E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhgënjimet e mia...

Autori i Lajmit: red.
Producentja dhe artistja Zana Çela rrëfen arritjet në karrierën e saj, jetën familjare dhe zhgënjimet që e kanë ndjekur gjatë këtyre viteve në skenë. Drejtuesja dhe organizatorja e “Star Akademi”, na tregon punën me të rinjtë, sadisfaksionet që i jep ky spektakël dhe pse ka zgjedhur një format të tillë, ku përveç talentit duhet të shfaqin edhe karakterin e tyre. Lidhur me këtë Zana shprehet: “Të shprehësh karakterin tënd është një detaj shumë i rëndësishëm në suksesin e çdo njeriu, pavarësisht nga profesioni që ai ka. Por për artistët, ky moment ka shumë rëndësi për vetë natyrën publike të performancës së tyre. Çdo shfaqje e tyre realizohet në publik, që do të thotë, vlerësohet njëkohësisht nga mijëra a ndoshta miliona spektatorë e teleshikues. E në morinë e artistëve, në vëmendje të publikut mbeten sigurisht ata që shfaqin një karakter tepër pozitiv, e që këtë pozitivitet ua përçojnë, madje injektojnë atyre (shikuesve)”.

Zana, u bënë disa vjet që punoni me të rinjtë dhe talentet e reja. Si ndiheni për këtë?
Ka mbi 10 vjet që veç projekteve me problematikë të ndryshme në fushën e kulturës dhe medias, në veçanti puna ime është ndalur në zbulimin dhe inkurajimin e të rinjve të talentuar. Mendoj se çdo intelektual që ka në biografinë e tij profesionale të akumuluar shumë eksperiencë, duhet ta trashëgojë e të ndihmojë brezin pasardhës, e ky mendoj se nuk është një mision për njerëz të veçantë, por është një detyrë për të gjithë ne. Sot kur në sistemin tonë shtetëror institucional mungojnë institucione të tilla kulturore për një edukim masiv të të gjithë fëmijëve e të rinjve, siç kanë qenë dikur shtëpitë apo qendrat kulturore, formate të tilla televizive si “Akademia e Yjeve”, janë të vetmet në drejtim të zbulimit dhe trajnimit të talenteve. Kur shikoj qindra të rinj të ardhur nga e gjithë Shqipëria, Kosova, Maqedonia, që në rreshta të gjatë presin me orë të tëra të bëjnë audicionin për të hyrë në Akademinë tonë, më rikonfirmohet mendimi se ky projekt duhet vazhduar vit pas viti, pasi duket se është shpresa e vetme e mbështetjes së talenteve në vendin tonë, një panoramë e tillë nuk ka sesi të mos emocionojë e japë energji pozitive për të realizuar me sukses edicionet e këtij projekti.

Ky program ka një format ku të rinjtë veçse shfaqin talentin, por edhe karakterin.
Pse keni zgjedhur këtë ?
Përzgjodha këtë format e jo disa të tjerë që kanë qëllim të prezantojnë vetëm talentin, pasi unë e di që një artist përzgjidhet nga publiku si më i preferuari në tregun muzikor, jo thjesht nga talenti që ai ka, por përzgjidhet si më i miri, më i dashuri për ta nga performanca e përgjithshme që ai prezanton ditë pas dite përgjatë karrierës së tij. E në këtë performancë vendin kryesor e zë karakteri, personaliteti që ai demonstron. Është ky karakter që bën që artistë të jenë të dashur, të afërt për publikun apo e kundërta të ndihen të ftohtë, të largët për ta. E pikërisht këtë leksion kaq të rëndësishëm, të rinjtë duhet ta mësojnë që në hapat e parë të karrierës së tyre. Mund të kesh një zë brilant, por nuk di të komunikosh bukur me art me publikun, e kjo bën që ai të mos të të duartrokasë mjaftueshëm asnjëherë. E kur them komunikim, kjo sigurisht ka të bëjë sa ti si artist di të përdorësh me art fjalën, por jo vetëm kaq, publiku të ndjen afër ose larg dhe nga mënyra sesi ti sillesh në skenë, madje ai (publiku) është i aftë të lexojë karakterin tënd si artist, qoftë dhe nga mënyra sesi i vështron ata, dhe ky detaj kaq i vogël në dukje ka shumë rëndësi në atë që quhet “arti i komunikimit”.

