Zgjedhjet në Kosovë, rezultatet do të shpallen javën tjetër
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë pritet të shpallë rezultatet zyrtare jo më parë se fillimi i javës së ardhshme. Shkak për këtë është bërë vendimi i Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, sipas të cilit duhet të pritet përfundimi i paraqitjes së ankesave të subjekteve politike në këtë institucion. Lidhja Demokratike e Kosovës, pretendon të ketë shënuar fitore në Prizren, në Lipjan dhe në Gjilan dhe se rezultati atje është manipuluar. KQZ ndërkohë thotë se duhet pritur numërimi i votave me kusht, ndërsa Partia Demokratike thotë se fitorja është e saj. Ditë më parë, zyrtarë të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve deklaruan se gjatë ditës së martë do të fillonte verifikimi i fletëvotimeve me kusht për komunat, në të cilat u zhvillua balotazhi të dielën, ndërsa tani bëhet e ditur se ky proces ka përjashtuar komunën e Lipjanit, atë të Prizrenit, Mitrovicës dhe Kamenicës. Koordinatori i QNR-së, Burim Ahmetaj, thotë se për të filluar verifikimi i votave me kusht për këto komuna, duhet të pritet përfundimi i afatit kohor, gjatë të cilit partitë politike do të mund të paraqesin ankesat e tyre. “Ka ndërhyrë KZAP-i me ankesa. Jemi në pritje të përfundimit të afatit të ankesave dhe atëherë do të mund të veprojmë”, thotë Ahmetaj. Përfaqësues të Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa thonë se procesi i paraqitjes dhe i shqyrtimit të ankesave të partive politike nuk do të duhej të ndërhynte në procesin e verifikimit dhe të numërimit të votave me kusht.
Kryetari i këtij Komisioni, Tahir Reçaj, thekson se ndërprerja e punës për verifikimin e fletëvotimeve me kusht për disa komuna të caktuara duket të ketë qenë vendim i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. “Unë nuk besoj që ka asnjë pengesë që KQZ-ja të bëjë numërimin e këtyre votave, sepse këto nuk janë të lidhura me ankesat. Ndërsa, certifikimi i rezultateve përfundimtare nuk do të mund të bëhet para se Komisioni për Ankesa dhe Parashtresa të marrë një vendim përfundimtar lidhur me këto ankesa”, shprehet Rrecaj. Ai bën të ditur se ka pranuar 47 ankesa nga subjekte të ndryshme politike që u përkasin rajoneve të ndryshme, por këto ankesa kryesisht vijnë nga rajoni i Prizrenit, Gjilanit, Kamenicës dhe Lipjanit. Ai vlerëson se procesi i shqyrtimit të të gjitha ankesave që kanë arritur dhe që po vazhdojnë të arrijnë në këtë institucion, sipas të gjitha gjasave, nuk do të mund të kryhet para përfundimit të javës së ardhshme. “Këto ankesa komisioni i ka marrë menjëherë në punë dhe do t’i shqyrtojë. Mirëpo, procedurat na obligojnë që një kopje të ankesës t’ia dërgojmë palës kundërshtare dhe t’ia lëmë një afat, që zakonisht është treditor, brenda të cilit pala kundërshtare mund ta kundërshtojë ankesën dhe të ofrojë eventualisht prova dhe dëshmi kundër ankimeve të pretenduara”, bën të ditur Rreçaj.
Maqedoni
Partitë shqiptare, thirrje Gruevskit për emrin
Partnerët shqiptarë të koalicionit qeverisës në Maqedoni paralajmërojnë partinë e kryeministrit Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE, të ndryshojë qëndrimin për çështjen e emrit dhe të përparojë në rrugën drejt Europës. “Maqedonia nuk ka alternativa, nëse bllokohet procesi integrues”, tha Deputetja e Bashkimit Demoratik për Integrim, Ermira Mehmeti. Deklaratat e zonjës Mehmeti vijnë pas shfaqjes së një tensioni mes partisë kryesore qeverisëse VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së. Subjektet shqiptare nuk pranojnë qëndrimet e VMRO-DPMNE, e cila nuk e konsideron si kusht të domosdoshëm intgrimin e vendit në strukturat euro-atlantike.
17 Dhjetor 2009