrinin të shkonin aty ku duhej. Pikërisht në kohën kur plotësimi i specializimit të studimeve të mia kishte filluar të më bënte klaustrofobik, takova një profesor letërsie, autoriteti gjithëpërfshirës i të cilit ndaj njohurive humane ishte i tillë saqë më dha atë ndjenjën e lidhjes dhe pikëpamjen e përgjithshme të cilën unë vetë e kisha përgjëruar në arsimimin tim të gjatë. Në këtë pikë, kuptova se letërsia mund të përfshinte studimin e shkencës, madje shumë më tepër sesa vetë shkenca mund të përfshihej në studimin e letërsisë. Dhe, kjo ishte koha kur bëra transferimin. Ndërkohë që shpesh kam ndjerë nostalgji për angazhimet e mia me matematikën dhe shkencën, paçka se jam ndjerë gjithmonë shumë me fat se jeta e një shkrimtari më lejon të kaloj vite në studimet e përjetuara të një profesioni, kurdo që të ndodhin, qoftë këto gjenetike apo që kanë lidhje me programimin në kompjuter apo edhe me vetë neuro-shkencat.
Cilat janë zakonet tuaja në punë dhe si mund të na i përshkruani ato në një ditë të zakonshme...
Zakonet e mia në punë kanë ndryshuar shumë, sidomos në çerekun e fundit të shekullit të shkuar, veçanërisht në kohën kur e-mail-i dhe interneti e kanë invaduar jetën time. Tash, po ashtu, i kam dhënë fund dhe udhëtimeve këto ditë. Por dita ime ideale-ajo lloj dite, që e kam bërë për shumë kohë-fillon herët, fillimisht me rregullimin e materialeve të një dite më parë. Unë i përgatis në kompjuter shkrimet dhe vlerësimet e punëve të dorës dhe filloj punë zakonisht menjëherë pas një mëngjesi, që e kam shumë herët (rreth orës 6 apo 7 të mëngjesit) duke i rishikuar dhe rregulluar pjesët e një dite më parë. Punoj vetëm i shtrirë në krevat. Pas një ore apo dy, filloj që të futem në një kompozim të ri. Do të punoj pastaj për rreth 4 ose 5 orë, pastaj kam një pushim për sillën e drekës. Në mbrëmje i kthehem shkrimit, duke bërë kërkime për gjëra të vogla, ndërsa vazhdoj të punoj. Zakonisht e ndërpres punën rreth orës 4 të pasdites, duke bërë ca ushtrime dhe pastaj filloj të lexoj. Pas darke, kohën më të madhe e kaloj duke lexuar, derisa më zë gjumi. Kam gjetur se kjo është rruga më e mirë për të mbjellë farat e imagjinatës sime për ditën tjetër të punës.
“Ndoshta çdo prozator shkruan poezi në fillim, por kupton se nuk mundet dhe pastaj fillon e përpiqet në tregimin e shkurtër, që mbetet dhe forma me më shumë kërkesa pas poezisë dhe duke dështuar dhe me këtë, vetëm atëherë... fillon e nis të shkruajë romane”. Ky citim i punës së një shkrimtari prej Faulkner a ka ndodhur dhe me Ju? Apo historia juaj si shkrimtar është krejt ndryshe?
Për një çast, nuk mendoj se Faulkner e ka pasur seriozisht, kur e ka thënë! Mendoj se ai është argëtuar dhe jo më kot, duke folur për admirimin e tij për format e tjera e ka vendosur, pikërisht zhanrin e tij më të zgjedhur- në fund. Unë, vetë, kam shkruar poezi para se të shkruaja romane, por kjo ka ndodhur sepse një formë më e shkurtër, ka qenë më e lehtë ta bëja ndërsa isha shumë i zënë me studimin dhe punën time. Por, gjithashtu, e kam përzierë këtë zhanër në rrëfimin tim dhe madje edhe kam eksploruar në përdorimin e subjekteve me copëza të vogla brenda të themi enës së një romani të gjatë. E vetmja teori e imja për vlerën relative të zhanreve dhe lidhjes së duhur mes tyre është se këto forma arti, supozuar të jenë të ndryshme- janë gjithmonë të afruara, në mënyrë të jenë të kombinuara në mënyrë krijuese, të mjegullta dhe të përziera. Puna më e mirë na bën neve, që t’i ri-konsiderojmë kufijtë në mes të zhanreve të tilla.
