E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet në Kashar, opozita merr komisionet

Zgjedhjet në Komunën e Kasharit do të menaxhohen nga të majtët. 

Shorti i hedhur dje në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka zgjedhur PS-në fitues, duke bërë çdo komision që do të menaxhojë zgjedhjet e 27 korrikut për Komunën Kashar të kenë një raport 7 me 6, në favor të së majtës. Opozita pritet të ketë peshën më të madhe në këtë komision, ndërsa sipas ligjit, Kodit Zgjedhor, sekretari i komisioneve do të jetë përfaqësues i maxhorancës. Presidenti Bamir Topi pas arrestimit të kreut të Komunës së Kasharit, i cili po hetohet në lidhje me skandalin e pronave, vendosi që votimet të realizohen më datën 27 korrik. Votimet për këtë komunë do të bëhen vetëm për kryetarin dhe jo për këshillin e kësaj komune. Pas këtij vendimi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur menjëherë punën për përgatitjen e zgjedhjeve në këtë komunë. KQZ-ja gjithashtu, miratoi disa afate procedurale që lidhen me zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme për kryetarin e Komunës Kashar. Në KQZ këtë mbledhje u shqyrtuan edhe modelet e reja të formularëve për KZQV-të, KQV-të, Grupet e numërimit dhe vulat e të gjitha komisioneve, që do të merren me administrimin e zgjedhjeve. Sipas ligjit, më datën 27 qershor duhet të nisë edhe fushata zgjedhore e partive për këtë komunë që ndodhet në periferi të Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›