E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet në Kosovë, Europa: Serbët duhet të marrin pjesë

Autoritetet vendore dhe ndërkombëtare kanë përsëritur ftesën drejtuar komunitetit serb për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit në Kosovë. Ata thonë se pjesëmarrja e serbëve në votime është faktor kyç për formimin e komunave të reja që do të udhëhiqen nga ky komunitet. Graçanica, Kllokoti dhe Ranillugu janë tri komunat me shumicë serbe, që pritet të themelohen në fazën e parë pas zgjedhjeve.
Krijimi i Komunës së re të Ranillugut në lindje të Kosovës dhe ftesa për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale për serbët e këtij rajoni, ka bërë që shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith, të qëndrojë në Kamenicë dhe në Ranillug. "Ne po i presim zgjedhjet e lira dhe të drejta më 15 nëntor me pjesëmarrje të mirë të të gjithë qytetarëve të komunës. Shpresojmë se edhe komuniteti serb do të përgjigjet pozitivisht dhe do të marrë pjesë në mënyrë aktive", ka deklaruar z.Feith.
Gjatë një dreke pune me kandidatët për kryetar të Komunës së Ranillugut, Gradimir Mikiq dhe Perica Angjelkoviq, ai ka theksuar se zgjedhjet do ta legjitimojnë këtë komunë të re. "Po presim formimin e komunave të reja legjitime që do të dalin nga zgjedhjet, të cilat do të funksionojnë në përputhje me ligjet e Kosovës. Kjo do të krijojë një epokë të re në Kosovë. Të mos spekulojmë, të shpresojmë që sa më shumë serbë të dalin në zgjedhje", është shprehur Feith.
Edhe kandidatët për kryetar të Komunës së Ranillugut, Gradimir Mikiq dhe Perica Angjelkoviq, kanë shprehur bindjen se serbët do t‘u përgjigjen thirrjeve për pjesëmarrje në zgjedhje. "Mendoj që janë përmbushur kushtet që serbët të dalin e të votojnë. Realisht gjendemi në një situatë specifike. Është një moment shumë i favorshëm për ne, në mënyrë që të mund të bëjmë më të mirën për serbët. Është një rast i mirë, që nuk duhet të na ikë", deklaroi Mikiq.
"Ajo që ne po përpiqemi të bëjmë, është që t‘i bindim njerëzit që të dalin në zgjedhje, duke u treguar rëndësinë e daljes dhe të mirat që u sjell atyre votimi, sidomos në procesin e decentralizimit, për formimin e Komunës së Ranillugut", tha Angjelkoviq.
Thirrje serbëve për të marrë pjesë në zgjedhjet e 15 nëntorit u ka bërë edhe ambasadori gjerman, Hans Dieter Steinbach. "Ne presim që brenda pak javëve të mbahen zgjedhje të lira, demokratike dhe transparente dhe, natyrisht, do të ishte e mirëseardhur dalja në zgjedhje e të gjithë qytetarëve. Këtu i referohem në veçanti komunitetit serb, sepse kjo do t‘u mundësonte serbëve që të marrin fatin në duart e tyre sa u përket politikave lokale dhe të ardhmes së tyre në këtë vend", tha ambasadori Steinbach. Ai nënvizoi se zgjedhjet e nëntorit janë një element i rëndësishëm për imazhin e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë.
Nga 74 subjekte politike që marrin pjesë në zgjedhjet komunale, rreth 20 janë serbe. Procesi zgjedhor organizohet në 36 komuna, ndërsa të drejtë vote do të kenë mbi 1.5 milionë kosovarë. Zgjedhjet nuk do të mbahen në Mitrovicën Veriore dhe në Partesh "për mungesë kushtesh". Në këto dy vendbanime me shumicë serbe, është paraparë mbajtja e zgjedhjeve të posaçme gjashtë muaj më vonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›