Zgjedhjet, progres në konsolidimin e demokracisë
Bashkimi Europian ka vlerësuar pozitivisht raundin e dytë të zgjedhjeve lokale që u mbajt të dielën në 21 komuna të Kosovës
Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Kosovë ka marrë notë pozitive nga Brukseli. Në një deklaratë mbi balotazhin e së dielës që u mbajt në 21 komuna të Kosovës, Presidenca e Bashkimit Europian u shpreh se mirëpret zhvillimin e rregullt të zgjedhjeve lokale me pjesëmarrjen e të gjithë komuniteteve. Sipas saj, kjo shënon progres të rëndësishëm për konsolidimin e mëtejshëm të një shoqërie demokratike dhe shumetnike, në pajtim me standardet europiane. Presidenca e BE-së tha se ka parasysh efektshmërinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe shprehu besimin se KQZ do të vazhdojë të hetojë të metat për të cilat është njoftuar. Ajo thotë se Komisioni Zgjedhor i Ankesave dhe Parashtresave ka një rol të rëndësishëm në shqyrtimin e ankesave në pajtim me mekanizmat e vendosur. Presidenca e Bashkimit Europian vlerësoi gjithashtu Rrjetin Europian të Organizatave për Monitorim të Zgjedhjeve (ENEMO) për vëzhgimin e procesit zgjedhor në Kosovë dhe merr parasysh vërejtjet e këtij rrjeti që kanë të bëjnë me përmirësime të vogla dhe sfida të ardhshme. Një ditë më parë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Kristofer Dell, i cili vizitoi disa qendra votimi të dielën, u shpreh se raundi i dytë i zgjedhjeve lokale ishte më i qetë sesa raundi i parë që u zhvillua më 15 nëntor. “Mesa duket, votimet janë të organizuara shumë mirë. Natyrisht, tani janë më të thjeshta, sepse janë vetëm dy kandidatë për t’u votuar dhe njerëzit duken shumë më pak të hutuar rreth procesit”, ka thënë Dell. “Jam i impresionuar me seriozitetin e komisionerëve të secilës qendër votimi. Mua më duket se ky do të jetë një test i kaluar për Kosovën”, ka shtuar Dell. Edhe shefi i Zyrës Ndërkombëtare Civile, Piter Feith, ka qëndruar në komunën e Novobërdës, ku ka dhënë vlerësime pozitive për procesin zgjedhor. “Zgjedhjet janë rruga përmes së cilës qytetarët e Novobërdës do ta çojnë procesin afër BE-së si pjesë e Kosovës. është një mundësi për serbët që mund ta zgjedhin kryetarin e tyre”, ka thënë Feith. Ndërkaq, kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, ka dhënë rezultatet e pjesëmarrjes së votuesve për secilën komunë, ndërkohë që ka mohuar të ketë pasur parregullsi, përveç dy vonesave të vogla në dy vendvotime. Edhe drejtuesit e koalicionit të organizatave joqeveritare kosovare, “Demokracia në Veprim”, kanë thënë se janë shënuar probleme të vogla gjatë procesit zgjedhor në disa komuna. Ismet Kryeziu, kryesues i këtij koalicioni, në një konferencë për mediat të dielën, përmendi parregullsitë në Mitrovicë dhe Malishevë, ku ka pasur konfrontim të komisarëve të PDK-së dhe LDK-së.
