E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, lufta për Tiranën nis në shesh

PD mund të kandidojë Bashën. Katër skenarët e Ramës përballë zgjedhjeve lokale

Bashkia e Tiranës mund të konsiderohet kryebeteja e zgjedhjeve të ardhshme lokale. Teksa kemi hyrë zyrtarisht në vitin elektoral, mazhoranca ka filluar sulmin frontal ndaj kryebashkiakut Edi Rama në atë çka e cilëson projekti për sheshin “Skënderbej”. Ende mbetet në dilemë rikandidimi apo jo i Ramës për mandatin e katërt. Në krahun kundërshtar emri më i përfolur për të qenë kandidat në vitin 2011 është ministri aktual i Punëve të Brendshme, Lulzim Basha. Për të shkuar deri te çelja e fushatës zyrtare, shumica ka zgjedhur një strategji për të goditur gradualisht qeverisjen socialiste në bashkinë e kryeqytetit.

Skenarët e Ramës

Kandidimi apo jo i Edi Ramës për një tjetër mandat është një dilemë e madhe brenda Partisë Socialiste. Në të shkuarën, Rama nuk ka preferuar të qartësojë veprimet e tij, duke e lënë çdo gjë për në ditët e fundit të afatit zyrtar. Skenari i parë që mund të ndjekë Rama është ai i rikandidimit për një mandat të katërt. Sfidë kjo jo e lehtë, në një kohë kur kanë kaluar tri mandate që Bashkia e Tiranës drejtohet nga Partia Socialiste dhe konkretisht nga Rama. Kjo betejë do të ishte një barrë shumë e rëndë për Ramën, pasi humbja në këtë garë do të pasohej me probleme brenda Partisë Socialiste dhe tronditje të pozitave të tij në krye të selisë rozë. Me një pushtet lokal të humbur, me një opozitë pas një historie të gjatë bojkoti, Rama do ta kishte të vështirë të përballej me sulmet brenda partisë. Sakaq, në rast se do të dilte fitues, Rama do të ngrinte bindshëm aksionet e tij në politikë. Së pari do të vendoste një kontroll absolut në parti. Së dyti do të fitonte një garë që do të përkthehej si mbështetje për veprimet e deritanishme edhe pas 28 qershorit 2009. Së treti, Rama do të thyente një rekord, duke qenë i pari që fiton katër mandate rresht në drejtim të një pushteti kaq të rëndësishëm. Skenari i dyti i Ramës është moskandidimi në garën për Bashkinë e Tiranës. Në një rast të tillë Rama do të ruante një pozicion të qëndrueshëm në krye të partisë, duke mos koleksionuar një humbje apo fitore personale. Kalimi i mundshëm i Bashkisë së Tiranës në duart e Partisë Demokratike, do mund të menaxhohej më lehtësisht prej Ramës në cilësinë e kreut të partisë. Skenari i tretë është ai i bojkotit të zgjedhjeve të ardhshme lokale, për aq kohë sa nuk ka zgjidhje të kërkesës për transparencë të zgjedhjeve të 28 qershorit. Radikalizimi në një vendim të tillë do të çonte drejt një situate të paparashikuar politike brenda opozitës dhe ndoshta Lëvizja Socialiste për Integrim do të dilte përballë kandidatëve të Partisë Demokratike. Skenari i katërt është ai i mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme së bashku me ato për pushtetin lokal. Nëse do ndodhë kështu, gjasat janë që Edi Rama të mos kandidojë më për postin e kreut të bashkisë, por do të jetë në krye të listës për deputetë të Partisë Socialiste.

Skenari blu

Emri më favorit për të kandiduar përballë Edi Ramës apo një përfaqësuesi tjetër socialist për Bashkinë e Tiranës është Lulzim Basha. Ai u përfol edhe pak vite më parë, kur së bashku me Sokol Olldashin ishin dy rivalët e mundshëm të Ramës në garën për mandatin e tretë. Në atë kohë Olldashi u përzgjodh si emri i duhur për sfidën, por tanimë Basha duket se është “asi” nën mëngë për t’u ngjitur në podiumin e kandidatëve. Liberalizimi i vizave për shqiptarët do të “shitet” padyshim si një sukses edhe i ministrit të Brendshëm, deri dje ministër i Punëve të Jashtme në qeverisjen e demokratëve. Sakaq, Basha ka marrëdhënie shumë të mira me kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, afrimitet që mund ta ndihmojë goxha në garën e tij për të marrë drejtimin e Bashkisë së Tiranës. Deri më tani nuk ka një figurë tjetër, e cila të ketë krijuar aq kredite sa të mund të rivalizonte bindshëm Ramën për kolltukun e bashkisë. Në një prononcim publik, teksa është pyetur për diçka të tillë, Basha e ka lënë të hapur mundësinë, duke mos mohuar asgjë. Teksa ka të sigurt besimin e Kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha, mbetet për t’u parë qëndrimi i nënkryetares Jozefina Topalli ndaj tij. Të konsideruar si dy “delfinë” brenda selisë blu, ata janë përfolur njëkohësisht si pretendentët për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike pas largimit të Sali Berishës. Ngjitja e Bashës në krye të Bashkisë së Tiranës do mund të përkthehej nga Topalli si një fuqizim i tij. Rrjedhimisht Kryetarja aktuale e Kuvendit mund të punojë “nën rrogoz” për të penguar kandidimin e Bashës për Bashkinë e Tiranës.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›