KQZ shpall emrat e 21 deputetëve
BLEDAR HOTI
KQZ shpall deputetët e parë të Kuvendit të ri të Shqipërisë. Dje pasdite u shpallën 21 deputetët e qarqeve Kukës, Korçë dhe Gjirokastër. Këto tre qarqe nuk janë kontestuar nga asnjë prej partive politike. Fillimisht, përfaqësuesi i PS-së, Genc Gjonçaj, i kërkoi KQZ-së që të sqarohej pozicioni i papajtueshmërisë së deputetëve, nëse bie ndesh me nenin 96 të Kushtetutës, duke pretenduar për deputetin e PD-së, Spiro Ksera në qarkun e Gjirokastrës. Kryekomisioneri Arben Ristani deklaroi se kjo çështje nuk i përket KQZ-së, por është diçka që i takon Kuvendit në lidhje me pajtueshmërinë e mandateve të deputetit. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe përfaqësuesi i PD-së, Oerd Bylykbashi, i cili kërkoi mosmarrjen në konsideratë të kërkesës së PS-së. KQZ-ja pritet të shpallë sot emrat e deputetëve për qarkun e Dibrës, si i vetmi qark i pakontestuar. Shpallja e listës së deputetëve u votua me 7 vota pro nga ana e anëtarëve të KQZ-së.
Mbyllja e rezultateve në 12 qarqe
KQZ-ja mbylli dje në mënyrë përfundimtare shpalljen e rezultateve të votave për 12 qarqet e vendit. Me shpalljen e dy qarqeve të mbetura të Vlorës dhe të Lezhës, i është dhënë fund procesit të shpalljes së rezultateve të votave në 12 qarqe. Qarqet e Vlorës dhe Lezhës janë votuar katër me tre vota, ku anëtarët e majtë në KQZ kontestuan mospërfshirjen në numërim të disa kutive të votimit. Debati më i madh ka qenë në lidhje me qarkun e Lezhës, ku PD-ja ka akuzuar PS-në për prishjen e procesit zgjedhor, pasi nuk ka marrë në konsideratë 11 kuti votimi në qarkun me numër 37. “Në mënyrë të qëllimshme dhe pse janë numëruar, këto kuti nuk janë marrë në konsideratë, pasi komisionerët e PS-së nuk kanë pranuar t’i cilësojnë të vlefshme. Në total kanë rezultuar se PD-ja ka 2044 vota, ndërsa PS-ja 694 vota. Ky qëndrim i jashtëligjshëm i komisionerëve do të jetë pjesë e një faze të dytë të diskutimit tuaj zoti kryetar, ne kërkesën ankimore e kemi bërë gati, s’prish punë, koha është përpara”, tha Kosovrasti. Ai shtoi se, “kjo është një diçka më e madhe se pretendimi i PS-së për qarkun e Fierit”. Por përfaqësuesi i PS-së, Genc Gjonçaj, deklaroi se partia e tij ka qenë serioze për arritjen e standardeve të zgjedhjeve dhe se i kërkoi KQZ-së që të përfshijë në rezultatin përfundimtar 11 QV-të. “Nuk mund të hiqen paralele mes Lezhës dhe Fierit, pasi janë dy gjëra të ndryshme”, theksoi Gjonçaj. Nënkryetarja Subashi kërkoi që të përfshiheshin 11 kutitë në rezultatin përfundimtar, si dhe e cilësoi qarkun e Lezhës të njëjtë me të Fierit. Kërkesa e Subashit u hodh për votim, por katër anëtarët e KQZ-së, të djathtët Ristani, Shtjefni, Zguri dhe Osmanaj votuan kundër pranimit të votave të PD-së në rezultatin final, me argumentin se do të veprohej njësoj si dhe me Fierin. Aty ku ka vendimmarrje të paligjshme të komisionerëve ata do t’i nënshtrohen ankimimit, për t’u rishqyrtuar bashkë me tabelën përmbledhëse në një fazë të dytë. Dua të vë në dukje se më duket si garë aspak e ndershme që të diskutohet se kush e ka bërë gabimin më të madh. Shkelja e ligjit është shkelje e ligjit në të gjitha krahët njësoj dhe të hysh në garë që ne e kemi bërë më të vogël dhe ju më të madh, kjo nuk ka sens dhe etikë”, deklaroi kryetari Ristani para votimit të rezultateve të Lezhës. Në votimin final, tre anëtarët e majtë Subashi, Varfi dhe Lazaj votuan kundër, ndërsa katër anëtarët e tjerë të së djathtës votuan pro.”Në këto momente KQZ-ja vetëm kontrollon shifrat dhe mënyrën e pasqyrimit në tabelë.
vendimet e kqz
Tabela me deputetët e shpallur
Qarku Kukës
Partia Demokratike
Flamur Noka
Besnik Dushaj
Fatos Hoxha
Partia Socialiste
Asllan Dogjani
Qarku Korçë
Partia Demokratike
Ridvan Bode
Gjergj Papa
Ledina Agolli
Edmond Spaho
Fatbardh Kadilli
Partia Socialiste
Ben Blushi
Pandeli Majko
Mimi Kodheli
Alfred Dalipi
Arben Ahmetaj
Olta Xhaçka
Qarku Gjirokastër
Partia Demokratike
Genc Ruli
Spiro Ksera
Partia Socialiste
Arta Dade
Ethem Ruka
Vangjel Tavo
Qarku i Lezhës, u votua 4 me 3
“Aleanca e Ndryshimit” 37.420 vota
“Bashkimi për Ndryshim 24.301 vota
“Aleanca Socialiste për Integrim” 3920 vota
“Poli i Lirisë” 2.292 vota
“Ligj e Drejtësi” 1.503 vota
Qarku i Vlorës, u votua 4 me 3 vota
“Aleanca e Ndryshimit” 39714 vota
“Bashkimi për Ndryshim” 58194 vota
“Aleanca Socialiste për Integrim” 5311 vota
“Poli i Lirisë” 2600 vota
“Ligj dhe Drejtësi” 197 vota