E Diel, 1 Nëntor 2026

Lustracioni që na kthen 18 vite pas



Ligji për pastërtinë e figurave, pa dyshim që mbetet nisma ligjore më e kontestuar nga ndërkombëtarët në këto 18 vite demokraci. As gafat skandaloze të Kushtetutës së rrëzuar me votën popullore në vitin 1994, as arrestimi dhe rrahja e gazetarëve, as vjedhja e parave të shqiptarëve në skemat piramidale, as vjedhja e votave në vitin 1996 nuk janë kontestuar aq shumë ndërkombëtarisht sa i ashtuquajturi ligji i lustracionit.
Paketa ligjore, që synon të mënjanojë përkohësisht nga skena politike dhe institucionale “xhelatët” e regjimit, pas gjithë këtyre vitesh harrese, u kontestua që në debat nga komuniteti ndërkombëtar. Ende pa u miratuar projektligji në Kuvend, përfaqësuesit diplomatikë të dy vendeve mike, të cilat kanë luftuar pa reshtur dhe në mënyrë të sinqertë gjatë këtyre viteve për integrimin e vendit tonë në strukturat euroatlantike, Xhon Uidhers dhe Fraser Uillson, kërkuan që të shtyhet procesi i votimit dhe paketa të diskutohet më parë me grupet e interesit. Por, maxhoranca as që e vuri ujin në zjarr. Sapo mori votën e njëanshme të Kuvendit ligji për pastërtinë e figurave, reaguan dhe shprehën shqetësimin e tyre Këshilli i Europës, OSBE-ja, Bashkimi Europian dhe disa vende të rëndësishme perëndimore. Pakënaqësitë diplomatike, të formuluara troç, vazhduan edhe në periudhën kur gjithçka varej nga presidenti, i cili e miratoi me heshtje ligjin e kontestuar ndërkombëtarisht, me një pretendim të pathënë se “ndodhej në një konflikt interesi” nëse do të shprehej kundër apo pro paketës së propozuar dhe miratuar nga forca politike që e solli në krye të institucionit më të lartë të shtetit. Edhe tani që ligji ka hyrë në fuqi, kur ideatorët kanë nxjerrë shpatat për të prerë “kokat e para të xhelatëve të dikurshëm”, që sot ushtrojnë funksionet e tyre në sistemin e drejtësisë, qeverisjes apo politikës, ndërkombëtarët vazhdojnë ta kundërshtojnë këtë ligj duke u shprehur qartë se ai bie ndesh me Kushtetutën dhe me të drejtat e njeriut.
Tashmë duket qartë se ligjërimit diplomatik të ndërkombëtarëve në adresë të qeverisë shqiptare i ka ardhur fundi. Uashingtoni, Brukseli apo Strasburgu nuk nxjerrin shpatat për të luftuar “kokat e sëmura” apo “mendjet bunkerizuara”; nuk e përdorin ligjin për të ekzekutuar kundërshtarët, por e mbajnë pushtetin duke iu përulur ligjit. Perëndimi, ëndrra dhe rruga ku dëshirojnë të shkojnë shqiptarët, është familja e madhe që lulëzon në shtetin e së drejtës, i cili nuk fut në gjirin e saj asnjë prej liderëve apo maxhorancave që kanë për idhull llukashenkot, apo veprojnë në modelin bjellorus.
Tashmë, pas 18 vitesh, në momentin kur thamë se ishim fare pranë prekjes së ëndrrës, e shohim veten 18 vjet pas; pikërisht atëherë kur s’e dinim se çfarë ishte shteti i së drejtës dhe u morëm nëpër këmbë nga mashtruesit dhe manipuluesit e demokracisë, fjalës së lirë dhe shtetit ligjor. Por, kësaj radhe, këmbëngulja e Perëndimit për të na integruar në Europë është sinjali më i mirë që shqiptarët duhet të largojnë të gjithë ata që duan të pastrojnë veten duke larguar të tjerët.

14 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›