E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet në PD, ministrat jo poste në sekretariate

Partia Demokratike hyn në një debat të ri për ndarjen e posteve partiake nga ato qeveritare. Ministrat që gëzojnë një post në strukturën e sekretariatit të Partisë Demokratike, duket se do ta lëshojnë karrigen brenda partisë për t‘u zëvendësuar. Grupi parlamentar i PD-së përbëhet nga 68 deputetë, ku vetëm 11 prej tyre janë emëruar ministra në kabinetin "Berisha". Për të forcuar strukturën e partisë, për të analizuar gabimet e demokratëve në 28 qershor, por edhe për të kënaqur pjesën e mbetur të deputetëve të cilët nuk përfituan nga torta e pushtetit, më 12 dhjetor, Partia Demokratike do të vendosë pikat mbi ‘i‘. Megjithëse vendimi për zgjedhjet në PD nuk ka as 48 orë që është marrë, dita kur demokratët do të votojnë për zgjedhjet brenda partisë së tyre është vetëm një muaj e gjysmë larg. Edhe pse në këtë rast nuk mund të thuhet se është herët për të hapur një debat të tillë, Partia Demokratike ka nisur punën për të përcaktuar modalitetet e garës. Asnjë nga sekretarët aktualë të PD-së, të cilët gëzojnë një post ministri në qeverinë e integrimit europian, nuk ka plotësuar ende formularin për të rikonfirmuar zgjedhjen e tij.

Me zbatimin e këtij parimi, një shans të humbur për t`u rizgjedhur në postin e sekretarit të përgjithshëm e ka njeriu që kontrollon financat e qeverisë, Ridvan Bode, por edhe ish-drejtori i kabinetit të Kryeministrit, aktualisht ministër i Mbrojtjes, Arben Imami, i cili ka shfaqur hapur ambicien për të zëvendësuar Ridvan Boden. Sekretari i Marrëdhënieve me Publikun, Ferdinand Xhaferri, pritet të jetë një tjetër ministër që duhet të dorëzojë postin partiak, tashmë që drejton Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Debati për çështjen e ndarjeve të posteve partiake nga ato qeveritare ka kohë që ka nisur brenda selisë së demokratëve, por që është shtyrë deri në një afat të papërcaktuar. Mbledhjet e shpeshta të kryesisë së vogël të PD-së, të cilat konsiderohen si diçka jo fort normale në rast se sjellim ndërmend të kaluarën e funksionimit të kësaj partie, kanë mbartur brenda tyre lëvizje pikante politike, që pritet të turbullojnë qetësinë sipërfaqësore të Partisë Demokratike.

Edhe pse vetëm 47 ditë i ndajnë demokratët nga zgjedhjet në PD, ende nuk është përzgjedhur kandidati që do të sfidojë Sali Berishën më 12 dhjetor për drejtimin e PD-së. Votimi për kreun e Partisë Demokratike do të jetë i fshehtë dhe mandati i tij do të jetë katërvjeçar, ashtu siç është parashikuar në nenin 8 të statusit të kësaj partie. Kryesia e Partisë Demokratike në plotësim të detyrimeve statutore vendosi një ditë më parë ngritjen e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale të partisë, nën drejtimin e nënkryetarit të PD-së, Astrit Patozi, si dhe të Komisionit për Rishikimin e Statutit të kryesuar nga sekretari i Përgjithshëm, Ridvan Bode.

Kuvendi kombëtar do të vendosë për programin e partisë dhe linjat kryesore të politikës së saj, të cilat janë bazë pune për të zgjedhurit e PDSH-së në nivel qendror e lokal, si dhe për pushtetin ekzekutiv të drejtuar prej saj. Ky Kuvend do të miratojë statutin e PDSH-së dhe ndryshimin e tij dhe do të zgjedhë me votim të fshehtë 100 anëtarë të Këshillit Kombëtar nga një listë përfaqësuese. Pritet të zëvendësohen emra si Spartak Ngjela, Aleksandër Biberaj, Besnik Mustafaj, por edhe të tjerë. Në statut është përcaktuar se kryetari i ri i PD-së zgjidhet me votim të fshehtë. Kuvendi i PD-së do të miratojë gjithashtu komisionet e mandateve, të kërkesave dhe të votimit, që përgjigjen për mbarëvajtjen e punimeve të tij. Surprizë do të jetë zëvendësimi i "rebelëve" si anëtarë kryesie të PD-së me emra të rinj, ndërsa emri i kreut të ri të PD-së nuk do të ketë shumë surpriza, pas rikonfirmimit si Kryeministër nga zgjedhjet e 28 qershorit. Pika tre e nenit 46 të statutit të Partisë Demokratike specifikon se "kryetari i partisë zgjidhet me votim të fshehtë, me sistem mazhoritar me dy raunde. Modalitetet e votimit përcaktohen nga rregullorja e brendshme".

E.Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›