Juve keni thënë në një intervistë për “The Minnesota Review” me z. Jeffrey Williams, se “mbetem i ngacmuar nga ideja e komunikimit në mes disiplinave, të cilat veprojnë në mrekulli (krijime) të ndryshme, fusha që të duken sikur veprojnë nën pabashkëmatshmërinë e aksiomave”. Çfarë do të thotë kjo dhe a besoni se është e mundur për letërsinë që të ndërhyjë drejt trurit tonë? A mund të na e shpjegoni më mirë këtë citim?
Ne, si qenie, kemi evoluar tani dhe jetojmë në një nivel të caktuar, kështu dhe historitë që rrëfejmë, më shumë lidhen me fenomene që janë në nivelin e këqyrjes së syrit: jetët individuale, përpiqemi që të kuptojmë martesat, karrierën, burimin dhe luftën e komunitetit lokal. Vetëm se gjatë të gjithë kohës sonë, ka madhështi dhe terrore në shkallë kaq shumë më të vogla dhe më të mëdha sesa kjo jona- saqë ne as arrijmë t’i këqyrim: Bota e mikrove dhe teleskopit, proceset e mëdha sociale dhe ato historike, kompleksiteti i tepërt i genomit, jeta apo vdekja e yjeve. Për sa më përket mua, jam zhvendosur drejt historive të individëve dhe grupeve humane, të cilat luftojnë për të kuptuar jetën në këto nivele të ndryshme të përcaktimit, bash ato që arrihen dhe pastaj humbasin dhe pastaj më vonë -gjenden sërish të shpërfillura dhe këtu shikon sesa pak edhe këqyrjet e kualifikuara ndërvaren mbi tokën tonë dhe herë edhe e mbulojnë njëra-tjetrën. Ne kemi shumë gjëra bashkë, rezultat kjo-i shumë proceseve të rrëmujshme dhe ndaj historitë tona kanë nevojë të na kujtojnë shpesh sesa shumë nivele jetësore janë në proces të vazhdueshëm”.
Kush ju ka influencuar më shumë: Cila periudhë e letërsisë amerikane apo pjesë e letërsisë tjetër botërore? Kush nga mendimtarët… Proust, Mann, Joyce apo dhe shkrimtarë dhe mendimtarë të tjerë? P.sh., çfarë jeni duke lexuar këto ditë?
Fillimisht, i kam zbuluar mundësitë e mia për t’u bërë shkrimtar, kur kam rënë në dashuri me Modernizimin Evropian-shkrimtarët e viteve 1900 dhe 1930, të cilët luhateshin mendoj nga Revolucionarizimi i kuptueshmërisë shkencore. Nga këtu, fillova ta rishikoja kohën, hapësirën dhe vetëdijen në vazhdimësi të eksperimenteve të njohura drejt fokalizimit, që mund të duket ende goditës në ditët tona. Por, si një amerikan, kam qenë gjithashtu i ndikuar edhe nga ai dialog i gjatë ndërmjet Transcendentalizmit dhe Pragmatizmit, ato versione idealizimi dhe realizmi, që janë zhvilluar në kontinentin amerikan. Jam vazhdimisht i mrekulluar nga eksperimentet maksimaliste të shkrimtarëve të tillë si Melville, që është shpënë më përpara sot prej punës së shkrimtarëve të tillë, si Pynchon, Gaddis, dhe DeLillo; dhe nga tradita që vjen afër Hawthorne, që kalon pastaj përmes Hemingway, dhe nga këtu drejt veprës së Carver dhe Minimalizmit. Dua të shkruaj një lloj rrëfimi që tregon lidhjet ndërmjet traditës enciklopedike dhe asaj hermetike dhe kështu jam gjithmonë duke këqyrur në dy drejtime, drejt Walt Whitman, por gjithashtu edhe nga Emily Dickinson.
