Zgjedhjet në Libi, Berisha: Një fitore e madhe për popullin libian
Tiranë- Kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të lira në Libi duke i cilësuar ato si një fitore e madhe për popullin libian.
Përmes një deklarate për shtyp zoti Berisha shtoi se zgjedhjet e fundjaves në Libi ishin një fitore e madhe pas pesë dekadash diktature në vend.
Këto zgjedhje ishin kurorëzimi më i çmuar i përpjekjeve dhe sakrificave të jashtëzakonshme që qytetarët liridashës të Libisë mike bënë gjatë pranverës arabe, për çlirimin e tyre nga diktatura paranojake e famëkeqit Gedafi dhe klika e tij barbare. Zgjedhjet e para të lira në 50 vitet e fundit janë themeli i ndërtimit të idealeve të lirisë, demokracisë dhe shoqërisë së lirë.
Duke përcjelle urimet më të mira të qeverisë shqiptare për këtë arritje të madhe historike, shpreh njëkohësisht vullnetin e vendit tim për zhvillimin dhe konsolidimin e marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve dhe dy kombeve tona të lira- thuhet në deklaratën e zotit Berisha.
Rreth 2.9 milionë njerëz kishin të drejtë të votonin për 3.700 kandidatët për të ngritur Kongresin e ri të Përgjithshëm Kombëtar, votimi i parë ky i Libisë qëkurse Gaddafi u rrëzua në Tetor 2011 pas 8 muajsh kryengritjesh masive.
/IDEA/