E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fishekët, Ylli Pinari tradhton Diverolin

Ylli Pinari “tradhton” ortakun e tij amerikan Efraim Diveroli në biznesin e shitjes së fishekëve kinezë që dërgoheshin në Kabul. 

Ish-drejtori 55-vjeçar i ndërmarrjes MEICO është marrë dje në pyetje në Burgun 313 nga një prokuror i Prokurorisë së Përgjithshme, që po heton trafikun e armëve nga Shqipëria.  Mësohet se pyetja e Ylli Pinarit është bërë në prani të avokatit të tij mbrojtjes dhe për këtë shkak, gjithçka ka thënë dje ish-kreu i MEICO-s mund të përdoret nga Prokuroria si provë ndaj 55-vjeçarit ose të implikuarve të tjerë në këtë çështje. “Efraim Diveroli e dinte se po blinte municion kinez”, ka qenë fjala bombë që Ylli Pinari ka artikuluar para prokurorit të Prokurorisë së Përgjithshme. Një dëshmi e tillë e Ylli Pinarit, nëse provohet si e vërtetë, rrëzon pretendimet e Efraim Diverolit, se ai nuk e kishte ditur se po blinte fishekë kinezë, pasi pala shqiptare e kishte mashtruar duke ia prezantuar atij situatën ndryshe. Më tej në deklarimet e tij, Ylli Pinari mësohet se nuk ka pranuar se ka qenë në dijeni të fshehjes së origjinës së fishekëve që po i shiteshin kompanisë AEY. Një gjë e tillë është konsideruar e panevojshme nga Pinari, i cili që në fillim të deklarimeve ka thënë se kompanisë AEY të tenderuar nga Departamenti i Shtetit nuk i ishte fshehur asgjë, duke përfshirë këtu edhe origjinën kineze apo vjetërsinë e fishekëve shqiptarë. Marrja e dëshmisë së Ylli Pinarit është bërë nga Prokuroria e Përgjithshme në Tiranë vetëm pak ditë pas arrestimit të “ortakut” të tij në SHBA, Efraim Diveroli dhe zhvillimit të një seance dëgjimore në Kongresin amerikan, ku u bënë akuza për dhënien e kontratës për kompaninë AEY. Kjo kompani dhe kreu i saj Diveroli, akuzohen në SHBA, se në kundërshtim me ligjet amerikane blenë municion kinez në Shqipëri, duke ia fshehur fishekëve origjinën dhe mbishkrimet kineze. Në deklarimet e tij të mëtejshme para prokurorit dhe në prani të avokatit, Ylli Pinari është shprehur se ka zbatuar vetëm urdhrat e ministrit të Mbrojtjes, rregulloret e këtij dikasteri dhe ligjet e shtetit shqiptar. Dëshmia e tij më pas është përqendruar në detaje të takimeve mes Pinarit dhe Diverolit si dhe ndërmjetësit të këtij të fundit, Henri Tomei, i cili kishte negociuar kushtet e nënshkrimit të kontratës për shitjen e fishekëve që çoheshin nga Shqipëria në Afganistan. Ish-kreu i MEICO-s, i shkarkuar nga kjo detyrë një muaj pas arrestimit më 18 mars 2008, ka dëshmuar më tej për shkakun e rritjes së çmimit të fishekëve pas largimit të Kosta Trebickës nga ky transaksion dhe hyrjes në lojë të subjektit misterioz EVDIN Ldt me qendër në Qipro. “Kontrata mes ndërmarrjes MEICO dhe kompanisë AEY është nënshkruar më 18 maj 2007. Ajo përmban vitin dhe vendin e prodhimit të municioneve objekt i kontratës”, ka thënë Ylli Pinari, duke shtuar se AEY kishte autorizuar kompaninë EVDIN Ltd dhe se gjithçka që vinte nga bashkëpunimi i dy subjekteve ishte një çështje që nuk i përkiste ndërmarrjes MEICO. Ish-kreu i kësaj ndërmarrje, Ylli Pinari, ka këmbëngulur se dokumentacioni ka qenë i rregullt sipas ligjeve dhe kontratës së nënshkruar mes palëve. Në bazë të kësaj kontrate, e cila është mbyllur më 27 nëntor 2007, ndërmarrja e import-eksportit të armëve dhe municioneve MEICO në Tiranë, i ka shitur kompanisë amerikane AEY 35 ngarkesa që u nisën nga Rinasi me avionë drejt Kabulit.                         t.s/f.mc

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›