Sa përfaqësuese është historia e “Jehonës së Kujtesës” për klasën e mesme bashkëkohore amerikane? Mund ta identifikojmë lehtë atë me situata dhe çështjet ekzistenciale, ku përballen karakteret tuaja?
“Jehona e Kujtesës” rrëfen historinë e Mark Schluter, një burrë i cili vuan nga dëmtimi i mungesës së identifikimit dhe që e ka bërë atë ‘të kuptojë’ se njerëzit që ai do më shumë- janë zëvendësuar nga mashtruesit. Në një drejtim, aftësia e tij e nivelit të lartë arrin të ndahet nga përshtatja e tij emocionale, dhe ai është i zhytur drejt një bote, ku gjërat më të njohura bëhen të çuditshme. Ai shikon drejt motrës së tij dhe thotë:’Ajo i ngjan sime motre, zëri i saj tingëllon si i sime motre, vepron si motra ime, vishet si motra ime dhe mendon si motra ime, por ajo nuk i ngjan askujt tjetër në botë, që e njoh’.
Në të njëjtën kohë, libri hapet bash pas sulmeve të World Trade Center dhe konkludohet pikërisht pas pushtimit të Irakut. Të gjithë karakteret e librit, në një rrugë apo në një tjetër, ndjehen përballë kësaj ndarje të Mark Schluter, që vetë është një lloj surprizues i kësaj njohje. Mendoj se një numër i madh i njerëzve pas Amerikës 9/11, që nga ata të cilët jetojnë në qytetet e mëdha apo portet e brigjeve-deri ata që janë drejt hapësirave fshatare, në depresionet gjeografike, fetarisht dhe konservatorisht në shtetet që janë në mes të vendit- edhe për shumë vite pas sulmeve, do kenë brenda vetes një ndjenjë të vazhdueshme topitje në formën e: ”Ky ngjan si vendi im, tingëllon si vendi im, vepron si vendi im, por nuk është vendi që unë mund ta njoh. Duhet të jetë një kinse-vend”. Kushtet e Markut nuk janë më shumë se një metaforë për defamiljarizimin e tyre, ashtu si mund të ketë një refleksion mbi të, një stad i tyre- sesa lehtë është për rrëfimin e vazhdueshëm të identitetit-personal, religjionit, familjes, aspektit kombëtar-që shquan. Ne e përcaktojmë vetveten si pjesë e një grupi të stërmadh politik, kulturor, religjionit dhe grupeve etnike, duke i menduar ato sikur të jenë më të qëndrueshëm sesa jemi ne vetë. Por ato nuk janë aq të qëndrueshëm sesa i mendojmë ne. Mendoj se do mbetet një ndjenjë, e cila na thotë se shumë amerikanë nga të gjithë klasat dhe rruginat e jetës kanë dështuar në vitet e fundit.
Ashtu si pelikanët nuk e gjejnë më udhën e tyre pas- prej arsyes së zhvillimit kaotik-në të njëjtën mënyrë personazhi juaj që fillon nga Marku, motra e tij, shokët e tij më të ngushtë dhe të tjerët... mungojnë. Ky lloj çrregullimi trunor, sindroma e Kepgarsit, është në fakt një element metaforik për mungesën e komunikimit të gjithë formave apo jo? A e shikoni atë si një karakteristikë normale të shoqërisë sonë? Quo vadis shoqëria jonë, sipas z. Powers?
