E Diel, 1 Nëntor 2026

Në “Ditët e albanologjisë”, një ekspozitë e thesareve të antikitetit shqiptar

Izaura Ndoj
“Ditët e albanologjisë”, si një kurorëzim i studimeve kërkimore e shkencore të Qendrës së Studimeve Arkeogjike sollën në mjediset e kësaj qendre një ekspozitë të thesareve të antikitetit dhe kulturës shqiptare. Para vizitorëve u shfaqën veshje tradicionale të krahinave të ndryshme si xhubleta, përparëse grash, vëth, varëse, jelekë, fragmente çarçafësh të shekullit të 19-të të zonës së Prizrenit. Ngjyra dhe vlera që dikur kanë qenë edhe veshja e përditshme e banorëve të zonave të ndryshme, u ekspozuan për publikun. Qëllimi i kësaj ekspozite ka qenë njohja e vlerave dhe thesareve të kulturës materiale shqiptare. Sipas drejtorit të Qendrës Studimore Albanologjike, Ardian Marrashi, pjesë e kësaj ekspozite janë të gjithë sepse ajo është pjesë e identitetit tonë ndër vite. Veshjet popullore, janë pa dyshim një nga manifestimet më të fuqishme të kulturës tradicionale. Ato janë trashëguese e transmetuese të shumë elementëve, që vijnë nga lashtësia dhe nga koha e mesme, por janë njëkohësisht edhe shprehje e marrëdhënieve kulturore me popuj të tjerë gjatë shekujve. Veshjet e ekspozuara ishin veshje që të kujtojnë veshjet mesjetare, me ndikime bizantine e orientale, të tjera që vijnë si një jehonë e kohës antike, por ka edhe elementë, që mund të lidhen me kulturën ilire. Falë këtyre elementeve të trashëguar që datojnë që nga periudhat e Paleolitit e deri në ditët tona veshjet popullore kanë arritur të fitojnë një varg tiparesh origjinale, që marrin vlerat e një treguesi etnik, i cili i dallon veshjet shqiptare nga ato të popujve të tjerë. Të pranishëm gjatë hapjes së ekspozitës ishte Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli së bashku me autoritete të arkeologjisë, akademikë e përfaqësues të trupit diplomatik të cilët vizituan këtë ekspozitë të veçantë të vëzhgimeve arkeologjike që nxjerrin në dritë fakte të qytetërimit shqiptar në shekuj. Kryetarja e Kuvendit vizitoi me radhë pavijonet e periudhave historike, duke vlerësuar hulumtimin dhe promovimin e gjurmëve historike, të trashëgimisë materiale e shpirtërore të kulturës së lashtë e të re shqiptare, si një ndër dëshmitë më të qenësishme të identitetit shqiptar. Shtresimet e antikitetit shqiptar paraqitur në stendat e ekspozitës përmes zbulimeve të shumta arkeologjike, objekte, qeramika, terakota, apo zbukurime që u përkisnin fiseve ilire, paraardhësve të drejtpërdrejt të shqiptarëve, shoqëruar edhe me ekspozimin e veshjeve tradicionale të krahinave të ndryshme të Shqipërisë, risollën në vëmendje përmes kësaj ekspozite, traditën, historinë dhe kulturën e lashtë unike shqiptare. Po dje u hap sesioni shkencor "Vepra Postum" për "Nikollë Dakaj, vlerat e një autori të rizbuluar". Në këtë sesion shkencor referojnë Kolec Topalli, Agron Tufa, Primo Shllaku etj. Në mbyllje të ditës ë tretë të albanologjisë u bënë dhe disa aktivitete të tjera, siç janë disa kumtesa për "Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, vepra e plotë e autorëve të pushkatuar" dhe një tryezë e rrumbullakët me temën "Strategjitë e zhvillimit të Arkeologjisë Shqiptare".

17 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›