KFOR-i reduktohet në 10 mijë trupa
Nga janari i vitit të ardhshëm në Kosovë do të mbeten 10 mijë trupa të KFOR-it dhe do të mbyllen disa baza ushtarake. Lajmi është konfirmuar dje në Prishtinë nga komandanti i forcave të përbashkëta të NATO-s në Napoli, admirali amerikan Mark Ficxherald. Ai e vlerësoi të qetë dhe të qëndrueshme gjendjen e sigurisë në Kosovë, ndërkaq përjashtoi çdo mundësi që ngritja e bazës ushtarake të Serbisë në afërsi të Bujanocit të shihet si kërcënim për Kosovën. NATO vlerëson në vazhdimësi gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe mbi këtë bazë vendos për shkurtimin e trupave të KFOR-it, tha Ficxherald. Pas një takimi që zhvilloi me komandantin e KFOR-it, gjeneralin gjerman Markus Bentler, admirali Ficxherald tha se në Kosovë viti 2009 shënoi një vit të sfidës, por edhe të suksesit. Zyrtari i NATO-s theksoi se në Kosovë tashmë ka përparime të mëdha në fushën e sigurisë, kështu që nga fillimi i vitit 2010 do të ketë shkurtime të trupave të KFOR-it. “NATO-ja është deklaruar se nga janari do të fillojë shkurtimi i trupave deri në 10 mijë sa do të mbeten në Kosovë. Kjo nënkupton se disa baza do të mbyllen, si dhe të fillojë komandimi i këtyre trupave nga baza e KFOR-it në “Film City”, në Prishtinë”, shtoi ai. Ngritjes së shkallës së sigurisë, sipas tij, i kanë kontribuuar edhe mekanizmat vendorë e ndërkombëtarë që veprojnë në Kosovë në fushën e sigurisë. “Kurse shkurtimi i mëtejmë i trupave ushtarake, - tha Ficxherlad, - do të varet nga gjendja e sigurisë në terren dhe vlerësimet e Komandës së NATO-s në Bruksel. Sidoqoftë, Ficxherald tha se NATO-ja do të ruajë një prani të saj në Kosovë. Admirali amerikan po ashtu vlerësoi se ngritja e bazës ushtarake të Serbisë afër Bujanocit, që ndodhet në kufi me Kosovën, nuk shkel marrëveshjen e Kumanovës dhe nuk paraqet kërcënim për Kosovën. “Si shtet sovran ka të drejtë ta hapë atë bazë ushtarake, kurse unë nuk e shoh atë aspak si kërcënim për Kosovën”, theksoi admirali Ficxherald. Admirali amerikan u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të kenë kujdes dhe të mos praktikojnë të festojnë me të shtëna armësh për festat e fundvitit, siç ndodh zakonisht në Kosovë. “Jemi të vendosur që të mos tolerojmë një sjellje të tillë, sepse kjo paraqet rrezik”, vlerësoi admirali amerikan. Gjatë kësaj vizite, admirali Ficxherald u prit edhe nga udhëheqësit kosovarë, presidenti Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi, si dhe ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujota.
Nis verifikimi i votave me kusht
Qendra e Numërimit dhe Rezultateve nisi dje verifikimin e rreth 1600 votave me kusht, të cilat do të përcaktojnë fituesin për komunën e Prizrenit, ku kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hanefi Muharremi dhe ai i Partisë Demokratike të Kosovës, Ramadan Muja, kanë arritur përqindje të barabartë votash, me 42 vota në epërsi të PDK-së. Përfaqësues të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve bëjnë të ditur se kjo qendër tashmë, ka pranuar kutitë e votimit nga Prizreni dhe se është në zhvillim e sipër skanimi i listave përfundimtare të votuesve për këtë komunë, gjë që, siç thuhet, do të pasohet nga verifikimi i fletëvotimeve me kusht. Koordinatori i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, Burim Ahmetaj, njoftoi se për këtë proces do të informohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, si dhe përfaqësuesit e të gjitha partive politike. “Hapi i parë që do të bëjmë, është ta njoftojmë KQZ-në se do të fillojmë me procesin e verifikimit të tyre. Kështu që, KQZ-ja dhe partitë politike do të jenë (të pranishëm) gjatë procesit të verifikimit të të gjitha votave me kusht, dhe pastaj do të dimë saktësisht se sa vota me kusht do të jenë të konfirmuara, të cilat duhet të shkojnë të numërohen”, tha Ahmetaj. Bazuar në rezultatet paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, del se përqindja 50 me 50 ndërmjet PDK-së dhe LDK-së për komunën e Prizrenit mund të përcaktojë fituesin vetëm pas numërimit të votave me kusht. Zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës kërkuan ditë më parë konservimin e pakove të votimit dhe që numërimi i votave me kusht të bëhet në mënyrë publike. Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Nesrin Lushta, garantoi transparencë të plotë për këtë proces, por megjithatë pohon se numërimit të votave me kusht duhet t’i paraprijë verifikimi i atyre votave. Fituesi i garës elektorale për qytetin e dytë më të madh në Kosovë, sipas të gjitha gjasave, nuk do të mund të përcaktohet shumë shpejt. Sipas Lushtës, janë një varg procedurash, të cilat duhet të kryhen deri në arritjen e rezultatit përfundimtar për komunën e Prizrenit. Në bazë të rezultateve paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për balotazhin e së dielës, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar në 10 komuna, Lidhja Demokratike e Kosovës në 5, kurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në 3 komuna.