E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet ne Bjellorusi OSBE shqetesim per situaten

Vëzhguesit ndërkombëtarë në Bjellorusi kërkojnë përgjigje pas arrestimit të qindra protestuesve të opozitës dhe disa kandidatëve, pas zgjedhjeve të diskutueshme të vendit. Kreu i misionit vëzhgues të OSBE-së, në Minsk, Toni Lloid, kërkon që presidenti aktual Aleksandër Lukashenko të tregojë se ku ndodhen të arrestuarit, duke përfshirë dhe një kandidat i cili është marr nga shtrati i tij në spital.

"Sulmet e dhunshme dhe arrestimet e mëvonshme të disa prej kandidatëve presidenciale dhe qindra aktivistëve, gazetarëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, janë sfondi i gjykimit të këtyre zgjedhjeve”, tha Tony Lloyd, Misioni vëzhgues i OSBE, Bjellorusi.

Liderët e opozitës mbajtën një protestë të madhe pas mbylljes së votimit, në Sheshin qëndror të kryeqytetit, October Square. Por ajo që nisi si një protestë paqësore u shndërrua në një përplasje të dhunshme mes policëve dhe demostruesve. Familjarë të të arrestuarve kanë ngritur kampe jashtë një burgu në Minsk, në pritje të lajmeve.

Bashkëshortja e liderit opozitar të Bjellorusisë, Vladimir Nekljajev, i cili është keqtrajtuar nga policia tha se ajo nuk e di se ku mbahet ai i arrestuar, pasi policia e morri atë nga spitali ku po kuronte plagët. Olga Nekljajeva tha se ajo është përpjekur më kot të mësojë nga autoritetet se ku ndodhet bashkëshorti i saj. Lukashenko deklaroi fitoren të hënën, dhe zyrtarët deklaruan se ai fitoi me 80 për qind të votave. Opozita e vendit e ka akuzuar prej kohësh presidentin për manipulim votash, që kur ai erdhi në pushtet në 1994.

Anisa Braho

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›