E Diel, 1 Nëntor 2026

Ëndërr amerikane, Obama zgjidhet Presidenti i parë me ngjyrë i SHBA

 

Ai vdiq në vitin 1968, por 40 vite më vonë, Shtetet e Bashkuara që ai mbajti pezull më në fund vendosën. Amerika, për herë të parë në historinë e zgjedhjes së 43 presidentëve ka zgjedhur një afro-amerikan në krye në shtetit. Barak Obama, me baba nga Kenia afrikane, do të drejtojë presidencën e 44-t të Shteteve të Bashkuara. Me një fushatë mahnitëse dhe një rezultat të paarritshëm, Obama, e zgjoi, udhëhoqi dhe e shpalli fituese ëndrrën e Martin Luter Kingut.
Në orën 05:00 të mëngjesit, me orën shqiptare, do të ishte lideri i medias informative i pari, që do të shpallte fitoren e Obamës. Numrat poshtë ekranit shënonin 270, sa delegatët e mjaftueshëm për të fituar presidencën. Kaq do të mjaftonte që kampi demokrat të ngrinte në qiell flamurin e fitores. Eshtë ndryshimi më i madh në historinë amerikane. Rendi botëror ka ndryshuar lider. Pak vite më parë kjo nuk do të ishte as e imagjinueshme, pasi asnjë njeri me ngjyrë nuk ka arritur të afrohet as në postin e kandidatit për president.
Festa
Telefonatën e parë të urimit nga kampi kundërshtar, Obama e ka marrë nga Mekeini. Edhe pse rezultatet zyrtare nuk kanë dalë akoma, exitpolls, në SHBA e bëjnë të pamundur ndryshimin e gjendjes. Urimi i Mekein, një traditë amerikane akoma e paimagjinueshme, ka shpallur fitoren zyrtare te demokratët. Pak minuta pas lajmit në parkun e Çikagos kanë vërshuar me qindra qytetarë. CNN njoftonte mbi 240 mijë përkrahës së tij në shesh. Dhe shfaqja e njeriut të parë me ngjyrë si president i SHBA ka elektrizuar të gjithë turmën. Një fjalim i gjatë, i ndaluar disa herë nga brohoritjet.
“Nëse ka ende ndonjë që dyshon se Amerika është vendi ku gjithçka është e mundur, që ende pyet veten nëse ëndrra e Etërve tanë është e gjallë edhe sot, që ende pyet veten mbi fuqinë e demokracisë sonë, sot e ka marrë përgjigjen. Në këtë moment deciziv, në SHBA do të ndodhin ndryshime”, tha Obama para  mbështetësve euforikë, shumë prej tyre të përlotur, në orët e vona të së martës. “Edhe pse ne sonte festojmë e dimë se nesër do të përballemi me sfidat më të mëdha të kohërave tona, dy luftëra, një planet në rrezik dhe krizën më të madhe financiare të shekullit të fundit”. “Rruga do të jetë e gjatë por unë ju premtoj se ne do të arrijmë t’i ngjisim shkallët tona, mbase jo në një vit, mbase jo në një mandat, por nuk kam qenë kurrë më i sigurt se SHBA do t’ia arrijë qëllimit”, tha Obama në Çikago i brohoritur nga mijëra njerëz që e kanë mbështetur. Fitorja e Obamës është brohoritur me eufori në SHBA, por edhe në botë. Sheshi gjigant “Times Square” në Nju Jork ka shpërthyer në brohoritje dhe turma që bërtisnin të kënaqur, të mbledhur jashtë Shtëpisë së Bardhë. Festimet kanë ‘shpërthyer’ edhe në baret e Londrës dhe Sidneit, me festa që nisën nga Berlini në Havana dhe nga Parisi në qytetin e vogël japonez, Obama.
Zgjedhja
Amerikanët zgjodhën Obamën kryesisht nga plani i tij për zgjidhjen e krizës ekonomike. Analistët në SHBA vlerësojnë këtë krizë, shpërthimin e saj në fund të fushatës, si arsyen kryesore të fitores. Por në fakt ka edhe shumë arsye të tjera që amerikanët zgjodhën Obamën. Për herë të parë pas 20 vitesh, zgjedhësit amerikanë kanë votuar për një kandidat tjetër nga ata me mbiemër Bush ose Klinton. Këto dy familje kanë vendosur fatin e SHBA dhe botës gjatë dy dekadave të fundit. Ky ndryshim duket se ishte një nga faktorët, që i nxori njerëzit nga shtëpia për të votuar, duke arritur një tjetër rekord për numrin e zgjedhësve. 47-vjeçari Obama do të jetë presidenti i 44-ër i Shteteve të Bashkuara më 20 janar kur të bëjë betimin, por do të trashëgojë një ekonomi të afërt me atë të kohëve te Depresionit të Madh (në vitet ’30), dy luftëra (në Afganistan dhe Irak) dhe një sfidë nukleare me Iranin. Shumë analistë e shikojnë zgjedhjen me diferencë të ndjeshme të Obamës si verdikti i amerikanëve kundër politikës së kryer nga presidenti Bush.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›