Sa i rëndësishëm është karakteri në art ?
Të shprehësh karakterin tënd, është një detaj shumë i rëndësishëm në suksesin e çdo njeriu, pavarësisht nga profesioni që ai ka. Por për artistët, ky moment ka shumë rëndësi për vetë natyrën publike të performancës së tyre. Çdo shfaqje e tyre realizohet në publik, që do të thotë, vlerësohet njëkohësisht nga mijëra a ndoshta miliona spektatorë e teleshikues. E në morinë e artistëve, në vëmendje të publikut mbeten sigurisht ata që shfaqin një karakter tepër pozitiv, e që këtë pozitivitet ia përçojnë, madje injektojnë atyre (shikuesve).

Si ka qenë rruga drejt karrierës artistike për ju dhe brezin tuaj dhe si është sot për të rinjtë?
Sigurisht, sinkron ndryshimeve të mëdha që ka pësuar shoqëria jonë, janë rritur dhe shanset për një artist të ri, që ai të gjejë e konsolidojë rrugën e karrierës së tij. Tashmë artisti nuk ndihet i detyruar të bëjë artin e tij vetëm këtu, tashmë mjafton të kesh talent, këmbëngulje dhe vullnet, shumë vullnet, e ti mund të bëhesh një STAR dhe në Itali, Francë, Amerikë, etj. Sot artistët shqiptarë kanë të drejtën e mbajtjes, edhe ata, të statusit internacional. E them këtë pasi një artist asfiksohet nëse do të qëndrojë gjithmonë në të njëjtën skenë. Ne atëherë kishim të drejtë të interpretonim vetëm në një skenë. Ky është ai ndryshimi i madh tepër fatlum për artistët e rinj që ëndërrojnë të bëjnë një karrierë sot.

Çfarë kënaqësie keni marrë nga këto vite që keni prodhuar këtë program?
Profesioni im, producente, është dhe pasioni im, pavarësisht nga projekti që realizoj në një moment të caktuar të vitit, unë vazhdimisht ndihem e emocionuar dhe e mbushur me sadisfaksion, si të ishte projekti im i parë. E po ashtu mundohem të dalloj në çdo detaj, nëse ka diçka për t u përmirësuar, a thua se është projekti im i parë. Ju mbase nuk mund ta besoni, por sa herë që kthehem në shtëpi mbas çdo spektakli, (gjithmonë jo para orës 24.30) unë nuk mund të fle pa e parë spektaklin, të paktën dy herë, pa analizuar me sy kritik çdo pjesë të tij. Këtë fakt e dinë gjithë kolegët e mi, e të nesërmen që në mëngjes, të gjithë më pyesin: Si ishim mbrëmë?

Zana, spektakli juaj prodhon artistë, madje në një edicion dalin shumë të tillë. Mendon se të gjithë e meritojnë të ecin në rrugën e artit apo arrijnë të gjithë ta ndjekin këtë rrugë ?
Gjatë katër muajve të trajnimit në “Akademinë e Yjeve”, të gjithë përfitojnë shumë trajnim falas, e po ashtu, shumë imazh. Imagjinoni të jesh çdo ditë për 4 muaj para kamerave e syrit të publikut, çfarë publiciteti përfiton. Unë mendoj se tashmë të gjithë, edhe ata që u eliminuan, janë në rrugën e karrierës artistike. Nëse do të vazhdojnë apo jo, kjo varet sa ata dhe familjet e tyre do të këmbëngulin e punojnë që kjo eksperiencë e marrë të mirëmenaxhohet e t u kthehet në profesion. Unë jam shumë optimiste, pasi dhjetëra e dhjetëra të rinj të dalë nga “Akademia e Yjeve”, sot kanë kontrata punësimi, megjithëse ende vazhdojnë shkollën, një gjë e tillë është shumë ndihmuese për ta dhe ekonominë e familjeve të tyre.

