E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmshpërblimi i të përndjekurve, përgjigje çdo dosjeje brenda vitit



Procesi i verifikimit të dosjeve të ish-të përpjekurve politikë që presin dëmshpërblimin, po vijon me shpejtësi në Komisionin e posaçëm dhe brenda këtij viti shqyrtimi do të përfundojë. Instituti i Ish-të Përndjekurve Politikë bën me dije se dosjet e ish-të përpjekurve janë në shqyrtime e sipër dhe brenda këtij viti të 17 mijë dosjet do të kenë një përgjigje zyrtare nga shteti. Kjo do të thotë se ish-të përndjekurit do të marrin një përgjigje për sasinë e dëmshpërblimit që u takon sipas ligjit. Puna e Komisionit të posaçëm konsiston në shqyrtimin e vërtetësisë së dosjet. Më parë kjo dosje do të duhet të kalojë në 6 institucione për verifikim të thelluar. Kështu dosja kalon për verifikim krahas Ministrisë së Drejtësisë edhe tek Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Financave, Hipoteka, Shërbimi Informativ si dhe Arkiva e Shtetit. Verifikimi ka për bazë që të nxjerrë sasinë e përfitimit, sepse në bazë të ligjit mund të ketë zbritje në rast se ish-të përndjekurit kanë përfituar më parë. Konkretisht, në rast se ndonjë familje e përndjekur politikisht në kohën e regjimit komunist ka përfituar gjatë viteve të demokracisë letra me vlerë, banesa banimi etj., këto përfitime zbriten nga dëmshpërblimi. Pra, pasi bëhet zbritja e sasisë së dëmshpërblimit që merr sipas ligjit me përfitimet e mëparshme, del sasia e plotë e dëmshpërblimit që përfiton një ish-i përndjekur. Në këtë proces ka pasur familjet të cilat nuk përfitojnë gjë, pasi përfitimi i tyre ka qenë i barabartë me sasinë e dëmshpërblimit që u takon me ligj.

Procesi

Dosjet për dëmshpërblimin e ish-të përpjekurve politikë kanë hyrë në një proces të shqyrtimit të plotë të tyre. Komisioni i posaçëm në Ministrinë e Drejtësisë po shqyrton në kohë të plotë të 17 mijë dosjet e aplikuara nga ish-të përndjekurit për dëmshpërblim financiar. Drejtori i Institutit të ish-të Përpjekurve Politikë, Simon Miraka, ka deklaruar se puna po vijon me ritme të shpejta në mënyrë që çdo dosje të ketë një vendim final për dëmshpërblimin e saj. “Dosjet që po verifikohen nga komisioni në Ministrinë e Drejtësisë, kalojnë për verifikim edhe në shumë institucione të tjera siç është Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Financave, Hipoteka, Shërbimi Informativ si dhe Arkiva e Shtetit”, - është shprehur Miraka. Pas këtij procesi, krijohet lista e plotë që më pas kalon në procesin e dëmshpërblimit financiar sipas ligjit. Me shqyrtimin e plotë të të gjithë emrave, do të nisë procedura e kompensimit financiar sipas ligjit, e ndarë në këste për 8 vite me radhë.

1 muaj verifikim

Procesi i verifikimit është i parashikuar me ligj. Kështu, në vijimësi do të ketë lista ish-të përndjekurish që do të kalojnë për dëmshpërblim financiar. Por, përgjigja e shqyrtimit të një dosjeje nuk mund të kalojë 30 ditët. Në momentin që Komisioni nis shqyrtimin e një dosjeje, jo më vonë se 30 ditë, pas verifikimit në 6 institucione, dosja duhet të ketë një shqyrtim final dhe një përgjigje për përfituesin.

Dëmshpërblimi, deri tani, 4 mijë ish-të përndjekur

Procesi i dëmshpërblimit ka vijuar dhe deri tani kanë marrë parë në bankë këstin e parë rreth 4 mijë ish-të përndjekur politikë. Një fakt të tillë e ka konfirmuar drejtori i Institutit të Ish-të Përndjekurve Politikë, Simon Miraka. Sipas tij, aktualisht jemi në listën e dytë të dëmshpërblimit. Miraka tha se ka pasur një vonesë në procesin e dëmshpërblimit që, sipas tij, ka ardhur për shkak të procesit ligjor të verifikimit të dosjeve. Aktualisht, kanë përfituar 1440 ish-të përndjekur politikë, të cilët kanë marrë këstin e parë të dëmshpërblimit në listën e parë. Në listën e dytë ku u miratuan 3200 emra, deri tani kanë tërhequr paratë mbi 2 mijë ish-të përndjekur. Miraka konfirmoi se mbeten edhe 1 mijë ish-të përndjekur për të tërhequr paratë në listën e dytë të përfitimit. Janë 20 milionë dollarë që po shpërndahen për të ish-të përndjekurit këtë vit, ndërsa në vitet e tjera kjo shifër do të shtohet edhe nga 10-përqindëshi i privatizimeve. Ndryshimi i ligjit që bëri Parlamenti ka bërë të mundur që të shtohen përfituesit me disa mijëra.

Viti 2010, dëmshpërblim për 17 mijë të përndjekurit

Vitin e ardhshëm të gjithë ish-të përndjekurit do të kenë mundësi të përfitimit të një kësti të plotë. Procesi i verifikimit si dhe ligji do të bëjë të mundur që dëmshpërblimit të jepet. Kështu, në vitin paguhet kësti i parë dhe më pas, siç e parashikon edhe ligji, brenda 8 viteve paguhet e gjithë shuma e dëmshpërblimit me këste të barabarta. Sipas ligjit, dëmshpërblimi është i ndarë në 8 vite në mënyrë të barabartë. Çdo vit do të merret një e teta e dëmshpërblimit. Procesi do të financohet nga dy komponentë, nga buxheti i shteti si dhe nga privatizimet. Konkretisht, për vitin e ardhshëm janë mbi 20 milionë dollarë të dhëna nga buxheti për ish-të përndjekurit si dhe 10 milionë euro plus do të vijnë nga privatizimi i OSSH-së. Në total për vitin e ardhshëm do të jenë në dispozicion më shumë se 30 milionë dollarë për ish-të përndjekurit politikë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›