Edi Rama: Do dal malit
Pas mbledhjes së kryesisë, është dëgjuar klithma ylberiste: “U vendos, do dal malit”. Për Edi Ramën nis tashmë faza e ilegalitetit politik, faza e sulmeve ndaj ndërkombëtarëve, e bojkotimeve të skajshme dhe e protestave dhe akteve destabilizuese, në qoftë i zoti t’i bëjë. Protesta e 10 tetorit ishte prova e parë e dështuar, por kalendari i mëtejshëm është edhe më i vështirë dhe dhuna leniniste pritet të përfundojë në karikaturë me protagonistë të tipit Gramos Ruçi, Arta Dade, Valentina Leskaj a Namik Dokle
Dje, Edvini i ka dhënë pamje zyrtare situatës së tij të dëshpëruar politike dhe kthimit përfundimtar tek frymëzimet marksiste-leniniste, teksa ka vendosur “apriori”, pa votim dhe vetëm me mbështetjen e xhaketave të vjetra dhe të ylberistëve. Pa e hedhur në votim, por thjesht duke ushtruar dhunën e bolshevikëve mbi menshevikët, Rama shpalli bojkotin e zgjedhjeve të pjesshme të 15 nëntorit dhe artikuloi një ditiramb për gueriljet politike, përplasjet me institucionet e shtetit dhe strategjinë e rrënimit të stabilitetit të vendit. Shembujt e politikës revolucionare janë kthyer në rendin e ditës në selinë e ylberistëve, por Edvini e ka një shembull për zemër, atë të diktatorit hoxhist, i cili e vendosi rrënjën e karrierës së vet tek rrënimi i shtetit shqiptar, tek bashkëpunimet me të gjitha shërbimet e huaja, mjaft që të mbetet në krye të parcelës që kanë vënë nën kontroll. Arta Dade, Gramoz Ruçi, Valentina Leskaj e Namik Dokle janë xhaketat e vjetra që po ndihmojnë aksionin politik të “daljes malit”, shembullit karikaturesk se si luftohet kundër institucioneve të shtetit, duke synuar që dëmi të jetë sa më i madh, në mënyrë që edhe marrëveshja e koncesioni i pritshëm të jenë sa më fitimprurës. Logjika e lejeve të ndërtimit, e bakshishit, kusurit dhe përqindjeve është e vetmja logjikë politike që udhëheq rrugën e Edvinit dhe nën shembullin e këtij funksioni, Edvini vendosi mbrëmë që jo vetëm të mos futet në parlament, jo vetëm të mos marrë pjesë në zgjedhjet e 15 nëntorit, por që të dalë malit e të luftojë me të gjitha mjetet që mund t’i mbeten në dorë - qoftë edhe trup më trup - mjaft që të mbijetojë politikisht e t’i detyrojë “politikanët e Tiranës” të ulen në kompromis me të. Enumeracioni i Edvinit nis me Haxhi Qamilin, por është i mbushur dingas me emra komunistësh - serbë a shqiptarë qofshin - të cilët kanë mbijetuar duke i bërë shantazh shtetit shqiptar se do ta dëmtojnë. Politika e të dalurit malit, me ose pa lejen e nënës, është caktuar tashmë si aksioni ilegal që do të ndjekë Edvini, të paktën deri në fund të vitit.
Tashmë e gjithë vëmendja përqendrohet tek mënyra se si do ia dalë mbanë “malit” Edvini, një produkt kryekëput qytetas, bile i mbushur me impute lehtësuese të kryeqytetit.
“Mali” ka vështirësitë e veta dhe s’është aq i thjeshtë sa manipulimi i grave dhe ylberistëve në kryesinë e PS-së, por as aq i qartë sa mbledhja e përqindjeve tek lejet e ndërtimit. Dështimi i protestës së 10 tetorit është prova se faza e re e ilegalitetit leninist të Edi Ramës do të jetë një fazë e vështirë dhe që mund të shënojë me të vërtetë fundin politik të një politikani që ka bojkotin si llogoren finale të mbijetesës.