Fortesa e bin Ladenit, pranë akademisë ushtarake pakistaneze
Shtëpia në Abotabad të Pakistanit, ku u gjet dhe u vra Osama bin Ladeni, është të paktën gjashtë herë më e madhe sesa shtëpitë e zakonshme aty pranë. Abotabadi është një qytet ku banojnë shumë nga ushtarakët pakistanezë që dalin në pension. Kjo ka ngjallur dyshime dhe ka shtruar pyetjen se si ka mundësi që autoritetet pakistaneze, të mos e kenë ditur? Si ka mundësi që ata vetë nuk e kapën bin Ladenin? Osama bin Ladeni banoi në këtë shtëpi të madhe të paktën nëntë muaj. Disa ekspertë mendojnë se ai ka jetuar aty 6 vjet, pra që kur kompleksi mbaroi së ndërtuari. Muri rrethues, pesë metra i lartë, ka sipër tij tela me gjemba. Mbi njërën nga dhomat, mund të shikosh një antenë satelitore. Kompleksi është shumë më i madh sesa shtëpitë përreth. Ai gjendet në një distancë të shkurtër nga akademia ushtarake pakistaneze. Ish sekretarja e shtetit, Condoleezza Rice, komenton: "Kjo shtron pikëpyetje të rëndësishme, të cilave Pakistani duhet t’u përgjigjet, jo vetëm për ne, por për veten e tij". Pikëpyetje kanë edhe ligjvënësit në Uashington.
"Amerikanët pyesin, si ka mundësi që nuk u zbulua. A kemi të bëjmë këtu me një bashkëfajësi?" - pyet republikani Patrik Mihan. "Me gjithë paratë që kemi shpenzuar, si mund të krijojmë ne marrëdhënie besimi me presidentin e dobët pakistanez dhe me shërbimin e tyre të zbulimit, që është i papërgjegjshëm?" - kërkon të dijë demokratja Xheki Spajër. Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Pakistanit 20 miliardë dollarë, që nga sulmet terroriste të vitit 2001. Sipas disa analistëve, Pakistani mendonte se paratë do të shterronin nëse bin Ladeni kapej. Të tjerë thonë se dorëzimi i bin Ladenit do të ishte një rrezik politik për Pakistanin. Në një deklaratë qeveritare thuhet se Pakistani i dha CIA-s informacionet që i ndihmuan Shtetet e Bashkuara të gjente bin Ladenin. "Ishim ne që ia treguam vendndodhjen e tij zbulimit amerikan dhe nuk lejuam që ai të ikte nga kompleksi", - thotë komisioneri i lartë pakistanez në Britani, Waxhid Shamsul Hasan. "Mendoj se fjala aleat nuk duhet përdorur më", - thotë Lisa Kërtis, që punon për Fondacionin Heritage. Sipas saj, Pakistani nuk bëri sa duhet për të gjetur terroristin më të kërkuar të botës: "Kjo mund ta forcojë ndikimin e Presidentit Obama, për të bindur Pakistanin që të ndërmarrë veprime më të forta ndaj terroristëve, që ne e dimë se ndodhen atje". Marrëdhëniet pakistanezo-amerikane u tensionuan në fillim të këtij viti, kur Pakistani u kërkoi Shteteve të Bashkuara të pakësonin numrin e sulmeve me avionë pa pilot dhe të operativëve të CIA-s në Pakistan. Mirëpo, pa këta operativë, bin Ladeni mund të mos ishte eliminuar. Nga ana tjetër, Presidenti amerikan Obama ka vendosur të mos i publikojë fotografitë e kreut të al-Kaidës. Sekretari i Shtypit në Shtëpinë e Bardhë, Xhei Karni, u lexoi gazetarëve disa shpjegime që ka dhënë presidenti për këtë vendim.
“Është e rëndësishme që të mos qarkullohen fotografitë e një njeriu të qëlluar në kokë, sepse ato do të nxisnin dhunë të mëtejshme dhe do të ishin mjet propagandistik. Ne nuk mund ta bëjmë një gjë të tillë dhe nuk mund t’i mbajmë ato si trofe. Fakti është se ky njeri e meritonte atë që mori. Dhe mendoj se amerikanët dhe njerëzit në të gjithë botën janë të gëzuar që ai nuk është më”, - tha ai. Sipas z. Karni, Presidenti Obama tha se nuk kishte dyshim se forcat amerikane e kanë vrarë bin-Ladenin dhe se ky i fundit kishte marrë ndëshkimin që meritonte. Duke folur dje në Itali, Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton tha se terrorizmit të ushtruar nga bin-Ladeni po ja zenë vendin metoda të tjera të ndryshimeve shoqërore. “Ideologjia e tij e urrejtjes dhe dhunës, po kundërshtohet fatmirësisht nga popujt në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore, ndërsa njerëzit protestojnë kryesisht me mënyra paqësore, për një të ardhme më të mirë për vete dhe fëmijët e tyre”,- u shpreh ajo. Klinton tha se bin-Ladeni ishte në shënjestër të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj për gati 10 vjet. Ajo tha se vdekja e tij do ta bëjë botën më të sigurt dhe do t’i frymëzojë njerëzit që duan të ndërtojnë dhe jo ata që duan të shkatërrojnë.