E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malavi njeh shtetin e pavarur të Kosovës

Rinisin njohjet

 
Republika e vogël në Afrikën Jugore është vendi i 64 që njeh pavarësinë e Kosovës. Vendimi erdhi vetëm 5 ditë pas mbylljes së procesit në GJND
 
 
Vetëm pak ditë pasi në Hagë ka përfunduar procesi i seancave dëgjimore nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Republika e Malavit, vend ky në Afrikën Jugore, e ka njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, duke u bërë shteti i 64 që njeh pavarësinë e saj. Në një konferencë për mediat, ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, tha dje se është njoftuar me një notë verbale, e cila është përcjellë nga misioni i përhershëm i Malavit në OKB përmes Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në Nju Jork, se Malavi ka njohur më 14 dhjetor Kosovën si shtet të pavarur. “Natyrisht në notë po ashtu thuhet se në vijim do të vazhdojmë të këmbehen shkresa të tjera zyrtare, për të çuar më tej marrëdhëniet të dypalëshe midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malavit. Kjo njohje e ngre numrin e shteteve që kanë njohur Kosovën në 64 dhe ardhja e kësaj njohjeje pikërisht në këtë kohë, vetëm tri-katër ditë pas përfundimit të dëgjimeve gojore në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, është një shenjë dhe një ogur i mirë, dhe demonstron gjithashtu me të vërtetë atë që vazhdimisht e kemi theksuar, se procesi i njohjeve do të vazhdojë”, tha Hyseni. Në 11 dhjetor, me paraqitjen e argumenteve të Venezuelës dhe Vietnamit, që ishin në favor të Serbisë, ka mbyllur punimet Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Për Kosovën dëshmuan 14 vende, për Serbinë 12. Vendimi (mendimi) pritet në pranverë. Në mbyllje, tre gjykatës ftuan pjesëmarrësit që në formë të shkruar dhe deri më 22 dhjetor të shpjegojnë disa aspekte që janë dëgjuar gjatë 10 ditëve të kaluara. Kryetari i gjykatës mbylli punimet me pohimin se GJND-ja më vonë do të japë mendimin këshillëdhënës për rastin e Kosovës. Pesëmbëdhjetë gjykatësit e GJND-së, prej të cilëve tetë janë nga vendet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe shtatë nga ato që këtë nuk e kanë bërë, dëgjuan për 9 ditë rresht argumentet e Kosovës, Serbisë dhe 27 vendeve të tjera. Legjitimitetin dhe ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës e mbështetën Shqipëria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Arabia Saudite, Austria, Bullgaria, Kroacia, Danimarka, Holanda, Norvegjia, Finlanda dhe Jordania. Ndërsa në mbrojtje të qëndrimit të Serbisë dolën Rusia, Kina, Spanja, Brazili, Argjentina, Azerbajxhani, Bjellorusia, Bolivia, Rumania, Qiproja, Venezuela dhe Vietnami. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk ka përcaktuar asnjë afat deri kur duhet të deklarohet, por supozohet se do ta thotë fjalën e vet në pranverë të vitit të ardhshëm. Një nga mundësitë është që GJND-ja të mos deklarohet fare rreth rastit të Kosovës.
 
 
Tragjedia “Tisa”
 
EULEX: Tre të arrestuar të tjerë
 
EULEX-i njoftoi dje, se tre persona të tjerë janë arrestuar në lidhje me të ashtuquajturin rasti “Tisa” i trafikimit me njerëz, me urdhër arrest të lëshuar nga gjykatësi për procedurë paraprake i EULEX-it. Ndërsa lidhur me rastin “Tisa”, edhe katër persona të tjerë janë në arrest të përkohshëm të autorizuar nga prokurori special i EULEX-it. “Personat janë marrë në paraburgim pas një serie operacionesh në mëngjesin e së mërkurës. Operacionet janë zhvilluar në komunat e Vitisë, Gjakovës, Podujevës, Gjilanit dhe Prishtinës”, thuhet në njoftimin e EULEX-it. Për momentin, katër të dyshuarit që janë në arrest të përkohshëm me kërkesën e prokurorit special të EULEX-it, janë duke u marrë në pyetje me mundësi që gjykatësi për procedurë paraprake i EULEX-it të urdhërojë masën e paraburgimit. Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar shtatë persona, si të dyshuar se janë të përfshirë për trafikim të qenieve njerëzore në rastin “Tisa”. Në tragjedinë që ndodhi në tetor të këtij viti në lumin Tisa, që ndan Hungarinë me Serbinë, humbën jetën 16 kosovarë, të cilët po tentonin të kalonin ilegalisht në shtetet e Bashkimit Europian. Deri më tani nuk kishte pasur asnjë të arrestuar në lidhje me rastin, megjithëse ishin intervistuar disa persona si të dyshuar për trafikim të qenieve njerëzore. Trupat e dhjetë të mbyturve, pas përmbysjes së barkës, janë gjetur dhe janë varrosur në Kosovë, ndërkohë që gjashtë persona të tjerë vazhdojnë të jenë të zhdukur.
 
 
Tensione në koalicionin qeverisës në Maqedoni   
Partnerët shqiptarë të koalicionit qeverisës në Maqedoni kanë paralajmëruar partinë e kryeministrit Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE, të ndryshojë qëndrimin për çështjen e emrit, në mënyrë që të zhbllokohet situata e integrimit të vendit në BE. Deputetja e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ermira Mehmeti, tha në një intervistë për BBC-së se, nëse qeveria e Maqedonisë nuk tërhiqet nga qëndrimet e saj “që stimulojnë antieuropianizëm”, atëherë ata do të rivlerësojnë qëndrimin e tyre. “Maqedonia nuk ka alternativa, nëse bllokohet procesi integrues. Nëse qeveria nuk tërhiqet nga politika aktuale që stimulon antieuropianizëm, që stimulon një formë animoziteti ndaj idesë së Europës së bashkuar, atëherë nuk ka dilemë, nuk do mend se partnerët në qeveri do të duhet të bëjnë një rivlerësim të pozicioneve, por edhe të qëndrimeve të tyre për sa i përket integrimit europian”, tha ajo. Gjithsesi, sipas deputetes së BDI-së, kjo nuk do të bëhet nën presion të emocioneve apo të fjalorit urrejtjes. Deklaratat e Mehmetit vijnë pas shfaqjes së një tensioni mes partisë kryesore qeverisëse VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së. Të martën deputetja e partisë maqedonase në qeveri, Kosana Nikoliq-Mazneva, akuzoi dy koleget saj të BDI-së, Teuta Arifin dhe Ermira Mehmetin, për nxitje të urrejtjes ndëretnike. “Maqedonia e ka toleruar valën e urrejtjes që ka dalë nga pena e tyre”, tha Mazneva. Reagimi i saj erdhi pasi dy deputetet shqiptare publikisht kanë kundërshtuar politikat e kryeministrit Gruevski.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›