E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet në Holandë, zgjedhjet në Shqipëri

Ishte një pamje që për Shqipërinë zor se mund të imagjinohet edhe për disa vite të tjera. E gjendur në sallën e parlamentit në Hagë një grup gazetarësh nga Ballkani, (Shqipëria, Kosova, Serbia, Maqedonia) po ndiqnim drejtpërsëdrejti debatin e fundit mes liderëve kryesorë të politikës vendase, të cilët ditën e djeshme zhvilluan zgjedhjet e përgjithshme, pas rrëzimit të kabinetit të drejtuar nga kryeministri aktual Jan Peter Balkenede, në 20 shkurt të këtij viti. Dhe në këtë debat, bashkë me të ishte edhe lideri i laburistëve, Job Cohen, liberali i djathtë, Mark Rutte që është favorit për kandidat për kryeministër pas zgjedhjeve, apo edhe populisti i Partisë për Liri, Geert Wilders, së bashku me liderët e katër partive të tjera të vogla që morën pjesë në zgjedhje. Secili nga ne, ndërsa shikonte tetë liderët e partive të vogla dhe të mëdha, tek debatonin që nga kriza e politikës holandeze deri tek çështjet e ekonomisë, nuk e mendonte dhe nuk e imagjinonte një skenë të tillë në vendin nga ku vinte, në një debat të tillë të hapur mes liderëve.
Vëmendja ime u fokusua te dy liderët tanë kryesorë politikë, Berisha e Rama. A mund të organizohet dot në Shqipëri një debat i tillë “live” nga salla e Kuvendit, ku të mos jenë vetëm këta dy politikanë, por ku të gjenden ballë për ballë edhe Meta e Ndoka, e Gjinushi me Mediun, apo edhe Veliaj apo Starova. Sigurisht, këtë pamje vetëm mund ta imagjinosh, sepse kultura e debatit politik në Shqipëri kërkon vite e vite për t’u afruar me vende të tilla si Holanda.
Kryeministri që dukej qartazi se po e linte detyrën, shkëmbente batuta dhe gjendej në krah të kandidatit të ardhshëm, që me shumë gjasë do t’i zërë vendin, Mark Rutte.
Ndërsa përballesh me këtë skenë që ka pak të ngjarë të imagjinohet në Shqipëri (dhe që ka të bëjë me kulturën e bashkëpunimit të partive politike, duke e konsideruar rivalin si kundërshtar, por jo si armik), një nga kolegët e medias serbe kërkon informacion se si është e mundur që në rrugët e qytetit nuk sheh postera, billbordera, emrat e kandidatëve në letra të ngjitura në mure e sloganet e tyre. “Po të isha në Beograd, ndonjë poster i ndonjë kandidati do të më dilte nga frigoriferi”, ironizon kolegu, duke lënë pa fjalë zyrtarët e ministrisë që na shoqëronin në turin tonë. Ata habiten, duke të sqaruar me kortezi se lufta e vërtetë e kandidatëve zhvillohet jo në rrugë, por më së shumti në televizione e gazeta. Njerëzit në Holandë kanë uri të madhe për shtypin e shkruar, ku rënia e tirazheve të tyre, ndryshe nga vende të tjera, sigurisht ka ardhur, por vetëm në masën 10 për qind. Unë nuk flas, as nuk bëj koment, në sytë e atyre që na shohin sikur të vijmë nga një kontinent tjetër dhe jo nga Ballkani që pret të integrohet në BE. Sepse do të më duhej të thosha se kjo puna e posterave në Shqipëri është më keq se frigoriferi. është në çdo dritare, në çdo hapësirë publike, në çdo park e lulishte. Syri yt në asnjë mënyrë nuk duhet të ketë qetësi vështrimi. Përballë tyre në çdo moment duhet të shfaqet, Berisha, Rama apo Meta. Sepse në Shqipëri forcat politike mund të debatojnë edhe për ditë të tëra se cilat janë hapësirat publike të gjithsecilës parti për të vendosur posterat e vetë, me harxhime të shumta parash të taksapaguesve shqiptarë apo biznesmenë të detyruar të paguajnë faturat që u lënë në dorë liderët. Kështu që preferoj heshtjen dhe të konstatoj me veten time faktin se, sikur ambasada e mbretërisë së Holandës në Shqipëri të mos kishte organizuar këtë tur për zgjedhjet në Holandë, s’do ta kisha marrë vesh se në këtë vend zhvillohen zgjedhje, nëse do të isha në një udhëtim turistik, sepse nuk kishte asnjë shenjë për to.
