Harasani: Partia e re? Çdo opsion është i mundshëm
“Ne kemi disa vite që luftojmë për demokratizimin e PS-së. Besoj se sot jemi shumë më pranë këtij demokratizimi sesa kemi qenë 3 vjet përpara dhe nuk shikoj arsye përse duhet një çarje e re në PS”
Krijimi i një force të re politike brenda së majtës nga individë dhe personalitete që sot militojnë në gjirin e Partisë Socialiste, nuk shihet si një opsion i pamundur. Një prej deputetëve socialistë, Andis Harasani, i cili është parë së fundmi edhe në një tur në bazë për demokratizimin e partisë, ka konfirmuar dje se nuk duhet parë si diçka e pamundur edhe lindja e një partie të re nga ata individë që sot nuk gjejnë hapësira për të vepruar brenda Partisë Socialiste. I pyetur nga gazetarët lidhur me partinë e re, Harasani duke lënë çdo gjë të hapur u shpreh se “çdo opsion është i mundshëm”. Por sipas tij, nuk është kjo koha e duhur, pasi ai ashtu si dhe shumë figura të tjera kanë luftuar dhe po bëjnë përpjekje që të demokratizojnë PS-në. “Ne kemi disa vite që luftojmë për demokratizimin e PS-së. Besoj se sot jemi shumë më pranë këtij demokratizimi se sa kemi qenë 3 vjet përpara dhe nuk shikoj arsye se përse duhet krijuar një parti e re e aq më shumë që të pasojë edhe një çarje të re të PS-së, besoj që janë evidente për të gjithë”, - tha Harasani. Një qëndrim ky që duket se është në harmoni edhe me vlerësimin e dhënë nga deputeti tjetër socialist, Arben Malaj para disa ditëve, ku ai nuk përjashtonte mundësinë e një lëvizjeje të re politike, por gjithmonë nëse brenda PS-së nuk do kishte më asnjë rrugë që të bënte të mundur demokratizimin e saj. Ndërkohë që lidhur me demokratizimin dhe lirinë brenda kësaj force politike, Harasani është shprehur se kjo është e nevojshme që të arrihet në mënyrë që prej saj të mos ketë më rrjedhje. “Për largimin e kryetarit të qarkut të Vlorës ose për largime të tjera që kam dëgjuar sigurisht që ndiejmë vetëm keqardhje, gjithsesi duhet të gjenden mënyrat që të mos ndodhin më, por gjithsekush ka të drejtën e zgjedhjes së tij”, - u shpreh Harasani. Se sa i mundshëm është demokratizimi i partisë në kushtet kur ajo drejtohet nga Rama, deputeti socialist është shprehur se askush nuk është i përjetshëm në krye të një force. “Partia Socialiste është godina, njerëzit shkojnë e vijnë. Gjithsekush kupton se përse ne nuk jemi në pushtet, pse na janë vjedhur zgjedhjet ose pse nuk kemi aq vota sa ne kemi menduar. Problemi është si do arrijmë që ne t’i mbrojmë këto vota jo duke krijuar polici paralele ose duke krijuar inskenime listash, por duke i kërkuar votën çdo qytetari shqiptar, qoftë ai i majtë qoftë ai jo i djathtë, e duke i dhënë një alternativë qeverisëse shumë më të mirë sesa kjo qeveri, sesa kjo alternativë që ata kanë sot”, - theksoi Harasani.