Zgjedhjet në Serbi, votojnë dy liderët kryesorë

Dy kandidatët kryesorë në zgjedhjet presidenciale në Serbi kanë hedhur votat e tyre gjatë paradites së sotme. Lideri i Partisë Progresive në Serbi Timislav Nikoliç tha se do të presë rezultatet të paktën rreth orës 21.30 dhe se është i sigurtë se do të fitojë numrin më të madh të votave. Serbia ka pritur me kohë dhe ankth ndryshimin, pasi ndryshimet në Serbi janë të domosdoshme dhe secili është i vetëdijshëm për këtë.
“Unë shpresoj se do të jemi në gjendje të nisim diskutimet se si të veprojmë për ta çuar përpara Serbinë duke filluar që sot, apo brenda 114 ditëve- shtoi më tej nacionalisti Nikoliç.
Votën e tij e ka hedhur edhe lideri i Partisë Demokratike Serbe Boris Tadiç i cili gjithashtu dha deklaratën e tij për shtyp. "Unë pres që Serbia të vazhdojë me procesin e reformave. Ne do ta stabilizojmë vendin duke implementuar masa makro-ekonomike. Kjo është shumë e rëndësishme dhe unë pres që menjëherë pas zgjedhjeve, të nisim punën për të formuar qeverinë. Kjo do të jetë një sfidë për të gjithë, ndërsa ka shumë çështje të cilat duhet ti zgjidhim sa më shpejt të jetë e mundur, ashtu si çdo vend i kontinentit europian” ka theksuar ai.
Edhe në vitin 2004, edhe në 2008, Tadiç ka shënuar fitore të ngushtë kundrejt rivalit historik.