Por ndërkaq, i jap vetes mundësi të pyes për mënyrën e votimit, kur dhe si zhvillohen zgjedhjet. Aspekti mund të jetë teknik në dukje, por është sherrnaja e përhershme e politikanëve shqiptarë. 12 milionë holandezë janë regjistruar të votojnë në zgjedhje. Në nivelin kombëtar pushteti legjislativ është sigurisht te parlamenti dydhomësh. Dhoma e Përfaqësuesve ka 150 anëtarë, të cilët zgjidhen për një mandat katërvjeçar me sistem proporcional. Ndërsa senati ka 75 anëtarë. Por holandezët votuan ditën e djeshme, (pra të mërkurë) dhe një nga arsyet që nuk votohet të dielën është jo vetëm tradita, por edhe kërkesa e partisë Kristiane, e cila ruan të veçantën e së dielës, ku qytetarët duhet t’u drejtohen ose jo kishave (religjionit të tyre). Kjo parti nuk përfaqësohet me shumë anëtarë në parlament, por duket se për këtë çështje ka pasur ndikim maksimal. E meqë e mërkura është një ditë pune, holandezët votojnë kudo: Metro, trena, bare, supermarkete, qendra votimi etj, etj, vende të cilat janë zgjedhur nga komisioni që administron zgjedhjet. Po si mund të pyesësh p.sh, se ç’hyn në punë një kuti në supermarket, që mund të jetë pronë e një militanti të kryeministrit aktual, apo atij që shpreson të jetë kryeministër!!!! Nuk e bën fare këtë pyetje, sepse holandezët këtë nuk e kuptojnë. Fundja, se mos janë në Shqipëri, ku qendrat e votimit për partinë në pushtet vendosen në një të tretat e tyre, në bastionet e militantëve përkatës për të ruajtur votat….Dhe zyrtarët që na shoqërojnë por edhe gazetarë, sqarojnë se vende të tilla publike janë zgjedhur edhe për faktin se qytetarët e kanë të mërkurën ditë pune, dhe ata mund të votojnë sa më afër vendeve ku janë për shkak të mungesës së kohës. Deri në zgjedhjet e kaluara holandezët kanë votuar në mënyrë elektronike. Por ditën e djeshme kanë votuar me stilolaps të kuq. Arsyeja është fare e thjeshtë: ka pasur probleme me numërimin e votave elektronikisht. Si probleme? Pak kohë më parë kryeministri i vendit tim, Sali Berisha deklaroi se në zgjedhjet e ardhshme do të votohet elektronikisht. Në Amerikë, po ashtu votohet. Edhe këtu në Holandë probleme me numërimin kompjuterik? Po, dhe të gjitha forcat kanë vendosur të votohet me stilolaps. Dhe pyes: ah, pas kësaj do të duhet kohë për numërimin e votave? “Jo, - më thonë zyrtarët, - maksimumi në mesnatë, ose herët paradite do të kemi një shifër të qartë se kush ka marrë më shumë vende në parlament dhe cilat do të jenë partitë që do të bëjnë koalicionin për të krijuar qeverinë. Po pse pyet kaq shumë?” ç’të tregosh? Të thuash se në Shqipëri ka që nga qershori i vitit të kaluar që opozita konteston zgjedhjet. Ju këtu keni 12 milionë zgjedhës dhe thoni se rezultatin e nxirrni nesër, ne në Shqipëri kemi vetëm 3 milionë votues, por rezultati nuk del as pas 3 muajsh. E pse? Vjen pyetja më e sinqertë prej tyre, por që do të ishte e pakuptimtë ti jepje përgjigjen që ne shqiptarët e dimë: sepse partitë politike, nëpërmjet komisionerëve të tyre, e bllokojnë qëllimisht procesin. Sepse, vota në Shqipëri nuk lexohet sikurse hidhet në kuti, lexohet sikurse është blerë komisioneri i radhës, apo cila parti ka investuar më shumë për të blerë votat. Sepse te ne votojnë edhe qytetarë që nuk janë fare në Shqipëri, por që kanë këtu vetëm familjarët e tyre… sepse…sepse…sepse…ka shumë të tilla, duhet patjetër t’u lexosh zyrtarëve holandezë raportin e OSBE-ODIHR. Ata e kanë më të thjeshtë, nuk kanë probleme të tilla, kanë probleme të mbrojtjes së të drejtave të kafshëve, të komunitetit homoseksual, të liberalizimit të tepërt të hashashit apo redlights districts, të gjërave të ndaluara apo të turpshme për Shqipërinë, por që kanë më shumë domethënie për shoqërinë e tyre në Holandë.
Dhe pas gjithë këtyre bisedave, kontradiktave, moskuptimeve, kthehesh në realitetin dhe politikën e vendit tënd. Sigurisht nuk jemi holandezë, jemi shqiptarë, nuk bëhemi dot evropianë dhe nga gjithë këto moskuptime që kemi me botën evropiane, nuk na duan brenda familjes së tyre. Na shohin si “mish i huaj”. Në Holandë, në çdo organ mediatik apo në shoqatat e gazetarëve nuk ishin shumë të informuar për zhvillimet e viteve të fundit në Ballkan. As për politikën në zonën tonë, ashtu të paktën sikur ne njohim Holandën dhe vende të tjera evropiane. Nuk është kompleks inferioriteti, është kuriozitet për të ditur pak më shumë. Pjesa më e madhe e mediave holandeze, edhe ato ndërkombëtare kishin hequr prej kohësh korrespondentët e tyre nga Ballkani (në Serbi më tepër, se për Shqipërinë as mund të flitej). Shoqata mediatike “Press Now”, që financon projekte mediatike në vende të rriskuara për lirinë e medias, është tërhequr pjesërisht nga Ballkani, në Shqipëri nuk ka asnjë projekt sepse liria e medias është e garantuar….Dhe ti e dëgjon këtë në Hagë dhe thua: vërtet kështu të jenë raportet për vendin tënd? Ky konstatim ka anën e mirë, duke të konsideruar si një vend stabël. Por që në fakt nuk jemi...atëherë vjen ajo pyetja e fundit: Pse Holanda është ndoshta një ndër shtetet evropiane më skeptike për hyrjen e Shqipërisë në BE, apo të të gjithë Ballkanit? Dhe përgjigja: Sepse nuk janë plotësuar kushtet e parametrat e një vendi evropian…atëherë nuk të mbetet gjë tjetër. Bën mirë të bësh gati valixhet e të kthehesh në atdheun tënd, aty ku ende Berisha dhe Rama nuk ulen në tavolinë, e ku ndërkombëtarët bëjnë gjoja sikur duan të zgjidhin situatën. Por ti ke parë dhe di diçka më shumë për zgjedhjet dhe demokracinë, dhe ndihesh keq tek sheh realitetin e pashpresë në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›