Për mendimin tuaj, çfarë duhet të ketë një i ri për t u bërë artist, çfarë cilësish?
Sigurisht duhet të ketë talent, të jetë i vetëdijshëm për talentin e tij, po mbi të gjitha, të ketë vullnet e të jetë këmbëngulës për të vazhduar, pavarësisht pengesave, luhatjeve që mund të ketë karriera e tij .Çdo i ri duhet që çdo ditë të jetë në kërkim të suksesit, një ambicie e tillë pozitive asnjëherë nuk të zhgënjen. Por të rinjtë duhet gjithashtu të punojnë shumë psikologjikisht, pasi skena nganjëherë të godet fort, me ose pa të drejtë, por kjo nuk duhet t i demoralizojë, ata duhet të mendojnë se nesër është një ditë e re që kërkon më shumë energji për t u përballuar; çdo eksperiencë, qoftë pozitive apo jo, gjithmonë është e vlefshme e duhet kaluar me pozitivitet.

Jeni e lumtur për arritjet tuaja sot?
Unë ndihem e lumtur, së pari, me familjen time, pasi çdo gjë që arrijmë në profesionet tona, i quajmë si arritje të përbashkëta; ndihem e lumtur se kam arritur të krijoj rreth vetes stafe të mëdha me profesionistë nga më kualitativët që ka sot Shqipëria; ndihem e lumtur se gjithmonë jam në kërkim të projekteve, të cilat nuk më shërbejnë vetëm mua personalisht për të rritur përmasat e mia si profesioniste: jo, më shumë ato u kanë shërbyer të rinjve për të konfirmuar talentin e tyre; dhe kur rreth këtyre projekteve aspirojnë të mblidhen jo vetëm të rinj shqiptarë, kudo që ndodhen, por nga e gjithë bota, siç është rasti i Festivalit Ndërkombëtar Operistik, sigurisht që ndihesh e lumtur.

Çfarë do të bëjë Zana pas përfundimit të këtij edicioni të “Star Akademisë”? Cilat janë projektet tuaja?
Aktualisht po punojmë për të realizuar turneun veror në qytetet kryesore të Shqipërisë, disa koncerte në Open-Air me finalistet e “Akademisë së Yjeve”, si dhe po punojmë për të realizuar edicionin e 10-të të Festivalit Ndërkombëtar Operistik të Shqipërisë.

Jeni një nga femrat që e ka ”mbërthyer” fort rininë. Vitet duket sikur nuk kalojnë për ju. Cili është sekreti ?
Mendoj se nuk ka sekrete në raste të tilla; është puna ajo që të mban në formë e me energji. Unë aktivizimin tim në këtë profesion e kam nisur që fëmijë, që do të thotë se jam mësuar me këtë ritëm që e vogël, e ndoshta prandaj nuk ndiej lodhje.

Cila ka qenë dita më e lumtur për Zana Çelën?
Lumturinë unë e gjej çdo ditë; kjo është psikoterapia më e mirë që mundohem t i bëj vetes; e gjej edhe në një realizim të vogël të punëve të zakonshme të ditës, e mundohem ta jetoj me lumturi, por sigurisht që çdo nënë lumturinë më të madhe e ndien kur fëmijët realizohen dhe kanë suksese në mësimet dhe profesionet e tyre.

Po zhgënjimi më i madh?
Zhgënjimet mundohem t i kthej në leksionet më të rëndësishme të jetës, që duhen kujtuar shpesh, në mënyrë që të ndodhin sa më rrallë.

Zana Çela
Gjithmonë vjen me ide e projekte të reja në fushën e spektaklit. Producentja dhe ideatorja e njohur Zana Çela, prezanton për të katërtin vit radhazi spektaklin më të ndjekur kohët e fundit “Akademia e Yjeve”. Zana Çela është producentja dhe themeluesja e Festivalit të Vokalit Operistik “Marie Kraja”, që i lindi si ide në vitin 1998, kur ajo punonte si nënrejtoreshë në Televizionin Shqiptar. Nevoja për të pasur edhe në skenën shqiptare një aktivitet që do të nxiste zhvillimin e talenteve të reja dhe përballjen e tyre me emra të tjerë të njohur botërorë e shtynë producenten Cela, e cila ka qenë edhe drejtore e TOB-it, që së bashku me shoqatën “Kulturë-Media-Art”, kryetare e së cilës është, të ideonte spektaklin “Marie Kraja”.
Ky lajm është publikuar: 30/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›