Ne mendojmë se jemi të fortë, të plotë, koherentë dhe të vazhdueshëm dhe se historia që ne gjejmë nga jashtë botës është përfundimtare dhe e besueshme. Por, neuro-shkenca bashkëkohore na rrëfen se truri është një parlament i zhurmshëm dhe kaotik, që ka saora një rrëmujë kalimesh mes qindrave nënsistemesh nervore. Dhe, është puna e vetëdijes që i duhet të krijojë, nga këto kalime përbërëse dhe të ç’rregullta , një iluzion të së pazakonshmes dhe ngurtësisë. Uni është, në fakt, mbetet një improvizim fluid. Një thyerje në mes dy nënsistemeve trunore, i cili mund të përmbysë të gjithë ndërtimin e realitetit. Njerëzit e humbasin aftësinë për të identifikuar objektet familjare. Ata nuk munden më të thonë nëse kalemat janë më të vogël apo më të mëdhenj sesa trarët. Ata e humbin aftësinë për të rrëfyer diferencën në mes të fytyrave, që kanë përballë. Ata mohojnë se krahët e tyre të majtë u takojnë atyre. Ata madje mund të besojnë se shtëpitë e tyre janë aktualisht kopje të zëvendësuara të gjërave reale. Ata mendojnë se janë të verbër, kur nuk janë apo se ata mund të shikojnë, kur në fakt janë thjesht të verbër. Dhe, madje, edhe pa dëmtimin e trurit, ne të gjithë kemi eksperiencën e formave të përkohshme dhe të dobëta të sindromave të njëjta, që janë pjesë e vetëdijes normale”.
A do të thotë kjo- se ne jemi të goditur nga ajo që të gjithë gjërat shkojnë-apo nga Relativizimi i Hall-of-Mirrors (Shtëpia e Pasqyrave) 2? Jo, në të vërtetë. Por kjo do të thotë që të vërtetat, ashtu si ndjeshmëria jonë për Unin, do të krijohen gjithmonë, do stabilizohen dhe destabilizohen në përgjithësi si pjesë të kalimeve të mëdha, të rastit dhe vazhdimisht të pa shpalosura.
Weber është një lloj magjistari më shumë sesa një doktor. Linja e tij është mbresëlënëse në libër. Davidi është duke vepruar në një pjesë tjetër duke e përshtatur vetveten kudo. Karin lufton që nga fillimi të kuptohet nga i vëllai dhe ta mbajë gjallë. Personazhet vazhdimisht alternojnë territore me njëri-tjetrin. A keni pasur vështirësi në administrimin e personazheve tuaja në roman? A mendoni se ekzistojnë momente, ku ju mungon lidhja me personazhet tuaja... Sa të lidhur e keni ndjerë vetveten me ta, si edhe me linjat e ndryshme të mendimit në libër?
Unë tani mbaj shumë shënime individuale për të gjithë karakteret e mia. Në këto shënime, vizatoj imazhe, mbledh fotografi, skicoj biografi, bëj përmbledhje dhe mbledh letra dhe dokumente-të gjithë gjërave të zakonshme, të cilat mund t’i ketë krijuar secili nga karakteret e mia. Dhe, përgjatë të gjithë ditës, ndërsa dëgjoj njerëzit dhe gjërat e jashtëzakonshme, që ne i themi njëri-tjetrit, mbledh grimca citimesh në fletore shënimesh, ndërtoj zërat me të cilat do shpiket secili nga personazhet dhe filloj i realizoj ato fillimisht me veten. ‘Hilja’ është sesi do të kuptohen lloje të ndryshme njerëzish nga stade të ndryshme radikale të jetës dhe si ti arrijmë t’i okupojmë ato në mënyrë emocionale, ndërsa punojnë: si të jenë për shumë muaj gjatë kohës sonë, një neuro-shkencëtar që e ndjen veten sesi pak nga pak vjen dhe largohet dhe pastaj transformohet ndryshe për muaj të tërë dhe arrin e bëhet një paketues mishi i paedukuar i klasës punëtore që duket se fillon e shërohet edhe vetë nga dëmtimi i trurit.
Të gjithë karakteret e këtij librit ndajnë një gjë të përbashkët: ata janë në një proces të humbjes të ndjenjës të tyre të Unit. Nuk jam i sigurt, sesa i suksesshëm kam qenë në bartjen që e rithekson këtë apo e çorienton lexuesin; por dua të them se akti i përpjekjes për të ndërgjegjësuar ditë për ditë këtë pjesë vulnerabël të njerëzve, në të vërtetë ka ndryshuar ndjenjën time të fortësisë. Mund të ribëj përpjekjen, pas orësh të tërë pune dhe zhytje psikologjike që shkon drejt grumbullimeve sociale dhe mendoj se do të arrijmë të ndërveprojmë me njerëzit dhe qenien komplet të paaftë për tu përgjigjur- madje edhe në më të thjeshtën e çështjeve që mund të themi p.sh. të përgatitjes së një kokteji!
