E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet lokale, sot votohet në 10 komuna

TIRANE- Në Shqipëri sot votohet në 10 komuna. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se ka marre te gjitha masat dhe ka pergatitur infrastrukturen e nevojshme per mbajtjen e tyre.

Sipas vendimit të miratuar nga KQZ, sot zgjedhësit e komunave Shllak dhe Shalë (Qarku Shkodër), të komunave Pishaj dhe Papër (Qarku Elbasan), komuna Mollas (Qarku Korçë), komuna Kolsh (Qarku Lezhë), komuna Armen dhe Finiq (Qarku Vlorë), komuna Qendër Skrapar (Qarku Berat) dhe komuna Zall Dardhë (Qarku Dibër), do të votojnë për kandiatët për kryetar komune dhe për këshillin e komunës.

Në dy komuna, Shllak dhe Shalë, nuk u zhvilluan zgjedhjet më 8 maj, ndërsa në 7 njësitë e tjera vendore u vërejtën parregullsi dhe KQZ vendosi përsëritjen e procesit zgjedhor. Është rreth 36 mijë numri i votuesve që kanë të drejtë të marrin pjesë në këtë proces të pjesshëm zgjedhor, ndërsa janë ngritur 102 qendra votimi.

Në një prononcim për mediat zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli, thotë se nga Komisioni Qendror janë marrë të gjitha masat për mbajtjen e një procesi të rregullt.

“Edhe pse kemi një shtrirje gjeografike nga Veriu në Jug të njësive ku do zhvillohen zgjedhjet, KQZ po vijon normalisht punën për shpërndarjen e bazës materiale zgjedhore pranë 9 KZAZ-ve, ndërsa nga subjektet politike nuk kemi pasur asnjë shqetësim në ngritjen e tyre”, tha zëdhënësi Olli.

Ai apeloi në adresë të subjekteve politike që komisionerët e tyre të jenë prezentë në të gjitha seancat e trajnimit dhe të sjellin në kohë anëtarët e grupeve të numërimit të votave, që të kenë mundësi të trajnohen. Olli thotë se është vënë re se problematikat më të mëdha vijnë në procesin e numërimit të votave, pasi anëtarët e GNV-ve nuk janë njohës të mirë të procedurës dhe kodit zgjedhor në raport me detyrat që ata kanë.

Në funksion të zhvillimit pa probleme të zgjedhjeve të pjesshme vendore të 31 korrikut pak ditë më parë Prezenca e OSBE-së në Tiranë mbështeti KQZ-në me pajisje në fushën e telekomunikacioneve. (atsh)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›