E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS ankimon Beratin, KQZ do vendosë sot për Fierin

 

Aristir Lumezi

Partia Socialiste ka depozituar ankimimet e saj në KQZ për dy qarqe që ata i konsiderojnë të rëndësishme, Fierin dhe Beratin.
Ankimimi i socialistëve për qarkun e Beratit do të shqyrtohet sot dhe relatore e kësaj kërkese është Vera Shtjefni. Po për të njëjtin qark ka depozituar ankesën e saj dhe Partia Republikane, e cila pretendon një deputet në këtë qark. Relatore e kësaj kërkese është nënkryetarja e KQZ-së Dëshira Subashi. Në qarkun e Beratit, socialistët kërkojnë pothuaj rinumërim dhe vlerësim të votave në të tre KZAZ e këtij qarku dhe në shumicën e qendrave të votimit të tyre. Në këtë qark kanë dalë rreth 2821 fletë votimi të pavlefshme, gjë që u shton atyre dyshimin se mund të ketë shumë parregullsi në të gjithë procesin e administrimit të votës.
Në kërkesën e tyre, socialistët kërkojnë ndryshimin e vendimit të KZAZ 1, 2, 3 dhe tabelat përmbledhëse të tyre. Pritet që edhe Partia Demokratike të depozitojë këto ditë ankimimet e saj në lidhje me qarkun e Lezhës, Beratit dhe Fierit.
Fieri
Qarku i Fierit është bërë guri i provës për socialistët, me të cilin ata kërcënojnë se nëse nuk marrin mandatin e nëntë nuk do të njohin rezultatin e zgjedhjeve. Socialistët shprehen të sigurt se votat e tyre në këtë qark i japin atyre edhe një mandat tjetër. Për këtë, në kërkesën e tyre të ankimimit, ata parashtrojnë kundërshtim të vendimeve të ndërmjetme të KZAZ 18, 19, 20, 22 që kanë të bëjnë me pavlefshmëri të fletëve të votimit dhe të disa kutive të votimit. Sipas tyre, të katërta këto KZAZ me vendimet e marra kanë vepruar në kundërshtim me ligjin, duke sjellë si pasojë mosnumërimin e të gjitha qendrave të votimit, mos pasqyrimin në tabelën përmbledhëse të rezultateve të të gjitha qendrave të votimit, duke bërë që si pasojë rezultati i dhënë prej tyre të mos pasqyrojë realitetin e vullnetit të shprehur nga votuesit. Sipas socialistëve, KQZ në vendimin e saj, nr.511 të datës 7.7.09 ka miratuar tabelën e rezultatit të zgjedhjeve për të gjithë qarkun pa u realizuar numërimi dhe vlerësimi i votave të disa qendrave të votimit dhe pa përfshirë rezultatet e tabelave të dy qendrave të votimit, nr.3185, 3188 duke e bërë të paplotë rezultatin në këtë qark. Socialistët i kërkojnë KQZ të anulojë vendimet e ndërmjetme të këtyre KZAZ-ve për deklarimin të parregullta apo të pavlefshme të nëntë kutive të votimit.  

ankimimet ne kqz

Ankimimet për Fierin
Kundërshtim të vendimeve të ndërmjetme të KZAZ 18, 19, 20, 22 që kanë të bëjnë me pavlefshmëri të fletëve të votimit dhe kutive

Numërim dhe vlerësim të votave të 3 qendrave të votimit të KZAZ 18

Ndryshim të vendimit të KZAZ-së 18, 19, 20 për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit në këtë KZAZ

Numërim dhe vlerësim të votave në 2 qendra votimi në KZAZ 19

Numërim dhe vlerësim të votave në një qendër votimi të KZAZ 20

Kundërshtim vendimi të ndërmjetëm të KZAZ 22 për mosnumërim të një qendre votimi

Ndryshim të vendimit të KZAZ për nxjerrjen e rezultatit të votimit në qarkun e Fierit, duke përfshirë në rezultatin e votimit edhe rezultatet e 9 qendrave të votimit
   
Ankimimi për Beratin
Kundërshtim të votave në KZAZ 1 dhe tabelës përmbledhëse të KZAZ 2 dhe 3.

Rinumërim dhe rivlerësim të votave të të gjitha qendrave të votimit të KZAZ 1

Rinumërim dhe rivlerësim të votave të pavlefshme në 49 qendra votimi të KZAZ 2.

Rinumërim dhe rivlerësim votash të 10 qendrave të votimit në KZAZ 3

Ndryshim vendimi të KZAZ 1 dhe tabelat përmbledhëse

Ndryshim vendimi të KZAZ 2, 3.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›