"Të kursejmë shpenzimet me dietat"
Qeveria fut administratën në kursim, duke shkurtuar shpenzimet për dietat e pajustifikuara, me qëllim që të sjellë një qëndrim të ri ndaj parave publike. "Nuk mund të them të marrë dietë një punonjës se shkon nga Tirana në Rinas, siç është në vendim", theksoi Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat. Kryeministri Berisha, duke përmendur buxhetin e vitit 2010, theksoi se ky qëndrim mbahet për të kursyer dhe jo për të shkurtuar shpenzimet. "Por do të marrë dietë mjaft më të lartë dhe do të trajtohet me dinjitet shumë më të madh, ai që për shkak të shërbimit do të detyrohet të flejë në Korçë, në Elbasan, në Vlorë, Gjirokastër apo Tropojë. Pra, do të ketë një përqasje të re, më dinjitoze ndaj të gjithë punonjësve dhe administratës në tërësi", tha Berisha. Kreu i qeverisë premtoi rritjen e rrogave për sistemin gjyqësor dhe organet e prokurorisë që nuk kanë përfituar rritjen e administratës publike dhe të gjyqtarëve kryesorë që, sipas tij, marrin rroga sa një ministër. "Do të gjendet në të gjitha mënyrat që sistemi gjyqësor, organet e prokurorisë, të cilat nuk kanë përfituar shkallën e rritjes së rrogave të administratës, në dialog të plotë dhe duke respektuar tërësisht frymën e ligjit, të mund t‘u gjendet edhe atyre një zgjidhje, pasi ligji i tyre kalon me 3/5-at", tha Berisha. Ai shtoi se Ministria e Financave dhe ministritë përkatëse duhet të gjejnë mënyrën që atyre t‘u jepet një shpërblim mujor. Në mbledhjen e grupit, Kryeministri thumboi dy herë kryesocialistin Edi Rama, në rastin e parë për zgjedhjet e pjesshme lokale, duke thënë se bojkoti penalizoi PS-në dhe për krijimin e një ministrie për fshatin. "Fshati meriton një qeveri dhe me një ministri nuk del dot as në rrugë", tha Berisha.