E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet nuk e kalojnë testin e perëndimorëveNga Tema Zgjedhjet janë një hap përpara, por sërish nuk kanë përmbushur standardet e kërkuara ndërkombëtare. E njëjta fjali që na shoqëron në çdo proces zgjedhor është përsëritur edhe dje nga vë

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Zgjedhjet nuk e kalojnë testin e perëndimorëveNga Tema

Zgjedhjet janë një hap përpara, por sërish nuk kanë përmbushur standardet e kërkuara ndërkombëtare. E njëjta fjali që na shoqëron në çdo proces zgjedhor është përsëritur edhe dje nga vëzhguesit ndërkombëtarë, që kësaj radhe kanë qenë të shtuar, për shkak se edhe zyrtarët e Aleancës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, ku Shqipëria bën pjesë si vend me të drejta të plota, kanë dhënë mendimet e tyre për procesin.

Në orën 14.00 të ditës së djeshme, një panel ku të pranishëm ishin Wolfgang Grossruck, zv/ Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE dhe Koordinatori Special i Misionit të Vëzhguesve Afatshkurtër të OSBE, Corien Jonker, kryetare e delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të

Evropës, kryetari i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Bruce George e Audrey Glover, kryetare e Misionit të Vëzhguesve Afatgjatë të Zyrës së OSBE për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (OSCE/ODIHR), kanë dhënë vlerësimin e parë për procesin zgjedhor. Standardet nuk janë plotësuar e duhet bërë më shumë për t’i garantuar ato, madje dhe duke ndryshuar sërish ligjet zgjedhore.

Grossruck lexon deklaratën

Deklarata është lexuar nga zoti Grossruck, njeriu që ka përkrahur hapur kryeministrin, Sali Berisha, në kongreset elektorale të tij, e madje i ka cilësuar zgjedhjet e vitit 1996, si të mira e pa probleme.

Përgjatë gjithë deklaratës së tij, Grossruck ka qenë shumë i kujdesshëm dhe është përpjekur të theksojë faktin se përfundimet janë të përbashkëta dhe janë arritur pas konsultimesh dhe analizash të gjëra.

Megjithatë, ka qenë pikërisht miku i Berishës që ka thënë që në fillim se shkeljet e procesit zgjedhor vazhdojnë.

Grossruck tha se zgjedhjet kanë shënuar një progres të prekshëm për sa i përket futjes së procedurave të reja të regjistrimit dhe identifikimit të zgjedhësve, si dhe miratimit të një kuadri të përmirësuar ligjor. Por, tha ai në emër të vëzhguesve, këto përmirësime u eklipsuan nga politizimi i aspekteve teknike të procesit dhe shkeljet e vërejtura gjatë fushatës, të cilat e dobësojnë besimin e publikut te procesi zgjedhor.

“Dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht e qetë dhe paqësore dhe atmosfera u përmirësua. Vëzhguesit e vlerësuan procesin e votimit pak më pozitiv sesa ai i zgjedhjeve të kaluara, por vërejtën shkelje procedurale të lidhura veçanërisht me shënjimin me bojë dhe votimin e përhapur familjar”, - thuhet në deklaratën e vëzhguesve ndërkombëtarë. Por, duke qenë se procesi nuk është mbyllur ende, Grossruck ka deklaruar se akoma nuk mund të bëhet një vlerësim përfundimtar.

“Vendi ka fituar pjekuri, ka përparuar, dhe shumë prej frikërave që kemi pasur vetëm disa muaj më parë, nuk janë konkretizuar. Unë, sigurisht, jam i gëzuar për progresin që pamë, por janë ende një numër i konsiderueshëm çështjesh që duhen trajtuar, veçanërisht klima e polarizuar politike”, - tha Wolfgang Grossruck.

Në mbyllje të deklaratës së tij ai ka thënë që ndoshta gjërat që po deklarojnë vëzhguesit mund të duken të vogla për shqiptarët, e këtu ka nënkuptuar faktin se jemi regjur me të tilla shkelje, por, sipas tij, për ndërkombëtarët këto janë probleme të mëdha.

NATO kërkon mospolitizimin e anëtarësimit

Flamuri i NATO-s shoqëronte të gjitha mitingjet e Partisë Demokratike, por jo vetëm kaq. Në çdo fjalim elektoral kryeministri, Sali Berisha, përmend dhjetëra herë anëtarësimin në këtë aleancë si një arritje personale. Një gjë e tillë ka shqetësuar vëzhguesit e ardhur nga Asambleja Parlamentare e NATO-s.

Bruce George, kryetari i delegacionit të kësaj asambleje, ka qenë më i prerë, kur ka deklaruar se nuk janë arritur standardet dhe ka kërkuar që të bëhet më shumë.

Një lajm i keq ky, për shkak se fakton se Shqipëria nuk ka plotësuar njërën pjesë të kushteve për anëtarësim në NATO, pikërisht pjesën politike, atë të demokracisë në vend. George madje ka vuajtur vetë presionin e këtyre zgjedhjeve në një qendër votimi e thotë se këto gjërat mund të mos bien shumë në sy në vendin tonë, por për një vend që aspiron NATO-n, është problem i madh.