Ana Akhmetova ka thënë se nuk ka letërsi pas Frojdit. Cili është opinioni juaj për rëndësinë e pavetëdijes në jetën e një individi dhe në lidhje me shoqërinë? Ndodh që e papara dhe e pazbuluara, pavetëdija të shkojë drejt së vërtetës për një individ?
Mendoj se nëse shkenca trunore bashkëkohore na tregon ndonjë gjë është ajo që ka lidhje me cipën cerebrale - pjesën përgjegjëse të trurit për vetëdijen dhe aftësinë njohëse të nivelit të lartë-që duket se është një e vonuar e vërtetë, duke u përcjellë mbi trurin, më të vjetër dhe më fondamental, i cili është në të vërtetë në ngarkim të organizimit. Nuk është vetëm vetëdija në ulësen e drejtuesit të një makine, nuk është madje gjithmonë dhe aq e mirë që të vazhdohen studimet përgjatë kësaj. Disa komentatorë, në lidhje me funksionet e trurit, e kanë përdorur ndryshe imazhin e një drejtuesi që përpiqet të orientojë një elefant: ai i jep fund përpjekjes të lerë elefantin të shkojë ku të dojë dhe atëherë të arrijë të pretendojë se atje ku ai i ka thënë elefantit, atje duhet të shkojë.
Por larg nga zhvlerësimi i përdorimit të rrëfimit, mendoj se një vizion i tillë tregon sesi punon arsyeja- duke e bërë atë të jetë shumë më e rëndësishme. Duke i parë karakteret sesi luftojnë ti japin kuptim botës dhe duke i këqyrur ato sesi përpiqen, kuptohet shpesh pa sukses, që të lidhin bashkë vazhdimësinë e rrëfimit jashtë pandërprerjes së prag-kaosit, ne do të gjejmë një refleksion unik të kufizimeve dhe pashmangshmërinë e vetëdijes sonë konstante si edhe realitetit të krijuar. Në këtë rrugë, rrëfimi është gati më shumë realist sesa jo-rrëfimi, me pretendimin e tij për të njohur atë që shkon jashtëzakonisht apo ekziston i pavarur tek një njohës i përqendruar.
Cila është ideja juaj për Shqipërinë? Ndonjë gjë e veçantë që ju dini për këtë vend dhe që ua ka bërë interesante në njëfarë mënyre?
Duke folur si një njeri, që nuk ka udhëtuar kurrë në vendin tuaj (por që do t’i pëlqente shumë kjo) kam një imazh të Shqipërisë si një viktimë e historisë, e cila ka vuajtur gjatë dhe nga pushtuesit. Natyrisht që, Shqipëria e pjesës më të madhe te jetës sime, është shteti i Hoxhës. Mjafton, ky shpjegim i vetëm, i cili qëndron lehtësisht jashtë përballjes të lidhjeve të zakonshme të Luftës së Ftohtë, që e bëri atë të luajë një si rol unik në imagjinatën time, të vërtetë apo dhe ndryshe! Ka qenë shumë mbresëlënëse të shikoje rrugën që ka ndjekur vendi juaj pas vitit ’90, një rrugë me aq shumë ndryshime, jam i sigurt dhe dëshiroj që të shkojë mirë me anëtarësinë ne BE dhe përtej. Gjëja më mbresëlënëse për Shqipërinë për një shkrimtar, natyrisht, është niveli i lartë i pabesueshëm i arsimimit dhe serioziteti i gjallë me të cilin shqiptarët i janë afruar letërsisë. Më duket se librat tek ju- janë sërish pjesë e rrjedhës së përgjithshme, një kulture konsensuale në një mënyrë - që të tjerët e kanë ndaluar të jetë në shumë pjesë të tjera të globit, Lindje dhe Perëndim. Shpresoj që çfarëdo rruge politike dhe ekonomike që vendi do të marrë në vitet në vazhdim, dikur do të menaxhohet si duhet për të ruajtur këtë qendërsi të librit dhe faqes së shtypur në lidhje me jetën apo në shkallë të tjera të hapësirës dhe kohës”.