“Raporti ynë shfaq zhvillime pozitive, por edhe disa negative në kryerjen e këtyre zgjedhjeve. Është bërë progres që nga zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2005. Megjithatë, ende nevojiten përpjekje më të mëdha nga të gjitha forcat politike, me qëllim përmbushjen e standardeve të kërkuara ndërkombëtare”, - tha Bruce George.

“Politika duhet parë si shërbim, si mundësi për marrëveshje dhe kompromis. Duhet të ketë respekt mes partive politike”, - u shpreh George.

“Keni shumë punë për të bërë për të arritur standardet e BE, qeverisjen demokratike, reformat në gjyqësor, profesionalizmin e medieve, vendosjen e shtetit të së drejtës, të qeverive vendore dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit”, - u shpreh George.

“Shpresoj që raporti përfundimtar që do të publikohet javët në vazhdim të jetë udhëzues dhe frymëzues për të ardhmen tuaj”, - tha ai.

Kreu i asamblesë së NATO-s premtoi mbështetje, ndërsa theksoi se arritjen ose jo të standardeve e kanë në dorë shqiptarët.

KiE: Mos bëni thjesht ligje, por zbatojini ato

Zyrtarja e Këshillit të Evropës, Corien Jonker, ka prekur një shqetësim që ajo si grua e ndjen shumë. Sipas saj, edhe pse u bë një ligj për përqindjen e grave në lista, ai nuk garantoi se ato do të jenë në lista.

Jonker ka qenë e drejtpërdrejtë, kur ka thënë se nuk mjafton që të hartosh ligjet, por ato duhen zbatuar, e madje duhet ruajtur zbatimi sipas frymës së tyre.

“Këto zgjedhje treguan se populli shqiptar ka gjithë potencialin për të ndërtuar një shoqëri demokratike si ato në vende të tjera evropiane. Tashmë, bie një përgjegjësi shumë e madhe mbi autoritetet dhe aktorët kryesorë politikë në vend, të cilët duhet të punojnë shumë për të krijuar besimin e qytetarëve te procesi zgjedhor demokratik”, - tha Corien Jonker, kryetare e delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Jonker ka folur shumë edhe për nevojën e pavarësisë së medieve. Sipas saj, mediet nuk duhet të jenë tribuna të asaj se çfarë thonë partitë, por se ato duhet të jenë raportuese të pavarura të problemeve që kanë njerëzit.

Glover: Nuk u rrit besimi i publikut te procesi zgjedhor

“Kodi i ri Zgjedhor miratuar me konsensusin e të dyja partive kryesore politike prezantoi një sërë përmirësimesh dhe garancish të rëndësishme, veçanërisht për sa i përket regjistrimit dhe identifikimit të zgjedhësve. Është për të ardhur keq, pasi niveli i lartë i mosbesimit mes palëve, përdorimi i aktiviteteve zyrtare për qëllime fushate dhe akuzat për presion mbi zgjedhësit nuk e rritën besimin e publikut në procesin zgjedhor”, - tha ambasadorja Audrey Glover, kryetare e Misionit të Vëzhguesve Afatgjatë të Zyrës së OSBE për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (OSCE/ODIHR).

Shefja e misionit të ODIHR, Audrey Glover, ka lexuar një pjesë të raportit paraprak pas vëzhgimit të monitoruesve të huaj në shumë zona votimi ditën e djeshme.

Në vijim të fjalës, shefja e misionit të ODIHR u tregua e kujdesshme, duke thënë se një peshë të madhe në vlerësimin përfundimtar të zgjedhjeve do ta ketë edhe faza që ka mbetur, pra administrimi i procesit të numërimit të votave.

“Për këtë arsye ekipi jonë do qëndrojë këtu për ta vëzhguar procesin dhe për të parë si do ecë puna me ankesat, derisa procesi të përfundojë. Ne do nxjerrim një raport të plotë rreth 8 javë pas përfundimit të procesit, ku do përfshihen edhe rekomandimet për përmirësime. KQZ i administroi detyrat me profesionalizëm dhe brenda afateve ligjore, por anëtarët ishin të ndarë në disa nga çështjet e debatueshme dhe votuan sipas bindjeve politike. Kishte shkëputje mes punës së KQZ në Tiranë dhe asaj çfarë ndodhi në qarqe. Për më tepër partitë nuk emëruan brenda afateve ligjore komisionarët”, - qartësoi Glover.

Diplomatja ndërkombëtare nuk kurseu kritikat as për mediet, duke nënvizuar se transmetuesit mediatikë ishin të njëanshëm në pasqyrimin e aktiviteteve të partive kryesore, duke u lënë shumë pak hapësira partive të vogla. Në fund të fjalës së saj, Glover hodhi poshtë çdo hije dyshimi për anësinë e këtij misioni në vendin tonë.

Grossruck për mediet austriake: Zgjedhjet ishin një mrekulli e Shqipërisë

Duke folur për mediet e vendit të tij, Austrisë, Wolfgang Grossruck, zv/Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE dhe Koordinatori Special i Misionit të Vëzhguesve Afatshkurtër të OSBE, ka shpërthyer duke deklaruar se zgjedhjet kanë qenë një “mrekulli e Shqipërisë” dhe se ato ishin shumë të mira. Kështu të paktën thotë gazeta austriake “Volksblatt”, që ka intervistuar Grossruck. Ndërsa në deklaratën që ka lexuar përpara shqiptarëve, Grossruck ka qenë më i përmbajtur

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›